Ndërlidhjet

Prishtina ndal trenin serb, Vuçiqi akuzon Prishtinën se po bën “lojëra lufte”


Policia e Kosovës në pikën kufitare Jarinë, 14 janar 2017
Policia e Kosovës në pikën kufitare Jarinë, 14 janar 2017

Në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, institucionet qendrore në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar kanë marrë vendim që të mos lejojnë hyrjen e trenit të nisur nga Serbia për në Kosovë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Këto komente, ai i bëri gjatë një adresimi të veçantë për mediat dhe opinionin.

Isa Mustafa
Isa Mustafa

“Së bashku me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe në bashkëpunim me presidentin Hashim Thaçi kemi ndërmarrë të gjitha masat”, tha Mustafa duke veçuar këtu kontaktet me përfaqësuesit ndërkombëtar dhe organet gjegjëse vendore.

“Mendoj se kthimi prapa i këtij treni është vendim i duhur dhe se hyrja e tij nuk do të lejohej”, ka theksuar Mustafa.

Kosova, shtoi ai, mbështet lirinë e lëvizjes, “por nuk lejon provokime të tilla që si synim kanë kthimin në vitet e mëparshme me pasoja të paparashikueshme”.

Kryeministri Mustafa tha se “dita e sotme kaloi nën shqetësime të mëdha, për shkak të lojërave të rrezikshme të Serbisë”.

***

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë, se ka marrë vendim që ta ndalë trenin me qëllim të, siç tha, “shmangies së konfliktit”.

Aleksandar Vuçiq
Aleksandar Vuçiq

"Vendimi im ishte, dhe krenohem me të, që ta ndaloj trenin në Rashkë me qëllim të ruajtjes së lirisë së njerëzve tanë dhe të ruaj paqen e të shmang konfliktet”, tha Vuçiq.

Kryeministri Vuçiq, tha pas një takimi emergjent me shërbimet serbe të sigurimit se “Prishtina ka provuar të shkaktojë konflikt”.

Ai u bëri thirrje, siç tha, shqiptarëve të Kosovës që të “mos provojnë të sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë”

“Drejt Mitrovicës është nisur një tren udhëtarësh dhe jo një tank, por po ndodhin gjëra të pabesueshme. E kam njoftuar Mogherinin se jam i zhgënjyer me reagimin e BE-së ndaj këtyre zhvillimeve. Gjatë natës do ta njoftojmë Rusinë, nesër Kinën dhe nënpresidentin e SHBA-së dhe t’i njoftoj se “Prishtina po luan lojëra lufte”, tha Vuçiq.

Vuçiq, që foli në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë tha se Serbia do paqe:

“U bëj thirrje serbëve që të ruajnë qetësinë dhe vërejtja ime e fundit për shqiptarët dhe edhe lutja për ta në Kosovë është që të mos tentojnë t’i sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë".

* * *

Ministri Hyseni jep urdhër për ndalimin e trenit

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka dhënë urdhër për ndalimin e trenit.

“Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet, duke përfshirë edhe ato alternative që treni të ndalohet. Ka urdhër të prerë nga unë si ministër i Punëve të Brendshme që të veprojë në pajtim me ligjin. Dhe, në pajtim me ligjin do të thotë të ndalohet hyrja e atij trenit të paligjshëm në territorin e Kosovës”, ka thënë Hyseni.

Treni i nisur nga Serbia për në Kosovë, që u ndal në Rashkë
Treni i nisur nga Serbia për në Kosovë, që u ndal në Rashkë

Mediat serbe njoftojnë se treni me ngjyrat e flamurit të Serbisë, që sot u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës, ka ndaluar në qytetin e Rashkës në Serbi, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Mediat serbe citojnë zyrtarët serbë që po udhëtojnë me trenin se po presin paraqitjen publike të kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, i cili ka mbajtur një mbledhje të shërbimeve serbe të sigurisë.

Sipas njoftimeve, kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vënë nën kontroll të forcave të shtuara të Policisë së Kosovës, kanë bërë të ditur mediat serbe.

Ndërkohë, i shqetësuar me gjendjen aktuale, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka reaguar nëpërmjet rrjetit social Twitter.

"Të shqetësuar për çështjen e trenit. Bëjmë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët. Nevojitet normalizimin jo konfrontim", është postimi i ambasadorit Delawie në Twitter.

* * *

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është duke vazhduar angazhimi policor.

“Lidhur me informacionin që ka qarkulluar për mjet shpërthyes në hekurudhë, Policia e Kosovës, me të gjitha njësitet relevante policore ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore. Deri në këto momente nuk është hasur asgjë e dyshimtë, përderisa puna dhe angazhimi policor është duke vazhduar”, ka thënë Kelani.

* * *

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se me trenin, i cili është nisur nga Serbia për në Kosovë, "do të veprojmë konform ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës".

“Ju siguroj që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të zbatojnë ligjin, në funksion të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Unë jam në ministri me drejtorinë e policisë dhe jemi duke e përcjellë situatën dhe do të veprojmë konfrom ligjit dhe kushtetutës ”, ka thënë Hyseni.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Kosovës, Besim Hoti, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se treni ende nuk ka arritur në Kosovë, por që me arritjen e tij, ka shtuar Hoti, kemi kërkesë që t'i bëhet kontroll.

Hoti ka bërë të ditur se pas marrjes së informatave se është hedhur një mjet i dyshimtë në linjën hekurudhore, kanë bërë kontrollin e gjithë asaj pjese dhe nuk kanë hasur në ndonjë mjet të dyshimtë.

“Ne i kemi bërë kontroll hekurudhës pikërisht për shkak të një informate që ka qarkulluar që është vendosur mjet eksploziv për të eliminuar si rrezikshmëri, por nuk ka pasur asgjë të dyshimtë”, ka thënë Hoti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se autoritetet e Kosovës duhet t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të trenit, i cili është nisur nga Beogradi për në Mitrovicë.

Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Përmes një postimi në facebook Thaçi ka shkruar se “çfarëdo që është ilegale dhe cenon sovranitetin shtetëror të Kosovës, duhet të parandalohet.

“Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme. Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi”, ka shkruar Thaçi.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i ka kërkuar “BE-së ndërhyrjen për të ndaluar destruksionet e Serbisë në Kosovë”, përfshirë edhe “provokimin me trenin nga Beogradi”.

Tahiri ka shtuar se “çështja e trenit nuk ka qenë pjesë e dialogut në Bruksel dhe rrjedhimisht edhe është çështje e përgjegjësive të institucioneve të tjera të Kosovës”.

Nga stacioni qendror i hekurudhave në Beograd të shtunën unis për në Kosovë një tren me ngjyrat e flamurit të Serbisë.

Autoritetet serbe thanë se treni shënon hapjen e linjës hekurudhore prej Beogradit drejt Kosovës, për herë të parë që prej përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s mbi objektivat serbe.

Por, zyrtarët në Kosovë thanë se treni është provokim.

“Unë kam kërkuar ndërhyrjen e BE-së për të ndalur Serbinë dhe destruksionet e saj ndaj Kosovës, përfshirë provokimin nga ky tren me simbolika ultra-nacionaliste, në emër të ruajtjes së paqes e stabilitetit dhe parimeve të dialogut për fqinjësi të mirë”, ka thënë ministrja Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Treni i nisur të shtunën drejt Kosovës thuhet se është një provë që do të zgjasë prej 20 janarit deri më 26 shkurt, pas së cilës datë, autoritetet në Beograd do të vendosin nëse do të vazhdojnë me linjën e rregullt hekurudhore.

​Në përcjelljen e këtij treni ishte edhe drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, por ai pastaj ka zbritur, ndërsa udhëtimin me këtë tren e ka vazhduar zëvendësi i tij, Dushan Kozarev, dhe drejtori i hekurudhave të Serbisë, Mirosllav Stojçiq, raporton agjencia Beta.

Pamja e trenit nga brenda, para nisjes...
Pamja e trenit nga brenda, para nisjes...

Pjesa e jashtme e trenit është dekoruar me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrimin “Kosova është serbe”.

Autoritetet në Kosovë këtë linjë hekurudhore e kanë quajtur ilegale dhe si një provokim të radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë.

Ministrja Edita Tahiri ka thënë se kjo është një ndërhyrje agresive në sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe një dëshmi tjetër se Serbia po dëshiron ta destabilizojë Kosovën.

Ajo ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta ndal trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës.

“Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve”, ka deklaruar Tahiri duke shtuar se “Serbia po bëhet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe faktori ndërkombëtar duhet ta ndal Serbinë”.

Deputetë të opozitës në Kosovë kanë hedhur kritika të ashpra në adresë të Qeverisë së Kosovës për lejimin e qarkullimit të trenit nga Beogradi për në Mitrovicë.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në facebook, ka thënë “se nuk mund të pritet heqja e murit dhe ndalimi i trenit nga një Qeveri, siç shkruan ajo, që është e nënshtruar karshi Serbisë”.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ndërkaq ka thënë se “ardhja e këtij treni, na tregon se Qeveria e Kosovës nuk kontrollon kufirin Kosovë-Serbi dhe nuk është e zonja as ta ndalë këtë tren”.

Reagime ka pasur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Daut Haradinaj nga kjo parti, ka thënë se “Beogradi haptaz po provokon dhe po ndërhyn në Kosovë”.

Ndërsa, ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, tani kryetarë e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari - Lila ka propozuar masa reciprociteti me Serbinë.

“Treni u nis, pasi nuk kemi mënyrë/gatishmëri ta ndalim trenin, mund t'i ndalim në Doganë kamionët e Serbisë dhe mallin serb. Më shumë se 1 milion euro në ditë Serbia shet në Kosovë. Le të zgjedhin midis trenit ilegal apo 400 milionë eurove të humbura shteti serb. E shteti kosovar të tregojë që interesi i shtetit është mbi interesin personal”, ka shkruar në profilin e saj në facebook Kusari – Lila.

Institucionet e Kosovës nuk administrojnë me hekurudhat në veri të vendit.

Administrimi mbi këto hekurudha nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, nga ajo periudhë, linjat hekurudhore në veri janë nën administrimin e Serbisë dhe strukturave paralele serbe.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë - Pejë, Hani i Elezit - Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Infrastruktura hekurudhore në Kosovë, nga ekspertë të kësaj fushe shumë herë është konsideruar e nivelit jo të mirë, që sipas tyre, për një modernizim të hekurudhave investimet janë të domosdoshme.(REL)

XS
SM
MD
LG