Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina fillon njohjen e diplomave të Universitetit të Mitrovicës veriore 


Prishtina zyrtare ka filluar njohjen e diplomave universitare të lëshuara nga Universiteti në veri të Mitrovicës, i cili funksionon mbi bazën e sistemit të Serbisë.

Pas verifikimit të diplomave që lëshohen nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut (UMV), që zgjati rreth një vit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë shpërndarjen e diplomave të certifikuara për të diplomuarit serbë.

Një komision i pavarur deri më tani ka verifikuar 107 diploma, derisa 28 të tjera janë në procesin e verifikimit.

Projekti, “Mbështetje të edukimit në gjuhën serbe në Kosovë”, financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada norvegjeze.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka thënë se Qeveria do të ofrojë mbështetje të plotë në projekte të kësaj natyre.

“Ka ardhur koha që ta lëmë pas të kaluarën tonë të hidhur dhe të ketë qasje të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Fokusi tjetër i yni parasheh edhe bashkëpunimin me shkolla”, ka thënë Bajrami. Sipas tij, duhet të punohet për largimin e gjuhës së urrejtjes nga tekstet shkollore.

Bajrami ka thënë po ashtu se do të vazhdojë puna edhe në nivele tjera arsimore rreth ngritjes së cilësisë në arsim dhe rishikim të teksteve shkollore.

Çështja e njohjes së diplomave universitare është diskutuar në Bruksel në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kjo marrëveshje parasheh që edhe autoritetet e Serbisë t’i njohin diplomat e studentëve nga Lugina e Preshevës, të cilët kanë studiuar në Kosovë.

XS
SM
MD
LG