Ndërlidhjet

LVV: Ndalja e Asociacionit ndal dialogun - Qeveria: Asociacioni nuk bëhet në vakuum politik


Protestat e Lëvizjes vetëvendosje kundër marrëveshjeve me Serbinë
Protestat e Lëvizjes vetëvendosje kundër marrëveshjeve me Serbinë

Dialogu me Serbinë është ndalur dhe nuk e ka mbështetjen nga populli i Kosovës, ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Ymeri e ka kritikuar qeverisjen aktuale në vend për, siç ka thënë, përpjekje për të zgjidhur vetëm një çështje brenda dialogut, që ndërlidhet me Asociacionin e Komunave Serbe, duke vlerësuar se temat e tjera të diskutuara nuk kanë pasur, siç ka thënë, një rëndësi të veçantë.

"Sot nuk ka vazhdim të dialogut me Serbinë, ky proces faktikisht është ndalur. Ndalja e 'zajednicës' e ndal edhe dialogun, natyrisht, sepse ky dialog ishte dialog për 'zajednicë'. Temat e tjera ishin aty sa për sy e faqe, nuk kishte të bënte fare me normalizimin e marrëdhënieve, e aq më pak me njohjen e Kosovës nga Serbia apo me integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës", ka thënë Ymeri.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, u komplikua menjëherë pas marrëveshjes së arritur në gusht të vitit të kaluar, pas një varg protestash të opozitës në vend.

Gjykata Kushtetuese e vlerësoi përputhshmërinë e marrëveshjes dhe nxori vendimin, sipas të cilit ajo është në një pjesë në s’përputhje me Kushtetutën e vendit. Sipas saj, çdo hartim i statutit të Asociacionit duhet të jetë në përputhje me vendimin e saj dhe mund të bëhet vetëm pasi ta ketë vlerësuar sërish vetë kjo Gjykatë.

Bashkësia e Komunave, ndërkaq asnjëherë nuk arriti të ridiskutohet, megjithëse zyrtarët e Qeverisë patën thënë se një ekip për krijimin e saj është emëruar dhe mund të fillojë së shpejti punën.

Po, zëvendësministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dialogu me Serbinë për proceset e nisura është duke vazhduar, megjtihëse ka nënvizuar se procesi për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe aktualisht nuk mund të vazhdoj pa plotësimin e disa kushteve.

“Puna [rreth] Asociacionit, nuk mund të zhvillohet në një vakum politik. Pra, nuk është puna veç e Vetëvendosjes, apo opozitës absolutisht. Por, ju e keni parë që kemi disa telashe me Listën Serbe. Pra, kemi disa telashe të tjera, të cilat kanë ndikuar dhe nuk është vetëm opozita. Ne e kemi obligim ligjor ta themelojmë Asociacionin dhe atë do ta themelojmë, por në kushte dhe rrethana me të favorshme", është shprehur Gecaj.

Përplasjet mes pozitës dhe opozitës janë thelluar që prej arritjes së dy marrëveshjeve, njërës me Malin e Zi për demarkacionin dhe e dyta për Asociacionin. Të dyja kanë thelluar krizën në vend me Kuvendin që nuk ka arritur ende të përmbushë obligimet e tij, thonë njohës të rrethanave politike.

Kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, Visar Ymeri, të shtunën drejtoi një varg kritikash në adresë të presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, siç ka thënë “ duke e mashtruar popullin për çështje të ndryshme”.

"Pas diskreditimit dhe delegjitimimit të plotë të tyre, nuk e thonë asnjë fjalë. Premtonin se do të integrohen plotësisht serbët e Kosovës, se do të na njohë Serbia, se do të avancojmë drejt Bashkimit Evropian, se do të liberalizohen vizat - asnjëra nga këto nuk ndodhi dhe prapë pretendojnë të vazhdojnë me rrugën e njëjtë", është shprehur Ymei.

Por, zëvendësminsitri Gecaj në kundërpërgjigjen e tij ka thënë se subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, për më shumë se një vit i ka bllokuar shumë procese të rëndësishëm për vendin.

"[Visar Ymeri] vjen nga një lëvizje e cila ka ‘terrorizuar’ Kuvendin, institucionin më të lartë të Kosovës për pothuajse një vit. Ata të cilët kanë hedhur koktej molotovi mbi institucionet e Kosovës, por edhe në policët e Kosovës. Ata për një vit e kanë terrorizuar gjithë këtë popullatë, tash na flasin neve për një terrorizim të tillë. Vërtet, nuk e meritojnë asnjë koment", ka deklaruar Gecaj.

Ndërmjet akuzash dhe kundër-akuzash, analistët thonë se liderët e partive politike në vend duhet të gjejnë një mënyrë për t’i ulur tensionet dhe për të tejkaluar dallimet rreth çështjeve që, siç thonë, janë të interesit të vendit.

Shoqëria civile, ndërkaq, ka provuar që të ulë në tavolinë të dyja palët për të gjetur zgjidhje për të paktën njërin problem, atë të demarkacionit.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG