Ndërlidhjet

SHBA: Nata e tretë me radhë e protestave kundër Trumpit


Pamje nga protestat kundër presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në Qytetin e Nju Jorkut

Pamje nga protestat kundër presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në Qytetin e Nju Jorkut

Në disa qytete të Shteteve të Bashkuara edhe mbrëmë, për të tretën natë me radhë, janë mbajtur protesta kundër zgjedhjes së Donald Trumpit për president të ardhshëm amerikan.

Mijëra njerëz kanë dalur në rrugët e Majamit, Filadelfisë, Atlantës, Nju Jorkut, San Franciskos dhe Oregonit, duke e shprehur zemërimin e tyre ndaj retorikës kundërthënëse të Trumpit për imigrantët, myslimanët dhe femrat.

Në Nju Jork, afro 1,200 demonstrues janë tubuar në Sheshin Uashington Park dhe afër ndërtesës Trump Tower, ku jeton zoti Trump.

Donald Trump, i cili fillimisht i ka kritikuar protesutesit duke i cilësuar si “profesionistë”, që ishin të nxitur nga “mediat”, mbrëmë vonë e ka ndryshuar qëndrimin dhe është shprehur në mënyrë pozitive për protestuesit.

“Më pëlqen fakti se grupe të vogla të protestuesve kanë pasion për vendin tonë të madh”, ka shkruar Trump në rrjetin Twitter dhe ka shtuar se “ne të gjithë do të jemi së bashku dhe do të jemi krenarë”.

Nuk ka pasur raporte për dhunë ose arrestime në protestat e fundit, për dallim nga ato të së enjtes në mbrëmje, kur demonstruesit në Portland të Oregonit kanë hedhur gjësende dhe i kanë dëmtuar veturat e reja në një pikë të shitjes. Me këtë rast policia i ka arrestuar 26 vetë.

Organiztuesit thonë se planifikojnë vazhdimin e demonstratave gjatë fundjavës.

XS
SM
MD
LG