Ndërlidhjet

Arrestohen edhe dy persona nën dyshime për terrorizëm


Ilustrim
Ilustrim

Në kuadër të një operacioni të mëhershëm, të realizuar të shtunën, ku janë arrestuar 7 persona, Policia e Kosovës ka ndërmarrë edhe një operacion të ri në tri lokacione të ndryshme të Kosovës, përfshi Kaçanikun, Vitinë dhe Mitrovicën,dhe si rezultat ka arrestuar edhe dy persona të tjerë.

Policia me anë të një komunikatë ka njoftuar se (L. G. dhe A. M),janë arrestuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Kodin Penal (Kapitulli XIV), përkatësisht Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.

Policia e Kosovës kishte arrestuar, të shtunën, shtatë persona në rajone të ndryshme të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Mitrovicën dhe Ferizajin, me dyshimin se kanë kryer vepra, siç thuhet, “të terrorizmit dhe kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”.

Sipas shifrave të deritashme, të paktën 35 veta janë dënuar nga gjykatat në Kosovë dhe një numër prej mbi 120 vetash janë arrestuar me dyshimet për rekrutim, nxitje dhe pjesëmarrje në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG