Ndërlidhjet

Maqedoni: Padi për shpërdorim detyre ndaj katër zyrtarëve


Ilustrim

Ilustrim

Prokuroria Speciale e Maqedonisë ka ngritur edhe një padi të re ndaj zyrtarëve, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Për keqpërdorim financiar akuzohen tre drejtues të Agjencisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët gjatë procedurave të blerjes së disa pajisjeve nga Britania e Madhe kanë përvetësuar mbi 860 mijë euro.

Prokurorja speciale, Fatime Fetai, ka sqaruar se e gjithë procedura e shpërdorimit të fondeve shtetërore është realizuar përmes faturave fiktive nga zyrtarët e lartë të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, në vitin 2010.

“Në vend që pajisjet të blihen direkt nga Britania e Maqedoni, ku kanë qenë më të lira, personat e akuzuar këtë e kanë bërë përmes një kompanie tjetër “Finzi”, drejtues i së cilës ishte një familjar i të akuzuarit të tretë, e cila pajisjen e kishte blerë para se të shpallet tenderi nga Ministria e Punëve të Brendshme."

"Pasi janë marrë vesh, dy të akuzuarit e parë kanë kërkuar nga një dëshmitar i punësuar në MPB që të blejë pajisjen nga Britania e Madhe, e cila më pas i është stërshitur sektorit të brendshëm, ndërsa kontratat tjetër ka të bëjë edhe me mirëmbajtjen e tyre me një çmim që po ashtu dëmtonte buxhetin e shtetit”, ka deklaruar prokurorja speciale, Fatime Fetai.

Padia e ngritur ka të bëjë edhe me vetëvrasjen e një dëshmitari të mbrojtur, Kosta Kërpaç, si drejtues i firmës së përfshirë në skandal, i cili para se të kryente aktin, i kishte dhënë informacionet prokurorisë për keqpërdorimet e bëra.

Rasti i sotëm i titulluar si “Thesari” është i gjashti i ngritur nga Prokuroria Speciale, që nga paraqitja e aferës së përgjimeve, në shkurt të vitit të kaluar.

Deri më tani procedurat kanë nisur për rastet “Titaniku”, “Tortura”, “Kalaja”, “Transportuesi” dhe “TNT”. Aktualisht, Prokuroria Speciale ka ngritur dy padi ndaj 21 personave, në mesin e të cilëve është edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevksi.

Prokuroria Speciale është e vendosur që të çojë deri në fund procedurat, pavarësisht presioneve në rritje ndaj aktiviteteve të saj, kanë thënë zyrtarët e saj.

Prokurorja Lençe Risteva, ndërkohë, edhe një herë bëri thirrje për miratimin e ligjit për dëshmitarët e mbrojtur.

“Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë gjatë inicimit të proceseve gjyqësore, siç i kemi shfrytëzuar deri më tani. Kuptohet, ligjet për të cilat kemi apeluar të miratohen, në masë të madhe do ta lehtësonin punën, jo vetëm të Prokurorisë Speciale Publike, por të njëjtat do të kontribuonin shumë në ndriçimin e më shumë rasteve iniciuara."

"Të gjithë ata që kanë informacione do t’u jepet mundësia që ta thonë versionin e tyre për hetimin dhe ndriçimin e rasteve, pa pasur frikë nga kërcënimet. Edhe nëse Kuvendi nuk e miraton ligjin, puna jonë nuk do të ndalet. Ajo është në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Ne do ti shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që na i jep ligji për ndjekje penale dhe ligjet e tjera”, tha Ristevska.

Paditë e reja të Prokurorisë Speciale vijnë në kohën kur që disa ditë në Kuvendin e Maqedonisë po zhvillohet debat i ashpër lidhur me raportin e saj gjashtë mujor.

Partitë në pushtet, në veçanti VMRO-ja, ka vazhduar me akuzat se puna e Prokurorisë Speciale është e orkestruar për të sulmuar dhe paditur vetëm anëtarët e kësaj partie, ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të votojnë vazhdimin me punë të këtij institucioni pas skadimit të afatit pas gjashtë muajve.

Opozita, nga ana tjetër, ka dalë në mbrojtje të Prokurorisë, ndërsa ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj saj rrezikon marrëveshjen politike dhe zgjedhjet e parapara për më 11 dhjetor. (REL)

XS
SM
MD
LG