Ndërlidhjet

Arrestime pas vrasjes së ambasadorit rus në Turqi


Policia turke ka paraburgosur gjashtë persona në lidhje me vrasjen e ambasadorit rus në Ankara, raportojnë mediat shtetërore në Turqi.

Me këto paraburgosje, hetimi po zgjerohet edhe tek të afërmit e policit i cili derisa nuk ishte në detyrë qëlloi mbi ambasadorin rus, ndërsa më pas bërtiti: “Mos e harroni Alepon!”.

Të dy shtetet, Turqia dhe Rusia, sulmin që ndodhi në Galerinë e Arteve të Ankaras e cilësojnë si përpjekje për të minuar përmirësimin e lidhjeve në mes tyre.

Presidenti turk, pas vrasjes së ambasadorit Karlov, ka thënë se është pajtuar me homologun rus, Vladimir Putin që bashkëpunimi në mes të dy shteteve kundër terrorizmit duhet të jetë më i fuqishëm pas incidentit.

"Ne do të ndërmarrim hapa së bashku ashtu siç jemi pajtuar me zotin President Putin sonte. Ne do e krijojmë një komision të koordinuar hetimi, momentalisht janë shtuar masat e sigurisë në të gjitha vendet që i takojnë Federatës ruse, duke filluar nga konsullatat dhe ambasadat. Të gjitha masat e nevojshme janë duke u ndërmarrë”, ka thënë Erdogan pas bisedës telefonike që e ka pasur me Putinin.

Ky i fundit gjithashtu mendon se vrasja e diplomatit rus në Ankara është përpjekje për të minuar marrëdhëniet e përmirësuara në mes të vendit të tij dhe Turqisë.

"Krimi i kryer duket se është provokim i disenjuar për të dëmtuar normalizimin e lidhjeve Rusi – Turqi dhe për të dëmtuar procesin e paqes në Siri që në mënyrë aktive po promovohet nga Rusia, Turqia dhe Irani dhe shtete të tjera të interesuara për zgjidhjen e konfliktit të brendshëm sirian. Për këtë do të ketë vetëm një përgjigje, një luftë më të ashpër kundër terrorit. Dhe, banditët do e ndjejnë këtë”, ka thënë Putin, dhe ka shtuar “në duhet të dimë se kush e ka udhëhequr dorën e vrasësit”.

Kjo deklaratë është bërë gjatë një takimi që Putin e ka pasur me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, takim ky që është transmetuar edhe në televizonet ruse.

Turqia e ka identifikuar vrasësin e ambasadorit si 22 vjeçarin, Mevlut Mert Altintas, i cili që 2 vjet e gjysmë ka punuar për njësinë speciale të policisë në Ankara. Ai është vrarë nga pjesëtarë të policisë turke pak minuta pasi ka shtënë në ambasadorin rus.

Sipas të dhënave të fundit, babai, nëna, motra dhe dy të afërm të tjerë të tij janë mbajtur në stacion policor në krahinën perëndimore të Ajdinit, derisa personi me të cilin e ka ndarë apartamentin në Ankara gjithashtu është paraburgosur, raporton agjencia e lajmeve, Anadolu.

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu ka thënë se emri i rrugës ku gjendet ambasada ruse do e marrë emrin e ambasadorit të vrarë, Anderi Karlov.

Galeria e arteve ku ka ndodhur vrasja gjendet përballë ambasadës amerikane. Orët e para të mëngjesit të 20 dhjetorit një person ka shtënë me armë zjarri afër ambasadës amerikane, por incidenti ka përfunduar pa viktima. Për këtë arsye, ambasada dhe konsullatat amerikane në Stamboll dhe Adana do të mbahen të mbyllura. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG