Ndërlidhjet

Thaçi kërkon zbardhjen e krimeve gjatë dhe pas luftës 


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka drejtuar katër letra Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përmes së cilave ai kërkon angazhimin e tyre për zbardhjen e krimeve gjatë kohës së luftës dhe atyre të pasluftës.

Në një adresim para medieve, Thaçi tha se arsyeja e dërgimit të letrave në adresë së institucioneve të drejtësisë ka si qëllim inkurajimin e tyre që t’i adresojnë për zgjidhje shumë raste të cilat i shqetësojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Krimet e kryera gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë si dhe shkatërrimet e pasurisë, veçanërisht ato të trashëgimisë historike dhe kulturore, ende presin për të marrë përgjigje të merituar nga drejtësia”.

“Në letrën e parë; theksova nevojën për tu marrë më krimet e luftës të kryera në Kosovë. Masakra kundër familjes Jashari në Prekaz apo kudo tjetër në Kosovë, duhet të marrin trajtimin e duhur nga drejtësia”, është shprehur Thaçi.

Në letrën e dytë, Thaçi kërkon që vëmendja t’i kushtohet krimeve serioze të kryera menjëherë pas luftës apo në vitet më vonë. Ai ka përmendur vrasjen e vëllezërve Bytyçi, në qershor të vitit 1999, pastaj përpjekjen për atentat kundër ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në mars të vitit 2005, si dhe vrasja e një numri të personaliteteve publike të asaj kohe dhe rasteve të ngjashme.

“Në letrën e tretë, kërkova që një vëmendje e veçantë t'i kushtohet një prej krimeve më monstruoze, përdhunimin e personave, veçanërisht të grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë 1998- 1999”, tha Thaçi.

“Kemi mbledhur mjaft informata për të kuptuar peshën e rëndë të këtij akti kriminal. Për të gjitha këto krime, qytetarët e Republikës Kosovës, familjet e tyre, por edhe tërë shoqëria kosovare kanë nevojë për drejtësi”, është shprehur presidenti i Kosovës.

Kurse me letrën e fundit, Thaçi, tha se ka inkurajuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës që vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe zbardhjes së vërtetës për shkatërrimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore, religjioze dhe historike.

“Janë disa kategori të dallueshme që besoj se meritojnë kujdes të veçantë. Shkatërrimi masiv i objekteve të kultit islam dhe katolik, të kryera qëllimisht nga shteti i Serbisë si përpjekje e shfarosjes fizike të popullit të Kosovës, gjatë luftës 1998 -1999”, tha ai.

Sipas studimeve dhe evidencave të shumta mbi 200 objekte apo rreth 40 për qind e objekteve të fesë islame dhe 5 kisha katolike janë shkatërruar apo dëmtuar në mënyrë sistematike nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe të urdhëruar direkt nga shteti i Serbisë.

Në fund, presidenti Thaçi tha se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit do ta ketë mbështetjen e të gjithëve për këtë mision.

Zbardhja e së vërtetës për këto raste, sipas presidentit Thaçi, do të rezultonte edhe në fuqizimin e besimit të gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në sistemin e drejtësisë në Kosovë. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG