Ndërlidhjet

Valë e re e sulmeve ajrore në Alepo të Sirisë


Pamje e shkatërrimeve në qytetin Alepo në Siri, pas sulmeve ajrore të djeshme

Pamje e shkatërrimeve në qytetin Alepo në Siri, pas sulmeve ajrore të djeshme

Aeroplanët ushtarakë e kanë ndërmarrë një valë të re të sulmeve ajrore kundër hapësirave nën kontrollin e kryengritësve në Alepo të Sirisë, në kuadër të ofensivës madhore të planifikuar nga ushtria e Sirisë, e mbështetur nga Rusia.

Ammar al Selmo, shef i mbrojtjes civile në pjesën lindore, që është nën kontrollin e forcave opozitare, i tha sot agjencisë Reuters se “për fat të keq sulmi po vazhdon dhe se aeroplanët janë në qiell tash”.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, tha se “sulmet janë intensive dhe të vazhdueshme”.

Në bisedimet e djeshme, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia dështuan ta ripërtrijnë armëpushimin në Siri, derisa aeroplanët ndërmorën sulm masiv ajror kundër hapësirave nën kontrollin e kryegnritësve në Alepo, duke i vrarë dhjetëra njerëz.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se “pak progres” është arritur pas bisedimeve me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Nju Jork.

Zoti Lavrov ka thënë se nuk është arritur marrëveshje dhe e ka akuzuar Uashingtonin se ka dështuar në respektimin e marrëveshjes së mëparshme për armëpushim.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut raportoi se së paku 30 sulme ajrore i kanë qëlluar caqet e ndryshme në Alepo, gjatë mëngjesit të djeshëm, dhe tha se së paku 27 civilë janë vrarë, dhjetëra të tjerë janë plagosur, ndërsa ka edhe të atillë që ende janë të bllokuar nën gërmadha.

Ushtria e Sirisë, që është e mbështetur nga forca ajrore e Rusisë, para dy ditësh tha se e fillon një operacion të ri kundër pjesës lindore të Aëepos, që është nën kontroll të kryengritësve.

Në këtë pjesë jetojnë afro 250 mijë njerëz.

Një burim ushtarak i tha agjencisë Reuters se ofensiva do të jetë “gjithpërfshirëse”, me sulm tokësor të ndihmuar nga bombardimet ajrore dhe artilerike.

XS
SM
MD
LG