Ndërlidhjet

logo-print

Ban: Sulmet në Alepo, “ditë e zezë” për mbrojtjen e civilëve

  • RFE /RL

Aleppo

Aleppo

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, është “i tmerruar me përshkallëzimin ushtarak alarmues” në Alepo të Sirisë, ka thënë të shtunën mbrëma zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric, nëpërmjet një kumtese.

“Prej shpalljes para dy ditësh të ushtrisë siriane për ofensivë për ta marrë pjesën lindore të Alepos, ka pasur raporte të përsëritura për sulme ajrore me involvimin e armatimit zjarrvënës dhe municionit të avancuar, siç janë bombat kundër bunkerëve”, thuhet në kumtesën e zëdhënësit Dujarric.

Ban Ki-moon, po ashtu, këtë e konsideron “ditë të zezë për përkushtimin global për mbrojtjen e civilëve”.

Për sulme të reja në Alepo është raportuar të shtunën, derisa ushtria e Sirisë, e mbështetur nga Rusia, ka depërtuar në pjesën veriore të qytetit, gjatë ofensivës së saj për ta rimarrë kontrollin në hapësirat ku tash gjenden kryengritësit.

Kjo ofensivë më e re është lansuar, pasi javën e kaluar u shkatërrua armëpushimi.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren, tha se së paku 45 vetë, në mesin e tyre 10 fëmijë, janë vrarë të shtunën në pjesën lindore të Alepos.

Aktivistët thonë se në ofensivë po marrin pjesë aeroplanët luftarakë të Rusisë dhe Sirisë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për fëmijë, UNICEF, tha se sulmet aktuale i kanë lënë afro 2 milionë njerëz pa ujë.

Një stacion i pompave për furnizim me ujë në pjesët lindore të Alepos, që është nën kontroll të kryengritësve, është shkatërruar nga bombardimet, ndërsa kryengritësit janë përgjigjur me ndaljen e furnizimit nga ky stacion të pjesës perëndimore të qytetit, ka njoftuar UNICEF-i.

Ushtria e Sirisë tha se në shënjestër të sulmeve të saj janë pozicionet e kryengritësve në qytet dhe i ka hedhur poshtë akuzat se i ka goditur civilët. Rusia nuk e ka konfirmuar involvimin e saj.

Para dy ditësh, ushtria e Sirisë kishte shpallur nisjen e një operacioni të ri kundër pjesës lindore të qytetit Alepo, nën kontroll të kryengritësve, ku jetojnë së paku 250 mijë njerëz.

Një burim ushtarak tha se ofensiva do të jetë “gjithëpërfshirëse”, me sulm tokësor dhe bombardime ajrore dhe artilerie.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia e akuzojnë njëri-tjetrin për dështim që të ndikojnë në aleatët e tyre përkatës në Siri, ku Rusia e mbështet regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, ndërsa Shtetet e Bashkuara i mbështesin grupet opozitare.

Konsiderohet se më se 300 mijë njerëz janë vrarë në konfliktin në Siri, ndërsa miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG