Ndërlidhjet

Tahiri zotohet se s’ka Asociacion pa kod telefonik dhe shuarje paralelizmash 


Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të themelohet para se Serbia t’i shuajë strukturat paralele në veri dhe të pajtohet për zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik të Kosovës.

Kështu ka deklaruar ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.

Sipas saj, Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Tahiri i ka siguruar deputetët e pranishëm se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca në menaxhimin e pasurive dhe resurseve natyrore të Kosovës.

Procedurat dhe vet procesi i themelimit të Asociacionit, ishte tema që më së shumti ka zgjuar interesimin e anëtarëve të Komisionit Parlamentar.

"Asociacioni mund të bëhet pronar i pasurisë së luajtshme apo të paluajtshme në kushtet dhe rregullat e njëjta sikur që ka edhe Asociacioni ekzistues i Kosovës. Por, në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet pronare e pasurisë publike të Kosovës, qoftë të pronësisë të nivelit qendror apo lokal", tha Tahiri.

Kryesuesja e palës kosovare në dialogun me Serbinë që po zhvillohet ndër vite në Bruksel, u është përgjigjur pyetjeve të deputeteve të cilët kanë kërkuar të dinë nëse në këtë dialogu është biseduar për vijën ndarëse administrative në mes të dy komunave, asaj të Mitrovicës jugore dhe veriore.

"Asnjëherë në Bruksel nuk është biseduar tema e vijës administrative mes dy komunave të Mitrovicës", tha Tahiri duke shtuar se kjo çështje zhvillohet në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ministrja Tahiri, ka përsëritur qëndrimin se pa shuarjes së strukturave paralele serbe në veri nuk do të ketë themelim të asociacionit.

Ajo theksoi po ashtu se puna rreth grupit punues për formimin e ekipit menaxhues për Asociacionin nuk ka nisur ende.

Nga ana tjetër, anëtarët e Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kanë kërkuar nga ministrja Tahiri që bisedimet të cilat zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jenë më transparente.

Zafir Berisha, nga partia Nisma për Kosovën tha se Kosova nuk ka vendosur kushte për Serbinë gjatë procesit të bisedimeve.

"Ne si deputetë, por edhe qytetarët nuk janë të njoftuar me [bisedimet]. Duhet me qenë më transparent rreth asaj që po ndodhë në Bruksel", tha Berisha.

Edhe deputeti Sadri Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar më shumë transparencë në procesin e bisedimeve. Në veçanti, ai ka kërkuar më shumë detaje në lidhje me themelimin e asociacionit.

"Kam një lutje ministre, që ta informoni opinionin dhe neve në çdo fazë të statutit që do të hartohet [për Asociacionin] dhe jo vetëm kur përfundon ai", tha Ferati.

Ndërkohë, ministrja Edita Tahiri i ka njoftuar anëtarët e Komisionit se deri më tani në kuadër të dialogut të Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë, janë arritur 33 marrëveshje.

Të gjithat, sipas saj, janë në përputhje me ligjet e Kosovës. Ajo tha se për të gjitha marrëveshjet, pala nga Kosova është në kontakte me Shtetet e Bashkuara.

"SHBA-ja nuk ka lejuar as kurrë nuk do të lejoj çfarëdo marrëveshje ndërkombëtare që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Hapur po ua them, për çdo marrëveshje që e arrijmë në Bruksel, jemi në konsulta të përditshme me Qeverinë Amerikane", tha Tahiri.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i këtij dialogu, sipas lehtësuesit, është normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve.

Sipas analistëve, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të vazhdojë deri në përmbylljen e procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, sipas përfaqësuesve qeveritar, ky proces nuk mund të zgjasë deri në atë fazë, por duhet të dinamizohet dhe përmbyllet më shpejt.

Ndër parimet tjera që i kërkon Prishtina, sipas Edita Tahirit, janë shuarja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, reparacionet e luftës dhe dëmshpërblimi që Serbia duhet t’i paguajë Kosovës, pastaj njohja reciproke e deri te diskutimet për sukcesion në mënyrë që Kosova të marrë hisen e vet si një prej ish-njësive federale të ish-Jugosllavisë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG