Ndërlidhjet

logo-print

Shkollat e Kosovës përballen me mungesë të psikologëve


Ilustrim

Ilustrim

Shkollat e Kosovës po përballen me mungesën e psikologëve. Ndonëse profesionistë të kësaj fushe thonë se janë të domosdoshëm psikologët brenda shkollës, zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se mungesa e buxhetit e pamundëson përfshirjen e tyre në të gjitha shkollat e vendit.

Visar Sadiku, psikolog klinik, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shkollat e Kosovës përballen me problem të natyrave të ndryshme, e që psikologët do të mund t'i adresonin dhe t'i trajtonin këto probleme, duke u nisur nga dhuna në shkolla e deri tek vrasjet që kanë ndodhur nëpër oborret e shkollave.

“Psikologët në shkolla llogaritet të jetë në kuadër të stafit profesional, e që është shumë i rëndësishëm. Duke e marrë parasysh që ka diversitet të madh të nxënësve, të gjitha problemet që po ndodhin nëpër shkolla janë ato të cilat psikologu do t’i adresonte. Shkollat kanë një numër të madh të nxënësve dhe mendoj se edhe ato shkolla që kanë psikolog, kanë vetëm një prej tyre , që mendoj se është e pamjaftueshme”, thotë Sadiku.

"Për problemet e fëmijëve, prindërit u adresohen psikologëve jashtë shkollave, nëpër klinika të cilat janë edhe të kushtueshme’’, shton ai.

Përkundër nevojës, Qeveria, përkatësisht Ministria e Arsimit, nuk parasheh plotësimin e kuadrit të munguar të psikologëve nëpër shkolla për shkak të mungesave buxhetore.

Alush Istogu, drejtor i Departamentit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, ka thënë se numri i psikologëve të punësuar nëpër shkollat e Kosovës, e që është rreth 80 sosh , është më se i pamjaftueshëm. Por, ai ka theksuar se punësimi i psikologëve të rinj është i pamundur tash për tash, për shkak të mungesës së buxhetit.

“Ministria e Arsimit, në kuadër të planit të punës, ka hartuar udhëzimin administrativ, por që në të kemi paraparë që duhet ndarë përgjegjësitë e pedagogut dhe psikologut”.

“Tash për tash janë të punësuar 87 psikologë gjithsej. Është numër shumë i vogël, por ka mungesë buxheti. Në ndërkohë, jemi duke planifikuar ngritjen profesionale dhe ndarjen e rolit që kanë në kuadër të këtij shërbimi’’, ka thënë Istogu.

Shkolla e mesme ‘’Sami Frashëri" në Prishtinë nuk ka psikolog. Ndonëse ka mbi 1,200 nxënës, kësaj shkolle i mungon edhe psikologu edhe pedagogu i shkollës. Kështu ka thënë drejtori Osman Beka në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.

‘’Prej vitit 2008 deri në 2015 kemi pasur psikolog. Por, që një vit jemi pa psikolog. Psikologia i ka luajtur dy role në shkollën tonë , edhe si pedagoge edhe si psikologe, duke mbajtur seancë dëgjimore me nxënës. Është domosdoshmëri e kohës që të ketë psikolog nëpër shkolla”.

“Në shkollën tonë ka reflektuar pozitivisht kur ka pasur psikolog. Me udhëzime administrative dhe ligje janë shumë mirë të specifikuara nevojat e shkollës, por në praktikë nuk plotësohen vendet që i parasheh ligji, si mjekun, psikologun, pedagogun’’, ka thënë Beka.

Sidoqoftë në nivelin e arsimit fillor, të mesëm të ulët, që përfshinë arsimin e obliguar 9-të vjeçar, në mbarë Kosovën, sipas të dhënave zyrtare, mësimin e ndjekin rreth 260 mijë nxënës, nga të cilët një numër i madh vetëm në Prishtinë, mbi 30 mijë. Ndërkaq, gjithsej në Kosovë janë mbi 700 institucione shkollore. (REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG