Ndërlidhjet

Hungaria mban referendum për planin e BE-së për migrantët

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Hungarezët janë duke votuar në referendum për pranimin e kuotave të detyrueshme të BE-së për rivendosjen e migrantëve.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, kundërshton planin për rivendosjen e 160 mijë migrantëve në vendet e bllokut, raporton BBC.

Sipas skemës së BE-së, që është paraqitur pas krizës me migrantë vitin e kaluar, Hungaria do të duhej të pranonte 1,294 azilkërkues.

Në referendumin në Hungari, qytetarët do t’i përgjigjen pyetjes: “A doni që Bashkimi Evropian të jetë në gjendje të mandatojë rivendosjen e detyrueshme të shtetasve jo-hungarez në Hungari edhe pa miratimin e Asamblesë Kombëtare”.

Deri në orën 13:00 sipas Zyrës Kombëtare për Zgjedhje, në referendum kanë dalë 23.5 për qind e votuesve potencialë.

Sondazhet sugjerojnë se shumica e hungarezëve do të mbështesin qëndrimin e partisë së kryeministrit Orban, që thonë se migrantët mund të paraqesin rrezik në kulturën e Hungarisë, por edhe mund të kryejnë sulme terroriste.

Hungaria u bë vend transit për migrantët në Ballkanin Perëndimor, në rrugëtimin e tyre drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së.

Në përpjekje për të ndalur fluksin e migrantëve, autoritetet hungareze fortifikuan kufirin e tyre me Serbinë dhe Hungarinë. Këto masa u pritën mirë në vend por u kritikuan nga grupet për të drejtat e njeriut.

Çfarë dëshiron Orban?

Kryeministri Viktor Orban dëshiron që të ndalë fluksin e migrantëve myslimanë në Evropë, duke argumentuar se ata paraqesin rrezik për Hungarinë dhe identitetin dhe kulturën e krishterë të Evropës, raporton agjencia Associated Press.

Orban edhe më herët është deklaruar kundër pranimit të migrantëve, veçanërisht të myslimanëve. Qeveria e tij, ka bërë fushatë kundër migrantëve, duke krijuar lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet tyre dhe terrorizmit.

Ai javën e kaluar ka thënë se BE-ka duhet të ndërtojë “një qytet gjigant për refugjatët” në Libim, prej ku migrantët nisen për në Evropë për të kërkuar azil.

Orban ka thënë se BE-ja duhet të forcojë kufijtë e saj me qëllim që t’i mbajë jashtë migrantët, ashtu siç ka bërë Hungaria vitin e kaluar, kur ndërtoi mur me gjemba përgjatë kufijve të saj.

Kryeministri hungarez mendon se vota “JO” në këtë referendum është në të mirë të pavarësisë dhe sovranitetit të vendit të tij.

Ai, gjithashtu, shpreson se presioni popullor do të inkurajojë edhe vendet e tjera të BE-së të ndërmarrin hapa të ngjashëm si Hungaria.

“Puna më e rëndësishme është që javën e ardhshme do të zhvillojmë takime në Bruksel dhe unë do të tentoj, me ndihmën e rezultateve të referendumit - nëse do të jetë i duhuri - të arrij që ne të mos obligohemi të pranojmë njerëz në Hungari, të cilët nuk i duam që të jetojmë me ne”, deklaroi të dielën Orban, duke shtuar se vendi i tij, pas rezultateve të referendumit do të bëjë ndryshime kushtetuese.

Ksenofobia

Qeveria hungareze ka ndërmarrë një fushatë të madhe kundër migrantëve myslimanë, duke bërë lidhje të drejtpërdrejtë në mes të migrantëve dhe terroristëve.

Kritikët kanë thënë se referendumi kundër migrantëve, përkatësisht kundër myslimanëve rrezikon të rrisë ksenofobinë dhe ndjenjat kundër migrantëve në mesin e Hungarezëve.

Votimi

Më shumë se 8 milionë qytetarë hungarez kanë të drejtë votimi dhe duhet që gjysma e tyre të dalin, në mënyrë që referendumi të jetë i vlefshëm. Sondazhet sugjerojnë se shumica e hungarezëve do të votojnë kundër kuotave të detyrueshme të BE-së, njofton DPA.

Çfarë do të ndodhë më pas?

Qeveria hungareze nuk ka treguar se cilat do të jenë pasojat nëse në këtë referendum vendoset kundër skemës së BE-së për migrantët, raporton AP.

Zëdhënësi i Qeverisë, Zoltan Kovacs, ka hedhur poshtë të gjitha mundësitë se ky referendum do ta dëmtojë kryeministrin Orban, duke thënë se një numër i madh i votës “JO” do të jetë i mjaftueshëm që zyrtarët të kundërshtojnë kuotat për refugjatët, edhe nëse dalja në referendum është e vogël.

“Referendumi asnjëherë nuk do të jetë dështim”, ka thënë ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG