Ndërlidhjet

Forcat irakiane dhe kurde përparojnë drejt Mosulit

  • RFE /RL

Forcat irakiane dhe ato kurde, të mbështetura nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kanë sulmuar pozicionet e gripit militant Shtetit Islamik, rreth qytetit të Mosulit, në kuadër të operacionit për rimarrjen e kontrollit të këtij qyteti.

Pas një dite luftimi, forcat kurde kanë thënë se kanë marrë nën kontroll rreth 200 kilometra katrorë dhe kanë larguar luftëtarët e IS-it.

“Më shumë se 200 kilometra katror territor janë çliruar. Kjo është faza e parë e operacionit në Mosul. Ka filluar nga lindja dhe nga juglindja e Mosulit dhe është një operacion i përbashkët i luftëtarëve kurd Peshmerga dhe ushtrisë irakiane”, ka thënë presidenti i rajonit autonom kurd të Irakut, Masud Barzani.

Më herët, kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi, duke njoftuar për fillimin e këtij operacioni, ka thënë se ka ardhur koha për çlirimin e qytetit të dytë më të madh të Irakut.

“Orët e fitores kanë arritur dhe operacioni për çlirimin e Mosulit ka filluar”, ka thënë Abadi.

Beteja për rimarrjen e Mosulit, qytet që ra nën kontrollin e IS-it më 2014, është operacioni më i madh ushtarak në Irak, që prej se trupat ameriakane u larguan më 2011.

Zyrtarët irakianë dhe amerikanë shpresojnë se me marrjen e këtij qyteti, do të largojnë luftëtarët ekstremist, të cilët që dy vjet kanë marrë nën kontroll pjesë të mëdha në Siri dhe Irak.

Forcat qeveritare kanë lëvizur në drejtim të bazës Qayyarah të qytetit, që gjendet rreth 60 kilometra në jug të Mosulit, ndërkaq forcat kurde Pershmenga kanë avancuar në lindje.

Avancimi në ditën e parë shihet simbolik, teksa forcat aleate kanë hyrë nëpër fshatra të cilat kryesisht kanë qenë të pabanuara.

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, Peter Cook ka thënë se forcat irakiane duket se kanë përparuar më shumë se sa që ishte paraparë.

“Indikacionet e para thonë se forcat irakiane kanë plotësuar objektivat e tyre dhe kanë përparuar më tepër se sa është planifikuar në ditën e parë”, u ka thënë Cook gazetarëve.

“Më shumë se simbol, Mosuli gjithashtu është qyteti i më shumë se një milion banorëve. Për më shumë se dy vjet, IS-i ka brutalizuar qytetarët, duke kryer masakra të tmerrshme. Kjo është luftë për të çliruar qindra mijëra irakianë të pafajshëm nga regjimi i IS-it”, ka thënë Cook.

Gjenerali irakian, Haidar Fadhil i ka thënë Asssociated Press se më shumë se 25 mijë trupa janë duke marrë pjesë në këtë ofenzivë.

Me nisjen e operacionit për çlirimin e Mosulit, është rritur edhe shqetësimi për një krizë të re humanitare.

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështje Humanitare, Stephen O’Brien ka thënë përmes një deklarate për media, se një milion banorët që jetojnë në Mosul, mund të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të operacionit.

Ai ka paralajmëruar se shumë qytetarë të tjerë mund të bllokohen nëpër linjat e luftës. (REL)

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG