Ndërlidhjet

Anulohen dy fluturime dhe shkaktohen 60 aksidente trafiku nga moti i lig


Reshjet e mëdha të borës në Kosovë dhe temperaturat e ulëta, kanë vështirësuar jetën e qytetarëve të vendit dhe kanë krijuar një gjendje më të rënduar në trafikun tokësor, por edhe atë ajror.

Autoritetet spitalore në Klinikën emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thonë se ndihmë mjekësore për 24 orë kanë kërkuar mbi 130 persona. Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, tha se një numër i qytetarëve ka kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të aksidenteve në trafik.

"Rreth 130 raste janë paraqitur në emergjencë, derisa prej tyre 25 për qind kanë qenë prej aksidenteve që kanë ngjarë në rrugët e Kosovës. Kemi numër të vogël për 24 orë të të lënduarve rëndë dhe nuk ka raste të vdekjes së personave si pasojë e aksidenteve në komunikacion”, ka thënë Lenjani.

Të paktën 60 aksidente në trafik rrugor janë shënuar në 24 orët e fundit, dhe Policia e Kosovës thotë se një numër i tyre ka përfunduar më lëndime.

Daut Hoxha, zyrtar për Informim në Policinë e Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se për shkelje të rregullave të trafikut janë shqiptuar një numër gjobash.

"Bazuar në statistika në 24 orë janë shënuar 60 aksidente të trafiku,15 prej tyre me lëndime trupore kurse 45 me dëme materiale. Si rezultat i aktiviteteve të autoriteteve të rendit janë shqiptuar 997 tiketa.Deri tash nuk është shënuar ndonjë bllokim i rrugëve për qarkullim rrugor", ka thënë Hoxha.

Autoritetet e rendit thonë se tash për tash rrugët në Kosovë janë të kalueshme, përveç në pikën kufitare në Merdare ku pritjet janë mbi tri orë për shkak të radhëve të gjata të bashkë-atdhetarëve që po kthehen në vendet e Bashkimit Evropian.

Gjendja me të reshurat ka vështirësuar edhe trafikun ajror.

Zëdhënësi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘’Adem Jashari’’, Unidon Krasniqi i tha Radios Evropa e Lirë se vetëm gjatë ditës së enjte janë anuluar dy fluturime për shkak të reshjeve të shumta të borës.

"Pista është pastruar pas reshjeve të dëborës. Kemi pasur telashe dhe është anuluar fluturimi nga Stambolli si dhe është anuluar nisja për në Zurich (Cyrih) të Zvicrës duke divertuar fluturimin e saj nga aeroporti i Tiranës. Fluturimet priten të realizohen, por sigurisht varen edhe nga kushtet atmosferike, por që ne mendojmë se do të realizohen fluturimet, ka thënë Krasniqi.

Të ftohtit dhe të reshurat që kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së enjte po i përballin qytetarët me probleme të ndryshme, posacërisht me ndërprerjet e energjisë elektrike, mungesën e ngrohjes si dhe trafikun e vështirësuar. (REL)

XS
SM
MD
LG