Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës thotë se punohet intensivisht për lirimin e Nehat Thaçit


Ilustrim

Ilustrim

Qeveria e Kosovës po merret intensivisht me rastin e arrestimit të Nehat Thaçit, drejtor i policisë rajonale në Mitrovicë, nga ana e autoriteteve të Serbisë.

Kështu kanë deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ai i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Hoxhaj ka thënë se ministria që ai drejton është marrë intensivisht me rastin e arrestimit të Thaçit. Ndonëse, sipas tij, në kohë të tilla nuk bëhen deklarata për opinion publik, sepse nuk është në natyrën e Ministrisë së Punëve të Jashtme që paralelisht me angazhimin diplomatik të bëhen deklarata në proces.

“Kryeministër , dua t’ju siguroj edhe juve edhe qytetarët se e kemi dhënë maksimumin nga ana jonë. Natyrisht që rastet e tilla janë të papranueshme për ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, sikurse janë të papranueshme edhe rritja e numrit të kërkesave nga ana e Serbisë në kuadër të INTERPOL-it, ku shpeshherë qytetarët e Republikës së Kosovës pa asnjë të drejtë ndalen në kufij të shteteve fqinje”, është shprehur Hoxhaj.

Si Ministri e Jashtme, ka vijuar Hoxhaj, deri më tash janë menaxhuar 4-5 raste, për çka i ka falënderuar shtetet fqinje të Ballkanit, të cilat kanë treguar mirëkuptim.

“Desha vetëm t’ju informoj se dje jemi marrë në mënyrë intensive. Dje kemi biseduar 2-3 herë me ministrin Hyseni dhe pa e mbi interpretuar këtë situatë do të japim maksimumin që të bëjmë një zgjidhje të shpejtë”, ka theksuar ministri Hoxhaj.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka deklaruar se të gjitha aktivitetet që po ndërmerren për rastin Thaçi, kanë si qëllim lirimin sa më të shpejtë të tij.

“Në bazë të informacioneve që kemi, nuk ka mbështetje ligjore për mbajtjen e tij në arrest."

"Vërtetë ne kemi qenë në presion të madh të opinionit që të deklarohemi, por ndërkohë që bëheshin të gjitha përpjekjet dhe po vazhdojnë të bëhen për lirimin e tij, është e pavend që të bëjmë deklarime publike që mund t’i vështirësojnë të gjitha përpjekjet për lirimin sa më shpejt të Thaçit”, ka thënë Hyseni.

Ai e ka cilësuar të papranueshme që në listat e INTERPOL-it figurojnë njerëz, qytetarë të Kosovës, që kanë marrë pjesë në luftë në çfarëdo mënyre.

“Ky është një proces afatgjatë i cili duhet të zgjidhet qoftë përmes anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, qoftë përmes ndërtimit të marrëdhënieve bilaterale midis shteteve”, ka thënë Hyseni.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar të enjten se policia serbe ka arrestuar Nehat Thaçin, nga Ferizaj, në bazë të “fletarrestit të lëshuar me urdhër të Gjykatës së Lartë në Nish për veprën penale të terrorizmit”.

Në kumtesën e Ministrisë thuhet se “Thaçi u arrestua të mërkurën në mbrëmje rreth orës 20, në vendkalimin administrativ Konçul, gjatë lëshimit të vërtetimit për hyrje në territorin e Serbisë Qendrore”.

“Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë në Nish për përcaktimin e paraburgimit nga viti 2010, Thaçi është dërguar në njësinë e paraburgimit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Kjo nuk ishte hera e parë që qytetarë apo zyrtarë të Kosovës arrestohen, jo vetëm në Serbi, por edhe vendet tjera, në bazë të fletarresteve të Serbisë, që i ka deponuar në INTERPOL. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG