Ndërlidhjet

Trump pretendon se votimi ilegal ia humbi atij votën popullore


Hillary Clinton dhe Donald Trump
Hillary Clinton dhe Donald Trump

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, tha se e ka fituar votën popullore në zgjedhjet e 8 nëntorit, “nëse ju nuk i llogaritni miliona njerëz që kanë votuar ilegalisht”.

Këtë pretendim zoti Trump, i cili i ka fituar votat e nevojshme në Kolegjin Elektoral për sigurimin e presidencës, e ka bërë mbrëmë në rrjetin Twitter.

Mëtutje, ai ka shfaqur dyshime për “mashtrim serioz votues” në shtetet Virxhinia, Nju Hempshër dhe Kaliforni, ku ka fituar kandidatja demokrate, Hillary Clinton.

Donald Trump nuk ka ofruar dëshmi për t’i mbështetur këto dyshime.

Këto komente u bënë pasi fushata e zonjës Clinton tha se do të marrë pjesë në rinumërimin e votave në shtetin Viskonsin, që është inicuar nga kandidatja e Partisë së Gjelbër në zgjedhjet presidenciale, Jill Stein.

Hillary Clinton i ka fituar afro dy milionë vota më tepër se Trumpi në votën popullore.

Por, në Kolegjin Elektoral, që vendos se kush do të jetë president, Trump ka fituar 290 vota, ndërsa Clinton 232, duke mos llogaritur votat elektorale në shtetin Miçigen.

XS
SM
MD
LG