Ndërlidhjet

logo-print

Rashiti: Partitë të gjejnë zgjidhje këtë muaj ose liberalizmi do të shtyhet 


Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, për rreth dy muaj është në përpjekje të lehtësimit të tryezave të bisedimeve ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës për gjetjen e zgjidhjeve rreth disa proceseve politike, përfshirë edhe çështjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Ka pasur shumë përafrime rreth deklaratës për çështjen e Demarkacionit. Kjo është një lloj deklarate e përafruar me dialogun politik”, thotë Rashiti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Ndoshta ky është momenti më i mirë, më i volitshëm që ka pasur ndonjëherë, për të marrë liberalizimin e vizave. Shtyrja do ta shtynte shumë gjatë liberalizimin e vizave...pesimizmi, frustrimi i qytetarëve do të rritej”, thekson Rashiti.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, ju keni bërë përpjekje që të harmonizoni një deklaratë të përbashkët të partive në pushtet dhe opozitë, si përpjekje për tejkalimin e bllokadës së krijuar rreth Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ku qëndron aktualisht procesi i harmonizimit të kësaj deklarate?

Naim Rashiti: Deklarata, apo kjo marrëveshje politike, në lidhje me demarkacionin, është vetëm një segment shumë i vogël i gjithë dialogut politik dhe subjekteve politike shqiptare.

Ky dialog ka filluar në muajin mars dhe në platformën e tij ka shumë tema të rëndësishme për vendin. Me demarkacion jemi marrë sepse ishte tema kyçe e këtij viti dhe duheshin përpjekje për të provuar dhe harmonizuar qëndrimet rreth demarkacionit, për ta bërë apo përmbyllur marrëveshjen e demarkacionit, pasi që ishte kusht edhe për liberalizimin e vizave.

Konsultat po vazhdojnë. Duhet kthyer edhe kah temat tjera që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, në dialogun me Serbinë, reformën zgjedhore, zgjedhjet, reformën e rregullores së Kuvendit dhe një numër reformash të cilat kërkojnë një konsensus më të gjerë politik.

Radio Evropa e Lirë: Sa i takon deklaratës për Demarkacionin; a ka përafrim të qëndrimeve?

Naim Rashiti: Ka pasur shumë përafrime rreth deklaratës për çështjen e Demarkacionit. Kjo është një lloj deklarate e përafruar me dialogun politik. Nuk është e ngjashme dhe nuk ka pasur ndonjë ndërlidhje më procesin në Kuvend, sepse në Kuvend, atje, punohet me proceduara të tjera dhe është punuar përmes grupeve parlamentare.

Këtu janë bërë shumë përpjekje në këtë muajin e fundit. Ka përafrim - ndoshta nuk ka përafrim në gjuhën - por të gjithë e kuptojnë se si do të duhej të shkojë procesi, çka do të duhet të ndodhë me procesin, si të përmbyllet procesi i Demarkacionit. Aq më shumë besoj që ka një vullnet për të vazhduar me konsultimet dhe mekanizmat të cilët do ta shqyrtonin marrëveshjen e Demarkacionit, apo siç po thuhet do të rishqyrtonin, sepse asnjëra në esencë nuk ka ndonjë dallim.

Por, që kjo marrëveshje, kjo deklaratë, do të krijonte hapësirë për të krijuar një mekanizëm të shqyrtimit të drejtë dhe të mirëfilltë dhe të shpjetë të çështjes së demarkacionit, ashtu që do të përmbyllej me kohë për liberalizimin e vizave.

Radio Evropa e Lirë: Edhe Kuvendi i Kosovës provoi që të miratonte një deklaratë me të cilën do t’i drejtohej Bashkimit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave dhe Demarkacionin. Sa ishte ndihmesë apo pengesë seanca e Kuvendit në raport me nismën tuaj?

Naim Rashiti: Jo, nuk e kam parë në asnjërën mënyrë dhe kjo nismë [që ne po bëjmë] nuk është nismë e imja...ajo është përpunuar që nga fillimi i shtatori bashkë me subjektet politike dhe përafrimi i parë ka ndodhur më 15 shtator. Procesi në Kuvend ishte proces tjetër, i zhvilluar përmes kryesisë dhe grupeve parlamentare.

Radio Evropa e Lirë: Ku qëndrojnë ato dallimet më të mëdha të cilat partitë politike nuk po mund t’i tejkalojnë në lidhje me deklaratën për Demarkacionin?

Naim Rashiti: Çështjet e Demarkacionit nuk janë të ndryshme me qëndrimet publike. Qeveria kërkon miratim, kurse opozita kërkon rishikim apo rishqyrtim të marrëveshjes . Por, të gjitha palët kanë shprehur vullnetin që përmes gjuhës së përbashkët, përmes një kompromisi, të shikojnë mënyrën e shqyrtimit apo rishqyrtimit të marrëveshjes, që një marrëveshje të jetë e pajtueshme për të gjithë.

Dialogu nuk ka ndryshuar qëndrimet publike dhe pozicionet e subjekteve politike.

Radio Evropa e Lirë: Cilat konsideroni se do të ishin efektet e një qëndrimi të përbashkët të spektrit politik në këtë rast?

Naim Rashiti: Unë jam i bindur se një proces inkluziv, i përbashkët - dhe këtë e kam në një farë forme si përgjigje ndaj përpjekjeve të këtij dialogu nga zyrtarët e Bashkimit Evropian - do të krijonte një imazh tjetër për proceset politike në Kosovë, për elitën politike. Mendoj se do të kthente besimin në proceset politike, do të rriste besimin tek qytetarët dhe do të kuptohej si rrugë për zgjidhjen e çështjes së Demarkacionit, e cila do të duhet të përmbyllej në një fazë apo fazën tjetër.

Marrëveshja e diskutuar në takimin e fundit ishte vetëm hap i parë. Ishte vetëm krijimi i një hapësire dhe një lloji marrje e zotimit nga liderët për të punuar në proces të konsultave në mënyrë intensive më pastaj. Nuk ishte zgjidhje, ishte hapje e rrugës për të gjetur zgjidhje.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, nëse Kosova dështon që në këtë fazë të ratifikojë Demarkacionin - me çka konsiderohet se do të mbetet sërish jashtë procesit të liberalizimit të vizave - sa besoni se zhvillime të tilla do ta çonin vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Naim Rashiti: Ka shumë pak kohë të mbetur për çështjen e Demarkacionit, apo më mirë të them çështjen e liberalizmit të vizave, për plotësimin e kushteve.

Është realisht ky muaj, muaji nëntor dhe besoj që nëse kishte pasur vullnet dhe përpjekje do të ishte gjetur zgjidhje e përbashkët, në një mënyrë apo në një tjetër. Zgjidhje ka të numërta, jo vetëm në përputhje me qëndrimet e subjekteve politike, por edhe më shumë se aq.

Do të jetë shumë e dëmshme për qytetarët e Kosovës mosmarrja e liberalizimit të vizave. Ndoshta ky është momenti më i mirë, më i volitshëm që ka pasur ndonjëherë, për të marrë liberalizimin e vizave. Shtyrja do ta shtynte shumë gjatë liberalizimin e vizave dhe pesimizmi frustrimi i qytetarëve do të rritet.

Radio Evropa e Lirë: A mund të shkohet në zgjedhje?

Naim Rashiti: Zgjedhjet kërkohen shumë qartazi dhe prej fillimit janë kërkuar nga opozita. Edhe qeveria ende mendon se duhet të vazhdojë punën e vet në këtë format që është.

Reformat zgjedhore dhe zgjedhjet do të jenë pjesë e dialogut, por mbetet që të jenë pjesë e marrëveshjes politike.

Jemi në një situatë kur si temë nuk kemi mundur ende ta adresojmë në dialog. Mbetet që subjektet politike të shpërfaqin më drejtpërdrejtë qëndrimet e tyre në dialog. Ne, në rolin tonë, jemi vetëm lehtësues të komunikimit ose tryezave për dialog mes këtyre pesë subjekteve, për tema të caktuara, që shpresojmë t’i zgjerojmë. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG