Ndërlidhjet

Tahiri: Të zbatohen masa reciprociteti ndaj fletë-arrestimeve serbe


Kosova duhet të aplikojë masa reciprociteti ndaj Serbisë në lidhje me fletë-arrestimet të cilat po i mbanë në fuqi, ka deklaruar ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.

Këto komente ajo i ka bërë gjatë një prononcimi për Radion Evropa e Lirë pas ndalimit të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Basel, nga policia franceze, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it.

Masat e reciprocitetit, sipas Tahirit, mund të zbatohen në Kosovë për personat e kërkuar nga Serbia, të cilët dyshohen për përfshirje dhe kryerje të krimeve të luftës në Kosovë.

“Ne duhet të zbatojmë masa reciprociteti. Fundja, Serbia është ajo që ka kryer gjenocid këtu dhe krimet më të rënda ndaj njerëzimit”, ka thënë Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

“Përderisa ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të cilët kanë luftuar për çlirimin e Kosovës, shteti serb sillet në këtë mënyrë, sigurisht që kjo sjellje e kërkon edhe një përgjigje adekuate nga ana e jonë”, është shprehur Tahiri.

Ministrja për Dialog, ka pranuar se fryma e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është cenuar javët e fundit.

“Serbia i ka shpeshtuar sjelljet e saj destruktive të cilat po e dëmtojnë procesin e dialogut, i cili si qëllim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ajo.

Si sjellje të tilla destruktive, Tahiri ka veçuar ndërtimin e murit në Mitrovicë, reagimet në raport me hapjen e zyrës së Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut dhe së fundit edhe mbajtjen në fuqi të fletë-arrestimeve përmes INTERPOL-it, siç ishte rasti i ndalimit të Ramush Haradinajt në Basel nga policia franceze.

“Kemi të bëjmë me një periudhë e cila vërtetë është brengosëse dhe shqetësuese si për ne ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Për një sjellje të tillë të Serbisë, i kam shkruar edhe Bashkimit Evropian, duke apostrofuar ndalimin e Ramush Haradinajt”, ka deklaruar Tahiri.

Për Bashkimin Evropian, dialogu, sipas Tahirit, është një mundësi e mirë për të shtuar presionet mbi Serbinë, ngase normalizimi i raporteve me Kosovën mbetet kusht për integrimin e saj në BE.

“Ne do të vazhdojmë me kërkesat tona që BE-ja të ketë qasje dhe intervenim të efektshëm në mënyrë që të bëhet lirimi i Ramush Haradinajt e në anën tjetër në instancat më të larta shtetërore, sigurisht që do të reflektojmë ndaj kësaj situate dhe shkeljes së frymës së dialogut për fqinjësi dhe paqe në rajon nga ana e Serbisë dhe më pas sigurisht se do të dalim edhe me qëndrime zyrtare”, ka deklaruar Tahiri.

Por, në çdo rast, për pozicionin zyrtarë të Kosovës në raport me dialogun e Brukselit, Tahiri ka thënë se vendimi duhet të merret nga instancat më të larta politike të shtetit.

“Ne kemi kërkuar qysh më 2011 futjen në agjendë të çështjes së fletë-arrestimeve të Serbisë, por për këtë temë nuk është pajtuar Beogradi, dhe siç e dini, një pikë nuk mund të futet në dialog nëse nuk ka pajtim të dyja palëve”.

Pas ndalimit të Haradinajt nga policia franceze, veprim ky që nuk ishte i pari, pasi që skena të ngjashme u kanë ndodhur si Haradinajt ashtu edhe figurave tjera të kërkuara nga Serbia përmes INTERPOL-it, në Prishtinë ishin shtuar kërkesat për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë.

Por, siç ka thënë Tahiri, një vendim të tillë, mund ta marrin vetëm instancat më të larta të shtetit të Kosovës. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG