Ndërlidhjet

Debati për vlerat e luftës së UÇK-së, përmbyllet me fyerje dhe akuza


Foto nga Arkiva - Kuvendi i Kosovës

Foto nga Arkiva - Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar seancë të jashtëzakonshme në mbrojtje të “vlerave të luftës së UÇK-së", dhe ka harmanizuar një rezolutë të cilën nuk ka mundur ta votojë pasi në sallë nuk kishte numër të mjaftueshëm të deputetëve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se rezoluta do të votohet të premten në vazhdimin e seancës. Në hartimin e rezolutës kanë marrë pjesë përfaqësuesit e partitive politike PDK, LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën. Kurse Lëvizja Vetëvendosje ka abstenuar në hartimin e rezolutës pasi që deklaruan se nuk janë pajtuar me mënyrën e hartimit.

Në rezolutën e harmonizuar thuhet pos tjerash se pjesëtarët e UÇK-së, ishin faktor vendimtar për sjelljen e lirisë dhe në këtë drejtim duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

“Edhe në rastin e dënimit të grupit Drenica i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve e pushtetit publik dhe sidomos gjykatat që t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe ta shqyrtojë mundësinë​ e arritjes së atij qëllimi me kufizim më të vogël”, thuhet në draft rezolutën që iu është shpërndarë deputetëve.

Seanca është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, pas konfirmimit të dënimit ndaj pjesëtarëve të gjykuar në rastin e njohur si “Drenica 1 dhe 2”, ku bëjnë pjesë kryesisht ish-udhëheqës të UÇK-së, përkatësisht figura politike të PDK-së.

Rasti i fundit, sipas PDK-së, “tregon një shpërfaqje të re të një qasjeje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi, ishte një tendencë e mohimit të vlerave sublime".

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, në fjalën e tij para deputetëve, tha se UÇK-ja ka luftuar për të ndërtuar një shoqëri të lirë ku sundon drejtësia dhe ku të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit.

"Ne po zbatojmë parimin e drejtësisë, mirëpo me kalimin e kohës po shohim se shqetësimet e qytetarëve, por edhe tonat, po bëhen më të mëdha. Nuk ka asgjë më shqetësuese në një vend sesa kur në emër të drejtësisë shkaktohet pasiguria. Nuk ka padrejtësi më të madhe sesa ajo që mund të bëhet në emër të drejtësisë. Parimi i shtetit ligjor dhe mosndërhyrjes janë parimet bazë mbi të cilat angazhohemi", tha Veseli.

Kurse, Ismet Beqiri, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë kundër gjenocidit serb. Por, Beqiri ka bërë thirrje që situatat e tilla të tejkalohen me qetësi, ngase, sipas tij, është proces i ndërtimit të shtetit ligjor.

“Jemi të vetëdijshëm se si shtet duhet të ndërtojmë institucione të pavarura. Sado që është e ndjeshme, situata të tilla duhet t'i tejkalojmë me qetësinë, largpamësinë dhe përkushtimin tonë për bërjen e shtetit ligjor. Organet duhet të jenë të pavarura e të përgjegjshme”, tha Beqiri.

Sidoqoftë, sapo filloi debati, nuk munguan polemikat e ashpra, të cilat u kthyen kryesisht në adresë të PDK-së nga ana e deputetëve të partive opozitare.

Rexhep Selimi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka fajësuar deputetët që votuan Gjykatën Speciale, të cilët, sipas tij, votuan për dënimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Për cilat vlera flasin ata deputetë votues të asaj gjykate [Gjykatës Speciale] dhe cilat vlera të luftës duan t'i mbrojnë ata deputetë të cilët edhe me veprimet e tilla i shkelin këto vlera dhe të cilët paraprakisht i dënojnë ato vlera. Pra, nuk jeni ju ata që e keni krijuar Gjykatën Speciale”.

“A nuk jeni ju deputetët e njëjtë jo të gjithë letë të më ndjejnë ata që nuk e ndjen veten aty që keni votuar edhe për amnistinë e kriminelëve serbë dhe sot vini këtu derdhni lot krokodili për luftëtarët e UÇK-se? A nuk jeni ju që keni kërkuar vazhdimin e mandatit të EULEX-it e tash po dilni e kundërshtoni vendimet e gjykatave të EULEX-it?", tha Selimi, duke shtuar se thirrja e këtij debati është një hipokrizi.

Kurse, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka deklaruar se thirrja e seancës ishte e panevojshme. Siç tha ai, seanca po e dëmton shtetin, sepse askush nuk thërret seancë pas vendimit të gjykatës. Ai ka lutur deputetët që të mos tentojnë të përdorin vuajtjet dhe padrejtësitë që i janë bërë dikujt, për të fituar poena politik.

"Mbajtja e një seance të tillë sot më se paku ose hiç nuk i ndihmon ata për të cilët është thirrur. Përveç shumë gabimeve që kemi bërë në këtë drejtim, sot po e bëjmë një gabim tjetër me vetëdije. Të gjithë këtu në sallë e dijmë që kjo seancë veç sa i dëmton e nuk i ndihmon këta njerëz për të cilët është thirrur ajo. Të gjithë e dijmë që kjo seancë është e vonuar, mbi të gjitha të gjithë e dijmë se është ndikim ose interferim në sistemin e drejtësisë", tha Limaj.

Në fjalimin e tij, deputeti Fatmir Limaj ka propozuar që Kuvendi të marr vendim që gjyqtarët dhe prokurorët që kanë punuar prej vitit 1992 deri në vitin 1999 në sistemin e Serbisë në Kosovë, të mos lejohen ta ushtrojnë këtë profesion edhe në kohën e tashme, të shtetit të pavarur të Kosovës.

Ndërsa, deputeti Zafir Berisha, po ashtu nga Nisma për Kosovën, ka kërkuar nga deputetët që me një rezolutë, Kuvendi ta shpallë presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, tradhtar i vendit.

Përderisa, deputeti Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë Kosovës ka kërkuar të dijë nga Qeveria e Kosovës nëse ndonjëherë është interesuar për gjykimet të cilat janë bërë ndaj ish- luftëtarëve të UÇK-së.

"A munden këta (përfaqësuesit e Qeverisë) të na tregojnë neve për ndonjë veprim konkret që e kanë bërë për t’i përkrahur në çfarëdo forme a natyre, të gjykuarit në procesin "Drenica", nga dita që ka filluar e deri sot? A ka diçka që mund të thoni - jo vetëm fjalë miradije - por çfarë veprime keni bërë deri sot? A e keni pyetur EULEX-in ndonjëherë? A keni kërkuar transparencë? A keni bërë diçka konkrete? Ai vendim është fakt i kryer... ne flasim këtu kot", tha Haradinaj.

Pas thirrjes së kësaj seance janë shënuar edhe disa reagime nga shoqëria civile, duke e konsideruar atë si tendencë dhe përpjekje për ndërhyrje në punën e sistemit të drejtësisë. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG