Ndërlidhjet

Arsimi prioritet i qeverisë pas asfaltimit të rrugëve


Pavarësisht nivelit të ulët të cilësisë së arsimit në Kosovë, autoritetet e vendit nuk e kanë parë të arsyeshme që në mesin e prioriteteve të përcaktimit të politikave buxhetore ta vendosin fushën e arsimit, thonë njohës të çështjeve të arsimit dhe përfaqësues të sindikatave.

Top-prioriteti i Qeverisë së Kosovës në përcaktimin e politikave buxhetore edhe për vitin 2017 sikurse viteve të kaluara, ka mbetur ndërtimi i autostradave dhe asfaltimi i rrugëve.

Prej 2 miliardë euro të planifikuara, 700 milionë euro janë parashikuar të shkojnë në investime kapitale, që është rreth 50 për qind më shumë se që ka pasur një vit më parë.

Derisa ka ndarë jo më shumë se 45 milionë euro për Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Faton Fetahu, zyrtar në Ministrinë e Arsimit, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike ka treguar se shpenzimet publike për arsim si përqindje e shpenzimeve të përgjithshme të Qeverisë në vitin 2014 kanë qenë 17.7 për qind, derisa në vitin 2015 kanë qenë 16.9 për qind.

“Divizioni ynë disponon vetëm me treguesit e arsimit për vitet 2014 dhe 2015, sepse për vitin 2016 duhet të raportohen të gjitha shpenzimet në Ministrinë e Financave dhe këto të dhëna zakonisht përcillen te ne pas muajit mars”, ka theksuar Fetahu.

Ndërkohë Fetahu nuk i është përgjigjur pyetjes se a mund të përmbushin objektivat e tyre sa i përket cilësisë me mjetet që Qeveria ndan për arsimin në përgjithësi.

Megjithatë, ai ka dhënë hollësi të investimeve që kjo ministri i ka bërë në ndërtimin e shkollave.

Sipas këtyre të dhënave, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që nga viti 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e deri në vitin 2016, ka ndërtuar 135 objekte shkollore në vlerë prej mbi 115 milionë euro.

Megjithë investimet në ndërtimin e objekteve shkollore, ekspertët e fushës thonë se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë sa duhet në ngritjen e cilësisë së arsimit.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se buxheti i vogël që ndahet për sektorin e arsimit bie ndesh me deklaratat e qeverisë, “ku thuhet se arsimin e ka prioritet”.

“Është e vërtetë që Qeveria e Kosovës ka bërë mjaft shumë në ndërtimin e objekteve shkollore. Këto objekte nga jashtë duken të bukura, por nëse hyjmë brenda tyre ne shohim që aty mungojnë edhe elementet bazë për punë, madje ka raste që edhe shpuza dhe shkumësi që janë mjetë të vetme, edhe ato në raste të caktuara mungojnë”, thekson Jasharaj.

Ndërkohë, mosndarja e më shumë mjeteve për fushën e arsimit sipas ekspertit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Popovci tregon një ‘shkurt-pamësi’ të autoriteteve të Kosovës. Ai thotë se kjo ‘shkurt-pamësi’ përveç që sjell ngecje në sistemin e arsimit, sjell edhe ngecje në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Kjo flet për atë që është tipike në Ballkan se qeveritë mendojnë për vota dhe jo për zhvillim afatgjatë. Investimet në arsim janë investime afatgjate dhe ato nuk sjellin vota, por sjellin vota në një periudhë afatgjate”.

“Strategjia e re e arsimit të Kosovës parashtron kërkesën për 80 milionë euro që duhet të sigurohen gjatë periudhës vijuese pesë vjeçare dhe 20 milionë euro është dashur të sigurohen gjatë vitit 2017, dhe këto mjete nuk janë paraparë në buxhetin e vitit 2017 sepse qeveria llogaritet se në vitin 2018 do të jenë zgjedhjet dhe prandaj shkon në modalitetet të cilat më lehtë mund të shfrytëzohen në kohë fushate”, thekson Popovci për Radion Evropa e Lirë.

Programi për vlerësimin ndërkombëtarë të nxënësve i njohur me shkurtesën “PISA”, në vitin që lëmë pas e radhiti Kosovën në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.

Nxënësit nga Kosova në këtë test treguan rezultate jashtëzakonisht të dobëta, gjë që ngjalli reagime të shumta në vend.

Pas këtyre rezultateve institucionet e Kosovës miratuan edhe strategjinë e sigurimit të cilësisë në arsimin parauniversitar 2016 – 2020, strategji kjo e cila ka për qëllim përmirësimin e sistemit arsimor.

Megjithatë, eksperti i arsimit Dukagjin Popovci thekson se Programi për vlerësimin ndërkombëtarë të nxënësve (PISA), tregoi qartë se Kosova ka probleme me cilësinë në arsim dhe se intervenimi për të ndryshuar këtë gjendje dhe për ndarje të më shumë mjeteve për sistemin e arsimit ishte më se i nevojshëm.

“Fakti që një buxhet i tillë po mund të kalohet në qeveri pa një reagim publik tregon më të vërtetë se ne edhe në nivel të vendit nuk kemi ndonjë nivel të lartë të arsimimit. Në një vend ku niveli i arsimimit është më i lartë, presioni qytetar do të bënte që qeveria të investonte një shumë më të madhe në arsim në mënyrë që të mund të realizonte prioritetet që i ka përcaktuar vet qeveria në këtë fushë”, thotë Popovci.

Autoritetet e Kosovës janë deklaruar se me buxhetin e vitit 2017, po japin impulsin thuajse përfundimtar nisjes dhe përmbylljes së infrastrukturës rrugore dhe të krijojnë kushte që buxheti në të ardhmen të destinohet përveç fushave tjera edhe për fuqizimin e arsimit në Kosovë. (REL)

XS
SM
MD
LG