Ndërlidhjet

Formati gjithëpërfshirës në dialogun me Serbinë, ikje nga përgjegjësia


Një nga raundet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

Një nga raundet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

Ideja që në fazën e tretë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Kosova të ketë përfaqësim të formatit gjithëpërfshirës nga të gjitha partitë politike, të tipit të “Ekipit të Unitetit” - siç ka qenë edhe në bisedimet e Vjenës - në esencë paraqet pranim të mossuksesit të përfaqësuesve zyrtarë të përfshirë në dialogun me Serbinë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, dy ditë më parë, para Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, ka theksuar se “duhet të ketë konsensus mes të gjitha partive politike dhe të shkohet në këtë fazë, pasi që edhe Brukseli ka thënë se ky dialog nuk mund të zgjas aq sa ka zgjatur”.

Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se vet fakti se ka insistim që të ketë një format tjetër përfaqësimi në fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë në Bruksel, shpërfaqë mossuksesin e deritashëm në këtë proces.

“Fakti që po insiston dikush që ka qenë bartës i dialogut, faktikisht po tregon që është ballafaquar me pengesa, të cilat nuk është në gjendje për t’i tejkaluar. Sikur të kishte qenë i bindur se këto pengesa mund të tejkaloheshin, atëherë do ta vazhdonin pa u konsultuar, pa kërkuar ndihmë dhe pa e propozuar ‘grupin e unitetit’”, ka thënë Beqaj.

Ai ka shtuar se nëse eventualisht kërkohet një mundësi e re për ndryshime kualitative, atëherë nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e përfaqësimit, ndonëse edhe përfaqësimi i freskuar në mënyrë kualitative dhe të ekspertizës mund të ketë një peshë specifike.

Sipas tij, suksesi varet prej segmenteve tjera, sikurse qasja e parlamentarëve në kuptimin e mbikëqyrjes së tërë procesit.

Beqaj ka theksuar se dokumenti i prezantuar nga ministrja Tahiri është që nga viti 2014, por të cilin deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë parë deri më tash.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se procesi i dialogut në Bruksel është përshkuar me gabime të mëdha, për shkak të të cilave nuk ka pasur efekte pozitive në jetën e qytetarëve.

Ky proces, sipas tij, është parë si një akt burokratik, i cili më shumë i shkon për shtati Brukselit dhe Beogradit sesa Prishtinës.

“Tash, në momentin kur ka ardhur koha që të bëhet një bilanc i dialogut, kërkohet një strategji dalëse dhe një largim i përgjegjësisë. Kjo deklaratë e Edita Tahirit, më shumë është një tendencë për ta relativizuar fajin edhe të Qeverisë së Kosovës, e cila ka përfituar shumë pak nga këto bisedime. Në fakt, nuk ka bërë ndonjë hap madhor drejt BE-së apo drejt liberalizimit të vizave, si shpërblim për pjesëmarrjen në këto bisedime”, ka thënë Muhaxhiri.

Profesor Beqaj vlerëson se ideja për një format gjithëpërfshirës të delegacionit të Kosovës në dialogun në Bruksel del edhe si rezultat i problemeve brenda korpusit të faktorëve politik të Kosovës. Por, sipas tij, duhet parë edhe anën tjetër, Beogradin.

“Në anën tjetër, ne kemi sot një qasje absolutisht mohuese karshi këtij procesi, pikërisht për dokumentin i cili është prezantuar, që nënkupton edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pra, dialogu nuk mund të trajtohet në mënyrë objektive, nëse ne ndoshta mund t’i eliminojmë problemet e brendshme në Kosovë, pa i pasur parasysh edhe reagimet që vijnë nga Beogradi.”

“Prandaj, nëse e lidhim çështjen që ka të bëjë me ne dhe raportin e problemit me Beogradin, mendoj se jemi në një pozicion shumë më të vështirë sesa që ka qenë deri më tash procesi i dialogut”, ka thënë Beqaj.

Por, profesor Muhaxhiri thotë se çështja e ndryshimit të formatit të përfaqësimit në dialogun e Brukselit nuk varet fare nga palët në dialog, por nga lehtësuesi, që në këtë rast është Bashkimi Evropian.

“Në fakt, ndryshimin e formatit të dialogut mund ta bëjë vetëm BE-ja, sepse as Beogradi e as Prishtina nuk e kanë këtë fuqi. Prandaj, edhe deklaratat e Edita Tahirit mund të kenë peshë vetëm nëse ato janë në koordinim me Bashkimin Evropian. Nese ato janë vetëm deklarata të Edita Tahirit, atëherë ato janë vetëm për konsum të brendshëm, sepse është e pamundshme që Prishtina ta diktojë agjendën e këtyre bisedimeve”, thotë Muhaxhiri.

Njohësit e zhvillimeve politike kanë vlerësuar se më shumë se sa në ndryshimin e formatit për dialog, Qeveria e Kosovës do të duhej të fokusohej në zbatimin konkret dhe nxjerrjen e rezultateve pozitive nga marrëveshjet e deritashme. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG