Ndërlidhjet

Qytetarët skeptikë për luftimin e korrupsionit nga institucionet


Ilustrim
Ilustrim

Kosova ka krijuar shumë mekanizma dhe organe për luftimin e korrupsionit. Por, bazuar në raportet e organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore, luftimi i kësaj dukurie mbetet ende në një shkallë mjaft të ulët.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Kosovë thonë se krijimi i shumë mekanizmave për këtë çështje ka krijuar huti te qytetarët, lidhur me atë se ku duhet të drejtohen për ta raportuar dukurinë e korrupsionit.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës qëllimisht kanë krijuar shumë mekanizma, për të vënë, siç tha ai, mjegull në adresat e luftës kundër korrupsionit.

Musliu thekson se krijimi i këtyre mekanizmave të shumtë është bërë edhe për të shpërndarë përgjegjësinë për mos luftimin e korrupsionit.

"Sot qytetari e ka jashtëzakonisht të vështirë ta di se kujt t'i drejtohet, cilit institucion t'i drejtohet për ta raportuar një rast të korrupsionit, sepse këto adresa janë shpërndarë në polici, prokurori, gjykata, agjenci, Këshillin kundër Korrupsion dhe mekanizma të tjerë, të cilët janë dyfishuar me qëllim që të mos ketë as luftë kundër korrupsionit e as përgjegjës", tha Musliu.

Musliu thotë se politikbërësit kanë vepruar qëllimisht në Kosovë në ketë mënyrë dhe kanë hutuar qytetarët duke e lënë sistemin e drejtësisë të brishtë.

"Gjithashtu edhe në rastet kur adresohet denoncimi i qytetarit për korrupsion, ai rast nuk trajtohet siç duhet, saqë kemi raste të pazgjidhura të korrupsionit që janë denoncuar në vitin 2002. Kjo i destimulon të gjithë ata që të bëhen pjesë e luftës kundër korrupsionit, sepse po rezulton se vet institucionet janë ato që nuk po e luftojnë korrupsionin dhe po i rrezikojnë qytetaret të cilët denoncojë raste dhe më pas palët e tjera i ndjekin ata si denoncues ", tha Musliu.

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) u bën thirrje qytetarëve që të mos heshtin dhe ta raportojnë korrupsionin, duke u besuar institucioneve kompetente që kanë për synim luftimin e kësaj dukurie.

Blerim Kelmendi, drejtor i Departamentit për Luftimin e Korrupsionit në AKK, tha për Radion Evropa e Lirë se me qytetarët dhe zyrtarët që punojnë në institucione kanë raporte të mira dhe, siç thotë ai, brenda një viti ka numër të konsiderueshëm të raportimeve për raste të dyshuara të korrupsionit.

"Ka periudha ku agjencia pranon raportime në numër më të madh. Ka periudha kur ky nivel i raportimeve bie, por afërsisht agjencia pranon rreth 300 raportime", tha Kelmendi.

Ai tha se qytetarët tash më saktësisht e dinë se ku duhet të raportohet për ndonjë rast të korrupsionit.

"Qytetaret tashmë e dinë ku t'i adresojnë ato shqetësime, qoftë në agjenci këtu tek ne, qoftë në organet e tjera që merren me trajtimin e këtyre informacioneve", tha Kelmendi.

Mimoza Krasniqi, një qytetare nga Prishtina, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë tha se është dijeni se ku duhet të raportojë për korrupsion, nëse has në këtë dukuri.

Por, ajo pohon se nuk ka shumë shpresë se në një rast të raportimit çështja do të shkojë deri në fund.

"Është policia, prokuroria, Agjencia kundër Korrupsionit. Nuk është problemi për t'i identifikuar institucionet ku mund të paraqitet ankesa për korrupsion, por ideja është që të reagohet ndaj atyre rasteve. Kështu që, jam shumë skeptike sa i takon luftës kundër korrupsionit nga këto institucionet", tha Krasniqi.

Por, jo të gjithë e dinë se kujt mund t’i drejtohen për një rast korrupsioni.

Albana Emërllahu, studente në Universitetin e Prishtinës, thotë se nuk ka informacione se ku mund të paraqesë një rast eventual.

"Jo, nuk kisha ditur kur të shkoj, në polici ndoshta e për diku tjetër nuk e di ku", tha ajo.

Ngjashëm shprehet edhe Valon Ismaili nga Komuna e Gjilanit, i cili është student në Prishtinë.

"Ndoshta isha nisur në polici, sepse nuk di ndonjë zyre të veçantë për këtë pune", tha Ismaili.

Ambasadorët e pesë vendeve më të zhvilluara, të njohur si QUINT, u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, në veçanti sistemit të drejtësisë, që të fuqizojnë luftën kundër korrupsionit.

Thirrjet e ambasadorëve nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania e Italia, u bënë në kuadër të hapjes zyrtare të Javës kundër korrupsionit në Kosovë.

Përfaqësuesit organizatave joqeveritare thonë se perceptimet për nivelin e korrupsionit duhet të vejnë në lëvizje autoritetet kompetente për të ndërtuar politika që të luftohet ky fenomen, ndërsa edhe qytetarët nuk duhet t’i heshtin rastet korruptive. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG