Ndërlidhjet

Kryeministri i Italisë jep dorëheqje pas humbjes në referendum


Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, dhe gruaja e tij, Agnese.
Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, dhe gruaja e tij, Agnese.

Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, pranoi humbjen në referendumin për reforma kushtetuese, të thirrur nga vetë ai.

“Mbaj gjithë përgjegjësinë për humbjen. Unë besoj në demokraci”, tha Renzi në një konferencë për gazetarë, në orët e para të së hënës.

“Qeveria ime merr fund sot. Do të jap dorëheqjen”, tha ai.

Exit-pollet nga transmetuesi shtetëror RAI tregojnë se 42-46% kanë votuar në mbështetje të reformave, ndërsa 54-58% kanë votuar kundër.

Referendumi është cilësuar si barometër i ndjenjave kundër establishmentit në Evropë.

Partitë populiste kanë mbështetur votën me “Jo”.

Shkurtimisht, ndryshimet e propozuara kanë përfshirë reduktimin e pushtetit të Senatit – nga 315 anëtarë sa janë aktualisht në 100 – si dhe zvogëlimin e kompetencave të autoriteteve rajonale.

Renzi ka argumentuar se reformat do të përshpejtonin procesin e rëndë ligjvënës në Itali, vendin që ka pasur 60 qeveri qysh në vitin 1948.

Sipas Renzit, këto ndryshime do t’i mundësonin atij të ecte përpara me reformat shumë të nevojshme ekonomike.

Megjithatë, kundërshtarët i kanë bindur qytetarët se propozimet do të përqendronin shumë pushtet në duart e kryeministrit.

Reagime të menjëhershme ka pasur nga udhëheqësit e ekstremeve të djathta në Evropë.

“Italianët kanë refuzuar Bashkimin Evropian dhe Renzin. Duhet të dëgjojmë këtë etje për lirinë e kombeve”, ka shkruar në Twitter Marine Le Pen, udhëheqëse e Frontit Kombëtar në Francë.

Rreth 50 milionë italianë, shumica të ngopur me vitet e stagnimit ekonomik, kanë pasur të drejtë vote në referendum.

Pjesëmarrja ka qenë shumë e lartë krahasuar me standardet e Italisë; më shumë se 57 përqind e qytetarëve kanë votuar deri në orën 19:00.

Euro ka rënë kundrejt dollarit menjëherë pas daljes së exit-polleve.

Tregjet financiare dhe politikanët evropianë druajnë se fitorja e kampit “Jo” do të shkaktojë tani jostabilitet politik dhe goditje të re për bankat në borxhe të Italisë.

Kampi “Jo” është udhëhequr nga Lëvizja populiste Pesë Yjet.

Kjo parti ka thënë se do referendum për mbajtjen ose jo të euros në Itali, vendin që është ekonomia e tretë më e madhe e BE-së.

Referendumi i së dielës në Itali është zhvilluar gati gjashtë muaj pasi Britania e Madhe ka votuar për dalje nga BE-ja.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG