Ndërlidhjet

Hungari: Parlamenti nuk arriti ta miratoj legjislacionin për migrantë


Viktor Orban duke gjestikuluar gjatë seancës së sotme të Parlamentit të Hungarisë

Viktor Orban duke gjestikuluar gjatë seancës së sotme të Parlamentit të Hungarisë

Parlamenti i Hungarisë i ka hedhur poshtë propozimet për amandamente kushtetuese, me të cilat do të ndalohej vendosja e migrantëve në këtë vend.

Gjithsej 131 ligjvënës votuan për këtë masë, ndërsa 3 e kundërshtuan atë, por meqë për miratimin e legjislacionit nevojiteshin 133 vota (dy të tretat), propozimi nuk pat sukses.

Ky votim i sotëm në parlamentin e Hungarisë është pengesa e dytë madhore për kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, që cilësoht si popullist anti-migrant dhe politikan i krahut të djathtë.

Në muajin tetor hungarezët në referendum votuan për refuzimin e kuotave të Bashkimit Evropian për migrantë, por pjesëmarrja e ulët e zhvlerësoi rezultatin.

Përpjekja e kryeministrit Orban për kalim të legjislacionit u bë si reagim ndaj kuotave të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, për të cilat ishte arritur pajtueshmëria vitin e kaluar, e sipas të cilave nëpër gjithë BE-në do të shpërndaheshin 160 mijë migrantë.

Sipas këtyre kuotave, Hungaria duhet t’i pranoj 1,294 migrantë.

XS
SM
MD
LG