Ndërlidhjet

logo-print

‘Tendero-mania’, një aktivitet që ka shërbyer për afera korruptive në Kosovë, përmes fushës së prokurimit publik, në gati të gjitha institucionet e nivelit lokal dhe qendror, u ka ndihmuar zyrtarëve të institucioneve, thonë njohës të rrethanave në Kosovë.

Ish drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni thotë për Radion Evropa e Lirë se burim i pashterrshëm i aferave korruptive në Kosovë janë tenderët në Kosovë.

“Korrupsioni i imtë nuk është problem në Kosovë, ne kemi një polici rrugore jo të korruptuar, e kemi një mjekësi familjare primare jo të korruptuar, problemet mbesin tenderët, problem mbetet prokurimi publik, problem mbetet fusha ku zyrtarët e pandërgjegjshëm po tentojnë që me rrezikim të vogël të përfitojnë shumë dhe shpejtë”, thekson Preteni.

Autoritetet e Kosovës, vlerësohet se çdo herë kanë hasur në vështirësi në reformat, të cilat është dashur t’i bëjnë në fushën e prokurimit.

Që nga miratimi i Ligjit të prokurimit publik në vitin 2003 e deri më tani, ky ligj ka pësuar më shumë se pesë herë ndryshime.

Buxheti i Kosovës për këtë vit ka qenë 1 miliard e 680 milionë euro. Nga kjo vlerë, 463 milionë euro të buxhetit ishin paraparë të investohen në projekte kapitale, projekte këto të cilat i nënshtrohen procedurave tenderuese.

Pikërisht, thotë Preteni, janë investimet kapitale të cilat në të shumtën e rasteve dështojnë për shkak të parregullsive që paraqiten në fushën e prokurimit publik.

“Investimet kapitale realizohen ne fushën e tenderëve edhe në shumicën prej këtyre rasteve dështojnë sepse paraprakisht nuk mund të merren vesh se cila kompani duhet të fitojë. Jemi dëshmitarë të asaj që po ndërron ligji vazhdimisht, po amandamentohet, po ndryshon, po barten kompetencat prej një institucioni në institucionin tjetër dhe rezultate nuk ka”, thotë Preteni.

Ekspertët në Kosovë thonë se niveli i lartë i korrupsionit në fushën e prokurimit publik vlerësohet të ketë pasur efekte negative edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë tregojnë se ka raste të shumta të bizneseve të cilat ankohen për parregullsitë në fushën e prokurimit publik.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se rastet e korrupsionit në fushën e prokurimit publik ka vështirësuar të bërit biznes në vend.

“Kohë pas kohe marrim ankesa nga ana e bizneseve tona anëtare të OEAK lidhur me parregullsitë në aktivitete të caktuara të prokurimit publik që kryesisht lidhen me mënyrën se si shkruhen specifikacionet e tenderit që në njëfarë mënyre parashohin se kush do të jetë fituesi ende pa u shpallur tenderi, kjo tregon se ka prani të korrupsionit”, thekson Zeka.

Në aktivitetet e fushës së prokurimit ku ka korrupsion, shton Zeka, një grup i bizneseve favorizohen duke krijuar kështu, kushte të pabarabarta në treg për ato biznese të cilat synojnë të bëjnë biznes të mënyrë të drejtë.

“Një problem serioz është që një prani e korrupsionit ose një prani e parregullsive në fushën e prokurimit publik e vështirëson edhe rrugën tonë drejtë integrimit euroatlantik, pasi që kjo është edhe njëra nga kushtet që buron nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, pra fuqizimi i sundimit të ligjit dhe luftimi i parregullsive në aktivitetet e prokurimit publik”, thekson Zeka.

Raportet ndërkombëtare flasin për Kosovën të radhitur në vendin e 103-të në shkallë botërore për nivelin e korrupsionit, duke e vendosur atë në një vijë me vendet më të korruptuara në botë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian në pothuajse të gjitha raportet e tij për Kosovën, ka nënvizuar problemin e korrupsionit dhe në veçanti funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar si të dobët. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG