Ndërlidhjet

Me përzgjedhjet e reja në kabinet, Trump sinjalizon ndryshime të thella në politikën e jashtme


Kongresisti republikan, Mike Pompeo (majtas), gjenerallejtënant Michael Flynn (mes), dhe senatori Jeff Sessions (djathtas).
Kongresisti republikan, Mike Pompeo (majtas), gjenerallejtënant Michael Flynn (mes), dhe senatori Jeff Sessions (djathtas).

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur përmes një deklarate se ka bërë përzgjedhjen për tri postet kryesore në administratën e tij: për drejtor të CIA-s ka bërë publik emrin e kongresistit republikan, Mike Pompeo, gjenerali në pension Michael Flynn për postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare dhe senatorin Jeff Sessions për prokuror të përgjithshëm të vendit.

Përzgjedhja e tij për dy postet më me ndikim të Qeverisë së SHBA-së në politikën e jashtme vetëm sa e ka forcuar përfundimin se politika e jashtme e Trumpit do të jetë përfundimisht e ndryshme prej asaj të Obamës.

Trump, më 18 nëntor, ka bërë me dije se këshilltari i tij për sigurinë kombëtare do të jetë ish-shefi i inteligjencës ushtarake Michael Flynn dhe kandidati për drejtuesin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) do të jetë kongresisti republikan Mike Pompeo.

Jam i kënaqur që gjenerallejtënant Michael Flynn do të jetë me mua në punën tonë për ta mundur terrorizmin islamik, në nisjen e ndryshimeve gjeopolitike dhe për sigurinë e amerikanëve Brenda dhe jashtë vendit”, tha Trump në një kumtesë të publikuar nga ekipi i tij transitor.

Flynn është një gjeneral në pension që ka drejtuar Agjencinë e Inteligjencës në vitin 2012 deri më 2014, por u largua nga Obama, kryesisht siç u tha për shkak të stilit të tij menaxhues. Një kritik i zëshëm i strategjisë kombëtare të Obamës për sigurinë, Flynn iu bashkua fushatës së Trump që në ditët e para dhe besohet të ketë pasur ndikim të madh për mendimin e tij, posaçërisht, rreth terrorizmit islamik.

Njerëzit duhet ta kuptojnë se Islami Radikal para së gjithash nuk ka të bëjë me fenë – është krejtësisht politike”, shkruan Flynn në librin e tij të publikuar këtë verë.

Por, për lidhjet e Flynnit me Rusinë, disa ekspertë të politikës së jashtme janë më të shqetësuar.

Vitin e kaluar, Flynn udhëtoi në Moskë në një kremtim vjetor të RT, një kanal televiziv i financuar nga Qeveria, që nga kritikët cilësohet një altoparlant propagandues. Flynn që u ul në krah të presidentit rus, Vladimir Putin, në tavolinën e darkës, më vonë tha se ishte i paguar për të marrë pjesë në këtë ngjarje dhe hodhi poshtë sugjerimet se ai po ndihmonte përpjekjet propaganduese ruse

Flynn, ashtu si edhe Trump, ka folur për nevojën e një bashkëpunimi të ngushtë me Rusinë në luftimin e terrorizmit në Rusi dhe gjithandej, një gjë të cilën e ritheksoi në Moskë gjatë një interviste të zhvilluar në transmetuesin RT.

“Madhësia, shkalla e këtij kërcënimi (nga terrorizmi islamik)… është rritur shumë dhe ne duhet ta përballim së bashku, dhe kjo pjesërisht është arsyeja pse jam këtu”, tha Flynn në vizitën e tij në Moskë.

Pikëpamja e Flynn se lufta kundër terrorizmit duhet të jetë përparësia numër një, më parë se sa agresioni i Rusisë në Ukrainë ose aksionet e Kinës në Detin Jugor kinez - është diçka në kundërshtim me mendimin e shumicës së zyrtarëve ushtarakë. Këtu përfshihet edhe kreu i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Joseph Dunford, i cili i tha një komitetit të Senatit gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e tij, në korrik 2015 ”Vlerësimi im sot … është se Rusia paraqet kërcënimin më të madh për sigurinë tonë kombëtare”.

Pozita e këshilltarit të sigurisë kombëtare, për dallim nga të tjerat, ka ndikim të madh në vendimet ditore politike të presidentit, gjatë punës në zyrat ekzekutive në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë

Shefi i CIA-s godet marrëveshjen me Iranin

Por, për dallim prej detyrës së këshilltarit për sigurinë kombëtare, drejtori I CIA-s duhet të marrë miratimin e Senatit – megjithëse me republikanët që kontrollojnë dhomën, ka pak gjasa që konfirmimi i Pompeos të bllokohet.

Pompeo ndan besimin e Flynnit se terrorizmi nga ekstremistët islamikë paraqet kërcënimin më të madh, nëse jo ekzistencial, për SHBA-në.

Një kongresist republikan në tri mandate, Pompeo, është një oficer ushtarak i SHBA-së në pension, dhe ka kryer studimet juridike në Harvard. Në Kongres, ka shërbyer në komitetin e Dhomës së Republikanëve që ka hetuar më 2012 sulmet në ambasadën e SHBA-së në Benghazi, kur u vranë katër amerikanë. Sulmi ka nxitur rivlerësimin e procedurave dhe kërkim falje të atëbotë sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, të cilën republikanët e kritikuan për incidentin.

“Ai i ka shërbyer vendit tonë me nder dhe ka kaluar një jetë në luftën për sigurinë e qytetarëve tanë”, tha Trump në njoftimin e tij.

Pompeo, gjithashtu, ka qenë zë kritik ndaj nënshkrimit të një marrëveshjeje të administratës Obama: marrëveshja shumëkombëshe që kufizoi programin bërthamor të Iranit në shkëmbim të heqjes së sanksioneve që goditën ekonominë e Iranit.

“Presidenti Obama u përpoq që sot ta theksonte se marrëveshja për programin e rrezikshëm bërthamor të Iranit do të jetë historike. Kjo marrëveshje me Ayatollah Khamenei është përfundimisht historike – është një dështim historik”, tha Pompeo në gusht të vitit 2015, kur Obama paraqiti argumentet përfundimtare përpara qytetarëve amerikanë.

Por, ndërkohë, për shumicën e ekspertëve të politikës së jashtme, pyetja më e rëndësishme është kush do të jetë përzgjedhja e Trumpit për diplomatin kryesor të SHBA-së: sekretarin e shtetit.

Zyrtarët e ekipit transitor kanë lëshuar disa emra në shtyp në ditët e fundit, përfshirë edhe emrin e ish-kryebashkiakut në New York, Rudy Giuliani, përfaqësuesit të SHBA-së, Dana Rohrabacher, kryesuesin e marrëdhënieve të jashtme të Senatit, Bob Corker, dhe John Bolton ish-ambasador i SHBA-së në OKB.

Gjithashtu, thuhet se po diskutohet edhe emri i Mitt Romneyt, ish-guvernator i Massachusetts dhe humbi në garën e vitit 2012 nga Barack Obama.

Që të gjithë kanë mendime të politikës së jashtme që dallojnë – në disa raste edhe skajshmërisht – nga qasja e administratës aktuale.

Përgatiti: Arbër Vllahiu

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG