Ndërlidhjet

Vritet ambasadori rus në Turqi


Vritet ambasadori rus në Ankara
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:45 0:00

(AP still photo/Reuters video)

Një person i armatosur, i veshur me kostum dhe kravatë, e ka qëlluar ambasadorin e Rusisë në Turqi, Andrei Karlov, derisa ky i fundit mbante fjalim në një galeri arti në Ankara.

Pak orë më vonë, Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se diplomati i tyre ka vdekur nga plagët e marra.

Zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zakharova, u ka thënë gazetarëve në Moskë se ambasadori Andrei Karlov, ka vdekur pothuajse menjëherë pas sulmit të mbrëmjes së 19 dhjetorit.

Televizioni turk, NTV, raporton se edhe tre persona të tjerë janë plagosur, ndërsa policia turke e ka goditur për vdekje sulmuesin, i cili duket se e ka kryer aktin i vetëm.

“Ne e konsiderojmë këtë si vepër terrorizmi”, ka thënë Zakharova dhe ka shtuar: “Terrorizmi nuk do të fitojë dhe ne do të luftojmë kundër terrorizmit me vendosmëri”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka biseduar në telefon me homologun rus, Vladimir Putin, në lidhje me sulmin, ka njoftuar zyra e Erdoganit.

Duke folur jashtë spitalit ku është dërguar Karlov, kryetari i Ankarasë, Melih Gokcek, ka thënë se vrasja ka qëllim të rrënojë marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë.

Karlov ishte duke mbajtur fjalim në Qendrën për Artin Modern, në hapjen e një ekspozite të fotografive turke, të realizuara në Rusi.

Pamjet filmike, të xhiruara nga pjesëmarrësit në këtë ngjarje, e tregojnë një burrë që kishte të veshur kostum dhe kravatë, ndërsa në dorë e mbante një pistoletë. Pasi ka sulmuar ambasadorin, ai ka bërtitur në arabisht, e më pas në turqisht, derisa qëndronte afër mikrofonit:

"Allahu akbar! Ne jemi ata që i kemi premtuar (Profetit) Muhamed që të bëjmë xhihad. Allahu Akbar! Kjo hakmarrje është për Alepon. Kjo hakmarrje është për Sirinë. Kjo hakmarrje është për Alepon. Kjo hakmarrje është për Sirinë”, ka thënë ait në gjuhën arabe.

Thirrja “Allahu akbar” është fjalia në arabisht që nënkupton “Zoti është i madh.”

Ai më pas ka bërtitur në turqisht.

“Ju do të përgjigjeni për gjithçka që keni bërë në territoret tona. Derisa ne nuk jemi të sigurt, as ju nuk do të jeni të sigurt. Largohuni, rrini në vendet e juaja. Unë do të largohem nga këtu vetëm si trup i vdekur”, ka thënë ai.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për sulmin.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, ka thënë se SHBA-ja e dënon sulmin.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, ka thënë se është “i tronditur” nga vrasja dhe e ka dënuar po ashtu “sulmin frikacak”.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, ka thënë se vendi i tij qëndron me Turqinë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit,

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka dënuar “fuqishëm” vrasjen.

Prej shtatorit të vitit 2015, Rusia ka nisur fushatë ajrore në Siri, duke kërkuar forcimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar al Assad, dhe shkatërrimin e grupeve rebele që mundohen ta rrëzojnë nga pushteti Assadin.

Agjencia Reuters e citon një raport të agjencisë ruse të lajmeve, Interfax, e cila thotë se bisedimet në Moskë rreth së ardhmes së Sirisë, që përfshinin Rusinë, Iranin dhe Turqinë, do të mbahen nesër, me gjithë vrasjen e ambasadorit Karlov në Ankara.

Interfax e ka cituar udhëheqësin e komisionit parlamentar rus për çështje ndërkombëtare, Leonid Slutsky. (REL)

XS
SM
MD
LG