Ndërlidhjet

Analistët: Beogradi ka ndikuar në vendimet e Listës Serbe


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Analistët e çështjeve politike në Prishtinë, thonë se vendimi i koalicionit qeverisës, Lista Serbe për, siç thuhet, “ngrirje të pjesëmarrjes në institucionet e vendit”, nuk është veprim autonom i tyre, por veprim i shtyrë nga Beogradi zyrtar.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se Lista Serbe është një lloj faktori politik i Qeverisë së Beogradit në spektrin politik kosovar dhe siç thotë ai, ngrirja e pozicioneve të deputetëve të Listës Serbe është bërë me vendim të Beogradit.

“Lista Serbe është një formacion tejet i çuditshëm politik, sepse në njërën ana ka shumë kompetenca, ka shumë fuqi politike, në anën tjetër nuk ka autonomi, pasi që dihet se vendimet për të i merr Beogradi, ajo mund të konsiderohet si një ambasador i Beogradit në politikën kosovare”, konsideron Muhaxhiri.

Ndikimi i Beogradit në vendimet e deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, sipas Muhaxhirit, krijon probleme të reja në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në një aspekt, është mirë që ka ndodhur kjo ngrirje, sepse do të jetë një lloj kthjellimi për politikën kosovare, pasi që duhet të jenë më të ashpër, më rigorozë në qëndrimet e tyre në Bruksel. Deri më tani pala shqiptare ka qenë shumë e butë dhe ka bërë shumë kompromise dhe nuk ka marrë gati asgjë, ndryshe nga pala serbe, e cila nuk ka bërë kompromise dhe ka përfituar shumë më shumë”, thekson Muhaxhiri.

Ndërkohë, monitorues të punës së Kuvendit të Kosovës, thonë se ngrirja e pozicioneve të deputetëve të Listës Serbe është në kundërshtim me rregulloret e Kuvendit.

Albert Krasniqi, nga Institutit Demokratik i Kosovës, thotë për Radion e Evropa e Lirë se deputetët serbë kanë vepruar në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Kosovës.

“Kushtetua e Kosovës nuk e njeh nocionin e ngrirjes së mandatit të deputetit,të njëjtit mund të japin dorëheqje ose ta bojkotojnë punën e Kuvendit deri në gjashtë muaj. Pas kësaj periudhe, ata mund t'i humbin mandatet nëse nuk arrijnë të arsyetojnë mungesën e tyre në Kuvend dhe të njëjtit duhet të zëvendësohen me deputetë të njëjtë brenda subjektit të Listës Serbe”.

“Mirëpo, nëse edhe ata nuk i dëshirojnë këto mandate, atëherë ulëset e tyre nuk do të mbesin vakante në Kuvend, por do të shpërndahen te subjektet tjera, të cilat kanë garuar në zgjedhje, e qëjanë deklaruar se do të përfaqësojnë interesat e komunitetit serb në Kosovë”, sqaron Krasniqi.

Por, mungesa e Listës Serbe në institucione, përveç boshllëkut që lë në përfaqësimin e komunitetit serb, ka edhe pasoja tjera për funksionimin dhe vendimmarrjen nga institucionet qendrore.

Ndryshimet kushtetuese në Kosovë mund të bëhen vetëm nëse mbështeten nga dy të tretat e deputetëve të Kuvendit dhe nga dy të tretat e deputetëve pakicë.

Nga dhjetë deputetët serbë, nëntë prej tyre janë nga Lista Serbe, kurse dhjetë deputetë u takojnë komuniteteve tjera.

Ndryshe, përfaqësuesit e Listës Serbe, në vitin 2015 në institucionet qendrore dhe lokale, po ashtu kishinngrirë aktivitetin e tyre, pas shkarkimit që i ishte bërë në atë kohë ministrit Aleksandër Jabllanoviq.(REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG