Ndërlidhjet

Partitë politike në Maqedoni jotransparente


Nikolla Gruevski nga VMRO DPMNE

Nikolla Gruevski nga VMRO DPMNE

Megjithëse të obliguara me ligj, asnjëra prej partive politike, kryesisht ato në pushtet, VMRO DPMNE dhe BDI, nuk i kanë prezantuar raportet vjetore për vitin 2015 në faqet e tyre zyrtare në internet, ndërkohë që këtë nuk e ka bërë as edhe Partia shqiptare në opozitë, PDSH.

E vetmja që ka respektuar ligjin është partia maqedonase në opozitë, që ka bërë prezantimin financiar vjetor për vitin 2015 në faqen e saj.

VMRO DPMNE në faqen e saj të internetit ka të prezantuar raportin financiar për vitin 2014, ku theksohet se partia përmes anëtarësisë dhe donacioneve ka arritur të sigurojë 3.9 milionë euro, kurse ka pasur shpenzime prej 3.6 milionë eurosh.

Por, gjatë vitit 2014, partia maqedonase në opozitë ka arritur të arkëtojë 1.6 milion euro, kurse në llogarinë dalëse janë shënuar si shpenzime më pak se një milion euro.

Xhelal Neziri, nga Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP, thotë se korrupsioni në Maqedoni ‘rrënjët i ka në mungesën e transparencës së financimit të partive politike’.

“Marrja e legjitimitetit zgjedhor bëhet përmes financimeve të dyshimta, duke thithur financa nga burime të panjohura, përkatësisht bëhet fjalë për para të “pista”."

"Çdo donacion, i cili hyn në partitë politike, ku donatori mbetet i panjohur, bëhet me kusht që pas zgjedhjeve partia - duke ushtuar pushtetin - të ofrojë shërbime në dobi të donatorit”, thekson Xhelal Neziri.

Sipas tij, në Maqedoni "është instaluar një normë e funksionimit që partitë politike kontrollojnë funksionimin e institucioneve”.

“Me rëndësi të veçantë është që partitë politike të jenë të ndara nga shteti, pasi që institucionet e shtetit duhet të funksionojnë në bazë të ligjit, dhe partitë politike që marrin legjitimitetin zgjedhor kanë obligim t’i jetësojnë platformat politike, duke respektuar ligjin, e jo siç ndodh në Maqedoni, ku partitë politike në pushtet diktojnë veprimet e institucioneve”, thotë Neziri.

Ndërkaq, Sllagjana Taseva, nga organiza joqeveritare 'Transparency International Macedonia', thotë se partitë politike në faqet e tyre jo vetëm që nuk i paraqesin me kohë - apo fare - raportet financiare brenda vitit, por edhe në ato raporte që i dorëzojnë në Entin Shtetëror për Revizion ka shumë pak të dhëna rreth donatorëve.

“Në raportet financiare që partitë politike në Maqedoni i dorëzojnë në Entin Shtetëror për Revizion pothuajse nuk kemi asnjë të dhënë të saktë rreth asaj se kush është donator dhe me sa para ata kanë kontribuuar në buxhetin e partive politike... aq më pak jepen të dhëna se në çfarë forme janë shpenzuar më pas këto mjete brenda vitit. Pra, raportet e partive politike janë të përgjithësuara dhe aspak transparente”, thekson Sllagjana Taseva.

Ajo më pas shton se sektori civil tanimë disa vite me radhë ka kërkuar që të pësojë ndryshime ligji për financimin e partive politike, duke precizuar në detaje financimin, por njëkohësisht edhe shpenzimet që bëjnë partitë politike. Por, shumica parlamentare nuk ka ndërmarrë një nismë të këtillë, edhe pse faktori ndërkombëtar ka rekomanduar një gjë të tillë.

“Në vendet e zhvilluara demokratike partitë të cilat nuk dorëzojë me kohë raportet financiare - madje nëse këto raporte nuk janë të paraqitura në format të detajuar, ku çdo qytetar do ta ketë të qartë rrjedhën e parave që hyjnë dhe dalin nga partitë politike - mund të përballen me sanksione që të mos garojnë në zgjedhjet e ardhshme."

"Në Maqedoni, madje, edhe vetë institucionet të cilat janë përgjegjëse për luftën ndaj korrupsionit nuk arrijnë të dëshifrojnë raportet financiare të cilat në përgjithësi dorëzohen si pro-formë, e mos të flasim për sanksione. Kjo ndodh në Maqedoni sepse vetë partitë politike nuk janë të interesuara që të jenë transparente", thotë Taseva.

Nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më sot partia më madhe maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE, në bazë të shënimeve të organizatave jo qeveritare, i ka paguar mbi 1 milion e 600 dollarë një kompanie për marketing në SHBA për promovimin e politikave të kësaj partie dhe liderit të saj Nikolla Gruevskit, ish kryeministër i Maqedonisë, përpara autoriteteve amerikane.

Qendra hulumtuese SCOOP, pas një investigimi që ka realizuar, bën të ditur se partia maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE, është nga partitë më të pasura në Evropë, me një pasuri të patundshme në vlerë prej rreth 60 milionë euro. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG