Ndërlidhjet

Obama: E kam nënçmuar ndikimin e sulmeve kibernetike


Presidenti amerikan, Barack Obama, thotë se e kishte “nënçmuar” ndikimin e keqinformacionit dhe sulmeve kibernetike në demokracitë, pasi agjencitë e inteligjencës konkluduan se presidenti i Rusisë kishte urdhëruar fushatë të hakerizmit, që synonte ndikim në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, mbrëmë në intervistën për rrjetin ABC News, zoti Obama tha se ai nuk konsideron se e kishte nënçmuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Por, mendoj se unë e nënçmova shkallën në të cilën, në këtë epokë të re informative, është i mundshëm keqinformacioni, pastaj sulmet kibernetike, e të tjera, që të kenë ndikim në shoqëritë tona të hapura, në sistemin tonë të hapur, për t’i sugjeruar diçka keq vetvetes për praktikat tona demokratike, në mënyra për të cilat mendoj se janë në përshpejtim”, tha Barack Obama.

Ai ka theksuar se “pjesë e arsyes përse kam urdhëruar që ky raport nuk ishte thjeshtë për rigjykim të asaj që ka ndodhur gjatë disa muajve të fundit, por para se gjithash, për tu bërë të sigurt se kjo është diçka që ne e kuptojmë se Putin e ka bërë për një kohë të konsideruar në Evropë, fillimisht në ish-shtetet satelite, ku ka shumë rusishtfolës, e pastaj në rritje edhe në demokracitë perëndimore”.

Këto komente u bënë pasi një raport i inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, ka konkluduar se Putini kishte “urdhëruar” fushatë të sulmeve kibernetike dhe manipulime në media me qëllim të ndikimit në zgjedhjet presidenciale amerikane më 8 nëntor të vitit të kaluar.

Raporti është publikuar më 6 janar, nga Zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe në të theksohet se përpjekja kishte për qëllim ta ndihmoj presidentin e zgjedhur, Donald Trump, kandidat republikan, duke e diskredituar rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton.

Ambasada e Rusisë në Londër është tallur me këtë raport dhe tha se “ishte përpjekje patetike për ta njollosur votën amerikane me aludim të paraqitur në të shprehurit e ri të inteligjencës”.

Të gjeturat e raportit i kanë përforcuar vlerësimet e mëhershme se hakerët e mbështetur nga qeveria ruse kishin ndërhyrë në serverët kompjuterikë të partive politike në Shtetet e Bashkuara.

Publikimi i raportit u bë pas takimit të Donald Trumpit, i cili e fillon presidencën më 20 janar, me zyrtarët e lartë të inteligjencës amerikane më 6 janar.

Pas takimit, zoti Trump e paraqiti një deklratatë ku tha se ka kërkuar nga ekipi i tij që ta zhvilloj një plan në tre muajt e parë të presidencës së tij, në mënyrë që “të luftohet agresivisht dhe të ndalen sulmet kibernetike”.

Ai, po ashtu, tha se kishte “respekt të jashtëzakonshëm” për punën e agjencive të inteligjencës.

Zoti Trump në mënyrë të vazhdueshme i ka hedhur poshtë pretendimet për përzierjen e Moskës në zgjedhje, në favor të tij, duke thënë se akuzat janë prodhuar nga kundërshtarët e tij politikë, në përpjekjet e tyre për shkatërrimin e fitores së tij zgjedhore.

Por, shefi i ardhshëm i kabintetit të zotit Trump, Reince Priebus, ka thënë për rrjetin Fox News, se presidenti i zgjedhur “nuk e ka hedhur poshtë se entitete në Rusi” kishin dorë në fushatën e sulmeve kibernetike, cak i së cilës ishte Komiteti Kombëtar Demokrat dhe bashkëpunëtori më i afërt i zonjës Clinton.

Në këtë aspekt ai theksoi:

“Ai e pranon faktin se Rusia dhe entitetet e tjera ishin angazhuar në aulme kibernetike në Shtetet e Bashkuara. Ai e pranon faktin se veçanërisht ky rast ishte kryer nga entitetet në Rusi”, tha Reince Priebus.

Kellyanne Conway, anëtare tjetër e ekipit të zotit Trump, e ka refuzuar çfarëdo pikëpamje se Rusia ka mundur të ndikoj në zgjedhje.

“Çfarëdo përpjekje, çfarëdo aspirimi për të ndikuar në zgjedhjet tona, ka dështuar”, i tha ajo rrjetit CNN.

Nga ana tjetër, senatori republikan, Lindsey Graham, ka kërkuar nga Trumpi që ta ndëshkoj Rusinë për përpjekje për ndërhyrje në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara, ashtu siç akuzojnë agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.

Por, në një postim në rrjetin Twitter, zoti Trump i ka përsëritur deklaratat e tij të mëparshme, se ai dëshiron të punoj me Moskën për zgjidhjen e problemeve globale.

“Duke pasur marrëdhënie të mira me Rusinë është gjë e mirë, e jo gjë e keqe”, ka shkruar Trump dhe ka shtuar se “vetëm budallenjtë do të mendonin se kjo është gjë e keqe”.

Në intervistën për rrjetin ABC News, presidenti në largim, Barack Obama, po ashtu, tha se kishte biseduar me pasardhësin e tij se duhet të kihet besim në komunitetin e inteligjencës amerikane.

Mëtutje, Obama ka theksuar se e kishte këshilluar zotin Trump që të mos përpiqet ta udhëheq Shtëpinë e Bardhë “në mënyrën në të cilën ju do ta menaxhonit biznesin familjar”.

Obama tha se Trump duhet t’i “respektoj” institucionet e Shteteve të Bashkuara dhe ka tërhequr vërejtjen se ka dallim ndërmjet qeverisjes dhe fushatës. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG