Ndërlidhjet

Tahiri i drejtohet me letër BE-së pas sulmit me bombë ndaj zyrës në veri


Edita Tahiri

Edita Tahiri

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, u ka drejtuar një letër autoriteteve të Bashkimit Evropian pas sulmit me bombë ndaj objektit të zyrave të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën veriore. Kjo Zyre ishte inauguruara më 28 dhjetor, 2016 nga ana e ministres Tahiri, në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit të arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ministrja Tahiri iu ka drejtuar autoriteteve të Bashkimit Evropian me një letër për të kërkuar nga BE-ja që të ndërhyjë për ndaljen e “destruksioneve të Serbisë ndaj Kosovës”.

“Të martën, pati një tjetër sulm me bombë kundër ndërtesës së Qeverisë në Mitrovicën veriore, ku ish-anëtarët e “mbrojtjes civile” janë të punësuar si shërbyes civil, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për shpërbërjen e “mbrojtjes civile” të datës 26 mars 2015 të nënshkruar nga të gjitha palët”, thuhet në letrën e Tahirit.

“Unë rregullisht ju kam informuar juve, BE-në, për një seri zhvillimesh negative në javët e fundit, të cilat kanë për qëllim provokimin e ndonjë destabilizimi të situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon”, ka nënvizuar ajo.

Tutje, Tahiri ka theksuar se “Serbia është duke u tërhequr nga dialogu dhe po i kthehet mendësisë së vjetër, ngase po shkon kundër marrëveshjeve që vet i ka nënshkruar, madje me bomba, mure, arrestime arbitrare kundër qytetarëve të Kosovës”.

Andaj, ajo ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të shikojë këtë gjendje me seriozitet dhe të ndërhyjë tek pala serbe që të qëndroj në linjë me frymën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në të kundërtën, ajo ka paralajmëruar se pasojat do të jenë të paparashikueshme.

Krejt në fund, ministrja Edita Tahiri ka potencuar se përgjigja e BE-së ka qenë e menjëhershme dhe në të cilën ata kanë theksuar se “BE-ja është e përqendruar seriozisht në këtë çështje dhe se zhvillimet negative duhet të ndalen”.

XS
SM
MD
LG