Ndërlidhjet

Kosova me kodin shtetëror telefonik


Kodi telefonik i Kosovës
Kodi telefonik i Kosovës

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës , Edita Tahiri, kryenegociatore në bisedimet në Bruksel ka bërë të ditur se është arritur Marrëveshja për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

"Kosova tashmë do ta ketë kodin telefonik shtetëror të saj, që është 383, i cili do të alokohet nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve. ITU-ja do t'ia alokojë Kosovës kodin telefonik 383 më 15 dhjetor 2016”.

“Shteti ynë do ta ketë kodin e vet telefonik sikur edhe shtetet tjera dhe do të ketë sovranitet të plotë për kodin e vet telefonik, ndërsa të gjitha kodet tjera që janë përdorur deri më tash ( 381, 377, 386) do të largohen nga përdorimi", ka deklaruar ministrja Tahiri.

Sipas një komunikate për media lëshuar nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thuhet se Republikës së Kosovës do t’i caktohet nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) kodi shtetëror telefonik +383, i cili do të administrohet nga ARKEP-i, dhe institucionet e Kosovës do të kenë përgjegjësinë për implementimin e tij.

"Në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Serbia obligohet t'i dërgojë letër ITU-së me të cilën pajtohet që ITU t'ia alokojë kodin telefonik Kosovës, dhe ky obligim duhet të realizohet me datën 3 dhjetor 2016. Kosova obligohet që të japë një lejim të përkohshëm dhe të kufizuar për telefoni mobile për një kompani të re 'mts.d.o', kompani kjo e regjistruar sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës", thuhet në komunikatë.

Me fillimin e zbatimit të kodit të ri, ai do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës;

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë, e për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Procesi i negociatave për telekomin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka zgjatur rreth gjashtë vjet.

XS
SM
MD
LG