Ndërlidhjet

Kosova vazhdon të përballet me ndotje të lartë të ajrit


Cilësia jo e mirë e ajrit në Kosovë, vazhdon të kanos jo vetëm mjedisin jetësor, por edhe shëndetin dhe jetët e njerëzve.

Nga ndotjet e larta të ajrit, personat më të rrezikuar konsiderohet të jenë fëmijët, pleqtë si dhe personat me sëmundje kronike të mushkërive dhe organeve respiratore. Po ashtu, niveli i lartë i ndotjes, besohet se po ndikon edhe në shtimin e rasteve të sëmundjeve respiratore.

Bazuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë , thuhet se rreth 800 njerëz vdesin në vit para kohës , pikërisht për shkak të ajrit të ndotur.

Besohet se ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë janë kompanitë e mëdha të industrisë së rëndë, por edhe përdorimi i lëndëve djegëse dhe makinat e vjetra në qarkullim.

Kosova është radhitur nga mekanizmat ndërkombëtarë në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Përkeqësimi i cilësisë së ajrit, sidomos në Prishtinë, ka shqetësuar edhe zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mjedisit të Planifikimit Hapësinor të Qeverisë së Kosovës, por edhe dikasteret tjera, konfirmojnë zyrtarët e kësaj ministrie.

Si rrjedhojë Ministria e Mjedisit i ka propozuar Qeverisë së Kosovës një plan strategjik që të gjitha dikasteret relevante të merren me këtë problematikë, gjë që Qeveria tashmë edhe e ka aprovuar këtë plan.

Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se norma e tejkaluar e cilësisë së ajrit ka arritur në 400 mikron për metër kub, përderisa norma e lejuar është 50 mikron për metër kub.

“Ndotja e ajrit nuk vjen nga Ministria e Mjedisit , por nga korporatat industriale, transporti dhe energjia e djegiet nga ekonomitë familjare siç është thëngjilli. Andaj, Qeveria e Kosovës ka aprovuar planin në masat afatshkurta , afatmesme dhe afatgjata”.

“Ka raste që cilësia e ajrit është e lejuar 50 mikron për metër kub, dhe ka qenë 400 mikron për metër kub. Kjo ka bërë që qytetarët të shqetësohen, por kjo ndodh rreth orës 18:00, pasi atëherë është koha kur më së shumti digjen lëndët, dhe jo gjatë gjithë kohës”, ka thënë Morina.

Tutje Morina tregon për masat që do të ndërmerren, ku përfshiet zgjerimi i koogjenerimit, masat për zvogëlimin e djegies së lëndëve, por edhe ndalimi i regjistrimit të automjeteve të vjetra.

“Masat janë ndërmarrë në mobilizim të inspektoratit të komunës në bashkëpunim me atë të ministrisë. Ato veprime që janë të ndaluara si djegia e vajrave, do të ndëshkohen, por sa u përket qytetarëve ne nuk kemi të drejtë t'i ndalojmë ata të sigurojnë ngrohjen me lëndë djegëse dhe kjo po shkakton ndotje të ajrit”.

“Andaj është paraparë zgjerimi i koogjenerimit nga Termokosi. Por, edhe automjetet janë shkaktar i ndotjes, kështu që nuk do të lejohen të regjistrohen ato që janë më të vjetra se viti 2000, apo që janë prodhuar para vitit 2000”, ka thënë Morina.

Shumica e automjeteve që vijnë nga Evropa, ka vijuar ai, nuk i kanë plotësuar kushtet e djegies së gazrave në vendet e tyre dhe ato nuk do të mund të regjistrohen as në Kosovë.

Në anën tjetër zyrtarë nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, kanë deklaruar se gjendja e cilësisë së ajrit nuk është e kënaqshme, por nëse krahasohet me vitet paraprake, ka përmirësime.

Shkumbin Shala, specialist i cilësisë së ajrit në Institutin Hidrometeorologjik në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se gjatë muajit janar, kanë qenë nëntë ditë me tejkalim të vlerave të regjistruara ku është arritur në 135.5 mikrogram për metër kub.

“Në muajin dhjetor të vitit 2016 kemi regjistruar 21 ditë të tejkalimit të vlerave. Por, në muajin dhjetor të vitit 2015 kemi pasur 26 ditë me norma të tejkaluara”.

“Standardi lejon që brenda vitit të tejkalohen 35 ditë . Në vitin 2016, kemi regjistruar 53 ditë me tejkalime, por viti 2015 ka qenë me 73 ditë me tejkalime. Do të thotë ne nuk jemi në gjendje të kënaqshme me cilësinë së ajrit , por ka zbutje ndër vite”, ka thënë Shala.

Sidoqoftë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë javë më parë ka kërkuar nga autoritetet kompetente që të merren masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Numri i të sëmurëve nga mjedisi i ndotur në Kosovë është shtuar në muajt e fundit, thonë ekspertët e shëndetësisë në Kosovë, duke nënvizuar problemet e shtuara me mushkëritë dhe sëmundjet tjera respiratore. (REL)

XS
SM
MD
LG