Ndërlidhjet

Ngrihet aktakuzë për krime lufte ndaj Fatmir Limajt


Fatmir Limaj
Fatmir Limaj

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër deputetit, Fatmir Limaj, nën dyshimet për veprën penale “krime të luftës kundër popullatës civile”.

Fatmir Limaj, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i partisë politike Nisma për Kosovën.

Sipas Prokurorisë Speciale, aktakuza ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se “si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit”.

Sipas aktakuzës, “i pandehuri Fatmir Limaj, i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje”.

Pas publikimit të aktakuzës, ka reaguar vet deputeti Fatmir Limaj.

“Prokuroria e Kosovës sot ka dalë me një aktakuzë kundër meje për një rast të cilin unë jam hetuar së paku tri herë. Dy herë nga UNMIK-u dhe një herë nga Tribunali i Hagës. Në të tri rastet për mungesë të provave hetimet kundër meje janë mbyllur dhe kjo dëshmohet edhe nga shkresat hetimore të lëndës të cilat sot i mora nga prokuroria”, ka sqaruar Limaj.

Të vetmin arsyetim në të cilin Prokuroria e mbështet aktakuzën, ka vijuar ai, “është se vrasjet kanë ndodhur në territorin për të cilin Prokuroria pretendon se në atë kohë ka qenë territor i brigadës 121 të UÇK-së”.

Limaj, shton tutje se pavarësisht që “as vet Prokuroria nuk e din kush janë vrasësit e atyre civilëve, ajo më bën mua përgjegjës pse nuk e paskam parandaluar apo ndaluar dhe pastaj hetuar vrasjen e dy civilëve për të cilët as në aktakuzë nuk dihet se kush janë vrasësit e atyre civilëve”.

Ai shton më pas edhe pyetjen se “si mund të bëhesh përgjegjës pse nuk kam parandaluar diçka për të cilën fare nuk kam qenë në dijeni se mund të ndodhë?”.

Gjithashtu në aktakuzë thuhet se nuk është bërë asgjë për t’u hetuar rasti.

“Nga shkresat e lëndës del se në atë kohë përgjegjësinë për këto vrasje përmes një komunikate e ka marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Aty ka përfunduar kompetenca ime sepse unë në atë kohë nuk kam qenë anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, vijon Limaj.

Sipas Limajt, ky rast nuk po dëshmon më përpjeke për të ndriçuar rastin dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar.

“Këtu është duke u keqpërdorur ky rast në mënyrë që të vazhdojë përndjekja kundër meje. Kjo besoj tanimë për të gjithë është e qartë”, ka theksuar Limaj.

Fatmir Limaj është akuzuar edhe në të kaluarën për krime lufte, por në fund gjykata e ka shpallur të pafajshëm dhe kishte vendosur ta lironte në mungesë të provave bindëse.

Gjithashtu, Limaj është përballur me gjykim për krime lufte edhe në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, ku po ashtu është shpallur i pafajshëm. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG