Ndërlidhjet

logo-print

Përfundon referendumi antikushtetues i serbëve të Bosnjës - vlerësohet i suksesshëm

  • RFE /RL

ilustrim

ilustrim

Në bazë të shënimeve të autoriteteve në Republikën Serbe, referendumi në të cilin qytetarët janë deklaruar në pyetjen: “A e përkrahni që 9 janari të shënohet dhe kremtohet si Ditë e Republikës Serbe", ka patur sukses.

Komisioni Republikan ka deklaruar se pjesëmarrja në referendum ka qenë ndërmjet 56 dhe 60 për qind

Është paralajmëruar që në ndryshimet e ardhshme të Ligjit për festat në Republikën Serbe qytetarët që nuk duan nuk kanë nevojë që ta festojnë 9 janarin si Ditë të Republikës Serbe.

Më herët Gjykata Kushtetuese e Bosnjë Hercegovinës pati marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme me të cilën ndalohet mbajtja e referendumit.

****

Në Republikën Serbe, janë mbyllur vendvotimet e referendumit për 9 janarin si ditën e këtij entiteti, të cilin e ka kontestuar si kundër kushtetues Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Kryetari i Komisionit për mbajtjen e referendumit, Sinisha Karan, thotë se tashmë mund të thuhet se referendumi ishte i plotfuqishëm, marrë parasysh se deri në ora 17 dalja e qytetarëve në referendum ishte më e madhe se 50 për qind nga numri i përgjithshëm i të regjistruarve në listat e votuesve.

Deri në ora 17 në referendum kanë marrë pjesë 51.17 për qind e votuesve të regjistruar.

Me ligj është e paraparë që referendum është i plotfuqishëm nëse deklarohet më shumë se gjysma e shumicës së qytetarëve që kanë të drejtë vote dhe që janë të regjistruar në listë votuese.

Por përfaqësuesi i lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Valentin Inzko, më herët ka deklaruar se askush nuk e konteston të drejtën e “Republikës Serbe që të shënoj ditën e saj, por duhet që njëkohësisht, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës i nëntorit të vitit 2015, të zbatohet deri sa referendumi është i papranueshëm dhe nuk ka fuqinë kushtetuese dhe ligjore”.

Zyrtarët boshnjakë janë kundër referendumit, sepse konsiderojnë se është anti-Dayton dhe një akt kundër kushtetues.

Kundër referendumit janë edhe Këshilli Drejtues për zbatimin e paqes (PIC), Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ambasada e SHBA-së, Bashkimi Evropian dhe vendet fqinje Kroacia e Serbia.

Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, tha se nuk “frikësohet nga sanksionet eventuale”.

Rriten tensionet ndërsa serbët e Bosnjës mbajnë referendum të ndaluar

Referendumi i së dielës ka çuar në debatin më të ashpër ndërmjet zyrtarëve myslimanë të Bosnjës dhe atyre serbë të Bosnjës, prej Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Me këtë marrëveshje ishte krijuar Republika Serbe, si njëra nga dy entitetet përbërëse të Bosnjë Hercegovinës.

Në referendum është shtruar pyetja nëse dëshirohet që 9 janari të mbetet “Ditë e Shtetësisë”.

Në këtë datë është festa e Kishës Ortodokse Serbe dhe përvjetori i Deklaratës së ligjvënësve serbë të Bosnjës në vitin 1992, me të cilën ishte shpallur pavarësia nga Bosnja. Ky zhvillim e kishte shkaktuar luftën trevjeçare etnike në këtë vend.

Kritikët e referendumit thonë se ai i shton tensionet etnike dhe e forcon ndjenjën separatiste brenda këtij entiteti.

Joserbët, këtë datë e shohin si simbol të dëbimit të tyre nga territori i kontrolluar nga serbët e Bosnjës dhe si indikacion se Republika Serbe është vend ku do të jetojnë vetëm serbët.

Më 17 shtator, Gjykata Kushtetuese e Bosnjë Hercegovinës me seli në Sarajevë, e ka ndaluar referendumin, duke theksuar se festa e 9 janarit është ilegale dhe i diskriminon boshnjakët myslimanë dhe kroatët katolikë.

Dragan Llukaq, ministër i Brendshëm në Republikën Serbe dhe shef i komisionit zgjedhor, tha të dielën në një konferencë për shtyp në Banjallukë se, “çdo gjë ka shkuar mirë” dhe se nuk ka pasur raporte për incidente.

Ai theksoi se ka pasur mungesë të votuesve në hapësirat boshnjake të Republikës Serbe, dhe shtoi se më tepër se dhjetëra vendvotime as që janë hapur për votim.

Për këtë referendum më së tepërmi është angazhuar presidenti nacionalist i këtij entiteti, Millorad Dodik.

Kritikët e tij e akuzojnë atë se po përpiqet të krijojë kushte për referendumin e ardhshëm, me gjasë në vitin 2018, me pyetjen nëse Republika Serbe do të duhej të shkëputej nga Bosnjë e Hercegovina.

Një zhvillim i tillë, në mënyrë efektive, do të nënkuptonte përfundim të Marrëveshjes së Dejtonit, me të cilën pati përfunduar lufta në Bosnjë në periudhën 1992-95.

Raportohet se rezultatet e para të referendumit do të dihen gjatë natës.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG