Ndërlidhjet

logo-print

Veseli: Trepça asnjëherë nuk do të jetë pjesë e pazareve me Beogradin


Trepça nuk do të jetë asnjëherë pjesë e pazareve në tavolinën e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe i Partisë Demokratike, Kadri Veseli.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Veseli ka thënë po ashtu se Kuvendi i Kosovës shumë shpejt do t’i drejtojë një deklaratë edhe Bashkimit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave dhe Demarkacionin.

Veseli për herë të parë ka qenë mjaft kritik edhe në raport me koalicionin qeverisës, nga i cili pret që të riformatohet, të shkurtojë numrin e postëve ministrore, agjencive dhe të ‘zbres nga burokracia’ në shërbim të qytetarëve të vendit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Veseli, aktualisht në koordinim me grupet parlamentare po punoni në miratimin e një deklarate e cila do të adresonte çështjen e liberalizimit të vizave dhe Demarkacionin. Çfarë efekte prodhon një deklaratë e tillë marrë parasysh qëndrimet e Bashkimit Evropian se duhet të përmbushen edhe dy kriteret e fundit para se qytetarëve të Kosovës t’u hiqen vizat?

Kadri Veseli: Kosova tashmë ka përmbushur kriteret të cilat kanë qenë të parapara për kushtin e liberalizimit të vizave. Jemi në rrugë të mirë të integrimit drejt Bashkimit Evropian. Kemi filluar hapat kontraktual përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Natyrisht janë edhe dy nga kushtet të cilat Bashkimi Evropian i ka bërë si standarde për Kosovën, njëri prej tyre do të ketë kontinuitet, përkatësisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, po të njëjtën kohë e kemi edhe çështjen e Demarkacionit.

Më duhet të them diçka, Kosova ka raporte të shkëlqyeshme me Malin e Zi. Nuk kemi asnjë problem me Malin e Zi. Kemi çështje të cilat aktualisht kanë të bëjnë me çështjen e shënjimit të kufirit, ku një pjesë e opozitës në Kosovë ka disa shqetësime që i ka ngritur.

Duke pas parasysh se na duhen dy të tretat e votave për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit, kjo është edhe çështja pse deri më tash nuk kemi mund ta përfundojmë. Unë besoj se shumë shpejt do të përmbyllet edhe çështja e Demarkacionit. Është dashtë të përmbyllet shumë më herët.

Nisma ime për nënshkrimet e grupeve parlamentare të një lloj shkrese drejtuar vendeve të Bashkimit Evropian, ka të bëj me pasqyrimin e realitetit në Kosovë. Ne kemi komunikim ndër institucional pushtet dhe opozitë në Kosovë. Ne kemi përmbushur në tërësi kriteret që na janë vënë.

Por, sido që të jetë, ne jemi të gatshëm të përmbushim çdo kriter që do të na vihet, por nuk është korrekte që qytetarët tanë qe gjashtë vite janë të vetmit qytetarë në Ballkanin Perëndimor të cilët janë të izoluar. Kjo nuk është korrekte. Duhet t’u krijohet mundësia, perspektiva njerëzve që të lëvizin lirshëm. Gjithsesi që parimi bazë i Bashkimit Evropian është liria e njeriut dhe komunikimi i lirë.

Radio Evropa e Lirë: Por, cilat do të jenë efektet. Në BE janë mjaftë, kushtimisht thënë rigoroz, kriteret pastaj liberalizimin?

Kadri Veseli: Po, pasqyron një situatë reale që kemi në Kosovë. Një komunikim mes pushtetit dhe opozitës dhe qëndrim i përbashkët i cili ka të bëjë drejt fqinjësisë së mirë më të gjitha shtetet përreth, veçanërisht me Republikën e Malit të Zi. Njohjen e sovranitetit të Malit të Zi.

Përkrah proceset integruese të cilat Mali i Zi, veçanërisht është duke i ndërmarrë për anëtarësim në NATO. Të njëjtën kohë tregohet përkushtimi se edhe çështja e Demarkacionit do të përmbyllet. Askush në Republikën e Kosovës, as pozita dhe as opozita nuk është kundër Demarkacionit, por kemi dallime të cilat kanë të bëjnë me shënjimin e kufirit. Kjo do të ishte ajo e cila do të krijonte premisa që të mos ndëshkoheshin qytetarët e vendit tonë pa qenë nevoja, për një çështje e cila besoj se në një të ardhme të afërt do të zgjidhet.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët që çështja e Demarkacionit do të përmbyllet shumë shpejt. Mendoni në marrëveshjen aktuale apo në rishikimin e saj?

Kadri Veseli: Qëndrimi politik i Partisë Demokratike të Kosovës është shumë i qartë. Marrëveshja aktuale pasqyron realitetin e shënjimit të kufirit mes dy shteteve tona të pavarura e sovrane. Ky është një qëndrim i cili tashmë është i njohur edhe publikisht. Nëse dëshironi ta dini qëndrimin tim politik, mendoj se çështja e Demarkacionit është dashtë të përfundonte me muaj më herët në mënyrën që Kosovës të mos i bëhet asnjë pengesë, asnjë vështirësi në proceset e saj integruese dhe të njëjtën kohë të mos jetë një argument për shtetet që kanë skepticizim ndaj pavarësisë sonë, se Kosova është çështje problematike në njohjen e sovraniteteve territoriale të vendeve që i kemi përreth apo anë e kënd rruzullit tokësor.

Trepça do të rimëkëmbet

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të kalojmë edhe në një çështje tjetër. Kohë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, por i cili përfundoi në Gjykatën Kushtetuese sipas kërkesës së Listës Serbe. Sa ka rrezik që Trepça të shkojë në likuidim?

Kadri Veseli: Trepçës përmes Ligjit të aprovuar në Kuvendin e Kosovës i hapet për herë të parë një perspektivë ekonomike. Çdo tentativë për politizimin e Trepçës ka vetëm një qëllim – që ta mbajë atë të frenuar në procesin zhvillues. T’i mbajë qytetarët e Kosovës anë e kënd pa dallim etnie më të varfër, ta mbajë Kosovën me eksporte.

Përndryshe, çështja e Trepçës nuk duhet të politizohet. Është çështje që tërësisht ka të bëjë me ekonominë e vendit e cila duhet të ecë përpara. Reagimet të cilat vijnë nga Beogradi zyrtar janë tërësisht të pakuptueshme, janë të paargumentuara ekonomikisht e politikisht. Kosova e ka të determinuar fare qartë përmes Kushtetutës së vet çështjen e burimeve të veta minerale. Ato i takojnë vetëm Kosovës. Por, ne aktualisht jemi duke folur për një ish-gjigant ekonomik i cili ka nevojë për një perspektivë ekonomike në bazë të rregullave të ekonomisë së tregut.

Radio Evropa e Lirë: Sa e siguron apo garanton ky Ligj që e miratoi Kuvendi, Trepçën që në të ardhmen të rivitalizohet?

Kadri Veseli: Siguron parakushtet reale. Kini parasysh që Ligji për Trepçën vetëm e jep një mundësi për një vizion të ri të zhvillimit ekonomik. Ku do t’i jepet perspektivë transformimit teknologjik, eksploatimit të resurseve minerale, shtimit të vlerës së resurseve minerale në një proces afat shkurtë.

Kini parasysh që me Ligjin për Trepçës vetëm është hapur një dritë jeshile transformimit, por faza vendimtare e zhvillimit të Trepçës do të jetë në muajt të cilët do t’i kemi shumë shpejt, për arsye se brenda gjashtë muajve duhet të kemi një strategji të transformimit të kësaj shoqërie aksionare, ku pjesëmarrës është komuniteti, pjesëmarrës janë minatorët dhe të njëjtën kohë janë edhe institucionet e Republikës së Kosovës të cilat, për rreth 17 vite kanë investuar në Trepçë.

Radio Evropa e Lirë: Pikërisht në këtë çështje. Marrë parasysh reagimin e Beogradit dhe procesin e dialogut që po vazhdon ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sa konsideroni se reagimi në Beograd ishte tendencë për transferimin e Trepçës si një prej temave të bisedimeve në Bruksel?

Kadri Veseli: Shpesh herë në rajonin tonë ka një prirje që të politizohen edhe çështjet ekonomike. Kjo nuk është e drejtë. Ne presim një reflektim më të mirë nga Beogradi zyrtar, veçanërisht në procesin e dialogut që të respektohen marrëveshjet për të cilat jemi marrë vesh. Marrëveshja për lëvizjen e lirë, marrëveshja për targat e makinave, ajo për prefiksin telefonik e shumë të tjera, në mënyrë që të dy shtetet të mos e bllokojmë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Një Serbi dhe Kosovë si shtete të pavarura e sovrane me raporte të mira fqinjësore do t’i jep një imput më të fuqishëm ët dyja vendeve, veçanërisht në fushën e investimeve të huaja, thithjen e investimeve të huaja. Përndryshe, momentet e krizave të cilat krijohen shpesh artificialisht nga Beogradi zyrtar, nuk e kanë efektin të cilin e mendojnë as për vet Republikën e Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Përfundimisht, Trepça do të jetë apo jo pjesë e bisedimeve të Brukselit?

Kadri Veseli: Trepça është pronë e qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie. Trepça ka perspektivë ekonomike. Do të ketë një fuqizim relativisht të theksuar në muajt e ardhshëm, transformimin e vet në konkurrencën e fushës së mineraleve, përpunimin e tyre, shtimin e vlerës së tyre.

Por, Trepça nuk do të jetë asnjëherë në tavolinën e pazareve politike, diplomatike apo ndër etnike, për arsye se vetëm krijohet komplikim.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë kuadër. Kemi parë që Lista Serbe si pjesë e koalicionit qeverisës shpesh është pozicionuar në krah të politikës së Beogradit. Sa po ju sjell juve kjo probleme qoftë për marrjen e vendimeve në Kuvend apo funksionimin e qeverisë, ku PDK është pjesë e koalicionit si paria më e madhe?

Kadri Veseli: Unë nuk do të thosha se Lista Serbe është problematike. Përkundrazi roli i Listës Serbe në institucionet e Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të qershorit 2014 ka qenë shumë pozitiv. Ata kanë qenë shumë kontribut-dhënës, po flas në Kuvendin e Kosovës ku unë jam kryetar. Me qenë shumë korrekt, ishin shumë parimor në shumë çështje.

Në të njëjtën kohë ne nuk mund ta nënvlerësojmë faktin se shpeshherë ndërhyrjet të cilat kanë ndodhur nga Beogradi zyrtar nuk i kanë ndihmuar Listës Serbe dhe as qytetarëve serb në Kosovë.

Këtu kam parasysh situatën e fundit me çështjen e Trepçës, veçanërisht mos transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovë në Forca të Armatosur e çështje të cilat vitalisht kanë të bëjnë me përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve pa dalim etnie të cilët janë në Kosovë.

Por, ne jemi të prirur që të kemi një mirëkuptim, gjithmonë duke mos dëmtuar interesat shtetërore të Republikës së Kosovës.

Koalicioni ka nevojë për riformatim, shkurtime dhe më shumë punë

Radio Evropa e Lirë: Duke i pasur parasysh këto çështje që i përmendët, qoftë edhe zvarritjen për formimin e Forcave të Armatosura e tjera, thjeshtë sa po arrin ky koalicion të përmbushë prioritetet, qëllimet kryesore politike?

Kadri Veseli: Koalicioni i madh i cili ka ndodhur mes partisë më të madhe në vend PDK-së dhe partisë së dytë në vend LDK-së, në fakt për këto dy vite ka treguar një garanci, një stabilitet në rend të parë, që Kosova të mos rrëshqas në drejtimin e gabuar edhe pse në këtë rrafsh është paguar fare hapur një çmimi politik, veçanërisht partia ime, partia më e madhe në Kosovë.

Por, gjithsesi prirja jonë është që para interesave tona politike të vejmë interesat tona nacionale. Është e vërtet se shumë pritje të qytetarëve tanë të cilat kanë qenë në fushën e përmirësimit të jetës së tyre nuk kanë mundur të arrihen në një klimë e cila ka qenë tepër e tensionuar, për çështje të cilat asnjëherë nuk duhet t'i ndanin pozitën dhe opozitën në Kosovë të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e vendi me përcaktimin tone euro-atlantik e në të njëjtën kohë edhe me fqinjësinë e mirë dhe në raportin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Ky ka qenë një realitet të cikin e kemi tejkaluar e që është pozitive. Jemi në rrugë të mirë. Stabiliteti në Kosovë dhe funksionaliteti institucional është shumë në rrugë të mirë që të ec përpara edhe pse duhet ta pranojmë faktin se ka vonesa në veçanti në fushën e realizimit të kërkesave të qytetareve tanë të cilat kanë të bëjnë me aspektin socio-ekonomik.

Radio Evropa e Lirë: Do të preferonit që të ketë ndryshime, riformatim të kësaj qeverie marrë parasysh këtyre ngecjeve?

Kadri Veseli: Ka nevojë për ndryshime, ka nevojë për riformatim jo vetëm të numrave qeveritarë, të emrave qeveritarë, por edhe të funksionalitetit të politikave të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë, në fushën e atraktimit të investitorëve të huaj duke pasur parasysh se shumë investitorë potencial po kalojnë anash e nuk po ndalen në Kosovë.

Ka nevojë që në Kosovë të përmirësohet ambienti, të ulen taksat të cilat kanë të bëjnë veçanërisht me stimulimin e bizneseve që të rritet efikasiteti i tyre, prodhimi i tyre, të rritet punësimi si imput në Kosovë.

Sidoqoftë unë besoj se shumë shpejtë kjo do të ndodhë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, për arsye se këtë e presin qytetarët nga ne.

Radio Evropa e Lirë: Do ta ftoni zotin Mustafa që të uleni dhe të bisedoni si partnerë dhe të filloni këtë proces?

Kadri Veseli: Ne kemi raporte shumë pozitive në kuadër të koalicionit. Unë besoj se shumë shpejtë do të kemi risi në procesin e riformatimit për të cilat opinioni është i njoftuar. Natyrisht se ka disa muaj që e kemi paralajmëruar riformatimin dhe nuk ka ndodhur. Këtu duhet të jemi si partnerë shumë më vet-kritikë.

Partia Demokratike e Kosovës pret dhe është shumë e gatshme që në këtë proces të futemi seriozisht dhe me vizion për të mirën e qytetarëve tanë.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se kjo qeveri ka shumë ministri, marrë parasysh se ka edhe kritika që qeveria shpenzon shumë për vetveten?

Kadri Veseli: Është një nga elementet kritike që në publikun tonë kosovarë është realitet. Ka shumë. E konfirmoj. Ka shumë agjencione që janë të panevojshme. Është burokraci e tepruar kur zyrtari i shtetit mendon se ai është përgjegjës për të vendosur për çështje të cilat ai më tepër duhet të ishte shërbyes se sa të ishte pronar.

Në të njëjtën kohë duhet të pranojmë faktin se ka ngecje, veçanërisht në fushën e tërheqjes së investitorëve të huaj. Politikat ekonomike duhet shumë shpejtë të përmirësohen për bizneset vendore të cilat janë duke e kryer një punë të shkëlqyer, por nuk e kanë përkrahjen adekuate stimuluese nga institucionet e Republikës së Kosovës. Këto janë ato çështjet që jemi duke i menduar në procesin e riformatimit dhe t’i bëjmë jo vetëm me fjalë, por me ide konkrete. T’i japim mundësi këtij vendi të ec përpara. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG