Ndërlidhjet

Hoxha: Astrit Dehari bëri vetëvrasje


Astrit Dehari
Astrit Dehari

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka bërë të ditur se të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje.

“Në këtë fazë të hetimeve nuk është gjetur asnjë provë apo dëshmi e mundshme se ka ndonjë ndërhyrje nga faktorët e jashtëm që rezulton me lëndimin apo dëmtimin fizik tani të të ndjerit Astrit Dehari, dhe nuk kemi asnjë person të dyshuar për vepër penale apo që mund të ketë shkaktuar vdekjen. Pra të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka bërë të ditur se janë evidentuar të gjithë lëvizjet e të paraburgosurve dhe oficerëve, ku, siç thekson ai, në asnjë rrethanë nuk është vërtetuar ndërhyje apo lëvizje në dhomën A3, ku është gjetur i vdekur Astrit Dehari.

Nga ekzaminimi i ngjarjes nga jashtë, Hoxha ka shtuar se "dhoma A3, ku ishte i ndjeri Astrit Dehari, gjendet në katin e dytë dhe tetë metra në lartësi nga toka dhe dritarja e dhomës është e siguruar me grila të forta, e të cilat nuk shihet se janë të dëmtuara”.

“Në pjesën e jashtme gjendet edhe pika e vrojtimit, në të cilën gjendet një oficer korrektues që gjendet 10 metra larg dhomës. Në të njëjtën kohë të paraburgosurit kanë qenë jashtë në shëtitje, kështu që kjo eliminon çdo mundësi të ndërhyrjes nga faktori i jashtëm nga pjesa e jashtme e dhomës”, ka thënë Hoxha.

Gjatë procesit hetimor, ka shtuar Hoxha, janë marrë në pyetje 17 persona, nga të cilët janë rimarrë në pyetje 4 prej tyre dhe janë ekzaminuar të gjitha dëshmitë e sekuestruara në vendin e ngjarjes, të cilat do t'i dorëzohen përfaqësuesit ligjor të familjes Dehari.

Ndërkohë, pas deklaratave të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka reaguar "Lëvizja “Vetëvendosje”, përmes një komunikate për media, duke e quajtur raportin e autopsisë jokredibil.

“Kryeprokurori. Sylë Hoxha doli në konferencë shtypi me konstatime ende pa u bërë e pa u kryer hetimet. Ekspertët e mjekësisë ligjore që i ka angazhuar familja, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj, kanë qenë të pranishëm gjatë obduksionit, por nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre dhe nuk u janë dhënë materialet bazë e provat, madje as fotografitë me ngjyra”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Sipas tyre, do të nevojiten disa ditë që ekspertët e mjekësisë ligjore të angazhuar nga familja Dehari ta analizojnë këtë raport të autopsisë dhe ta thonë mendimin e tyre, bazuar edhe në shënimet e tyre të vëzhgimit të obduksionit.

Prokuroria pranon raportin e autopsisë rreth vdekjes së Astrit Deharit

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka konfirmuar se Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar sot raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të ndjerin Astrit Dehari.

Menjëherë pas pranimit të këtij raporti, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha e ka ftuar përfaqësuesin e familjes Dehari, avokatin Tomë Gashi, që së bashku me prindërit e të ndjerit Astrit Dehari, gjatë ditës së sotme të shkojnë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, për ta pranuar një kopje të raportit, si dhe për tu informuar për të gjeturat gjatë procesit të autopsisë.

“Për hir të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në konsultim me familjen Dehari, ndërkohë do ta informojë opinionin publik me rezultatet e raportit të pranuar sot nga Instituti i Mjekësisë Ligjore”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Pas prezantimit të raportit të autopsisë tek familja Dehari dhe avokati i saj Tomë Gashi, ky i fundit ka dalë para medieve me një prononcim ku ka deklaruar se do të nevojitet elaborim i mëtutjeshëm.

“Raporti deklaron se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia (zënia e organeve të frymëmarrjes) nga një mjet i fortë. Ne duam ta lexojmë raportin dhe të shohim se si erdhi deri te vdekja”, ka thënë avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.

“Ne jemi të interesuar ta lexojmë dhe të studiojmë këtë raport të autopsisë dhe pastaj do të dalim me një komunikatë se si unë - si avokat i familjes Dehari - e kuptoj këtë dhe cilat janë shkaqet e vdekjes sipas mjekësisë ligjore", ka thënë Gashi.

“Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren nuk ka lejuar që ekspertët e pavarur - që janë të ftuar nga Shqipëria dhe Anglia - të kenë në dispozicion materialin me të cilin edhe ata do të vinin në përfundim dhe të jepnin një raport të autopsisë”, ka deklaruar ai.

Astrit Dehari ka vdekur në rrethana ende të pasqaruara në burgun e Prizrenit më 5 nëntor.

Aktualisht mjekësia ligjore nuk ka publikuar rezultatet finale të ekspertizës, ku kanë marrin pjesë edhe ekspertë të angazhuar nga familja Dehari. Kjo e fundit, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje ka akuzuar autoritetet shtetërore për vdekjen e tij.

Ndërkohë, prokurori i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë tashmë se rezultatet e para flasin se Astrit Dehari vdiq nga asfiksia – zënia e organeve të frymëmarrjes. Por, tani u mbetet organeve kompetente ta thonë se në çfarë rrethanash dhe si erdhi deri te asfiksia e Deharit, që çoi në vdekjen e tij. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG