Ndërlidhjet

Një miqësi e palëkundur Kosovë - SHBA


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Nuk është vetëm një rrugë në Kosovë që mban emrin e një udhëheqësi amerikan. Janë shumë të tilla dhe shumë bulevarde që simbolizojnë, siç thonë qytetarët e Kosovës, krenarinë e madhe për “miqësinë me SHBA-të”.

Një bulevard në kryeqytet, mban emrin e njërit president amerikan, George Bush, gjatë administratës së të cilit u pavarësua Kosova, më 2008.

Më shumë se kaq, Prishtina i ka ngritur një presidenti tjetër amerikan, Bill Clinton, një shtatore në hyrje të saj, që shënon ‘falënderimin e përjetshëm për ndihmën e tij’.

Kur e gjithë bota ka kthyer sytë nga inaugurimi i presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, shteti më i ri në botë njëkohësisht edhe vendi më pro-amerikan në gjithë rruzullin tokësor, e prêt me shumë ‘qetësi’ ndryshimin në administratën amerikane.

‘Lidhjen e saj’ me SHBA-në, e nisur prej shumë dekadash, në këtë ditë e bën edhe më të veçantë ‘më të privilegjuar’.

Në rrugët e Prishtinës, qytetarët thonë se besojnë në vazhdimin e politikës amerikane ndaj Kosovës, pavarësisht se cila administratë vie në krye. Për herë të parë, ndër vite, ndërkaq thonë se ‘nuk e njohin mirë njeriun që do të udhëheqë me shtetin më të fuqishëm në botë”.

"Nuk vendos vetëm Trump me politikën e amerikane karshi Kosovës, por vendosin si shtet - amerikanët. Ata nuk kanë llogari që për një person të caktuar si Donald Trump t’i ndryshojnë relacionet me shtetet tjera në krejt botën”, tha një qytetare.

“Zgjedhja e Donald Trump si president .... shpresojmë më të mirën. Nuk e besoj që politika amerikane të ndryshojë”, tha një qytetar.

Historia e lidhjes së Kosovës me SHBA-në është e hershme dhe ajo lidhet në veçanti me fundin e viteve të 90-ta kur shqiptarët e Kosovës e panë ish-presidentin Clinton si njeriun kyç në fushatën ajrore të NATO-s ndaj objektivave serbe, që i dha fund ‘krizës më të madhe humanitare në Evropë’.

Afro një milion shqiptarë të dëbuar u kthyen në shtëpitë e tyre.

Administrata amerikane pak vjet më vonë u pa si ‘shtytësja kryesore’ e kërkesës politike të Kosovës për pavarësinë e saj. Pas përfundimit të një procesi të gjatë të bisedimeve, nën drejtimin e ish të dërguarit të OKB-së për statusin e Kosovës, presidentit finlandez Martti Ahtisaari, Kosova shpalli pavarësinë e saj.

SHBA-ja, ishte pjesë e procesit dhe pothuaj vendi i parë që e njohu mëvetësinë e Kosovës. Nën administratën e një republikani, presidentit George W. Bush.

"Dashuria e shqiptarëve të Kosovës me Amerikën", thonë njohës të rrethanave, "përveç ndihmës së parezervë amerikane për Kosovën lidhet edhe me mosbesimin që ata kanë në vendet e Evropës". Sado që shteti më i ri në botë synon anëtarësimin në BE.

Një sondazh i vitit 2016, i një organizate ndërkombëtare për hulumtime Gallup, e nxjerr Kosovën nga 132 vende të botës, shtetin më pro-amerikan, me 85 për qind të të anketuarve pro administratës së SHBA-së, duke lënë prapa madje edhe Britaninë e Madhe.

Dhe prandaj, pavarësisht ndryshimeve në skenën politike në SHBA, Kosova e sheh sërish me shumë shpresë e mirëkuptim vazhdimin e ndihmës amerikane për vendin.

Njohësi i mirë i rrethanave në SHBA, Ilir Ibrahimi i cilësoi si të “pabazë” zërat se administrata Trump do të ketë një ndryshim radikal ndaj politikës së Kosovës.

Ibrahimi i tha Radios Evropa e Lirë, se “politika amerikane ndaj Kosovës nuk është e bazuar vetëm në presidentin i cili është për momentin nën udhëheqjen të shtetit të Amerikës.

“Kjo qasje e shtetit amerikan do të vazhdojë në përkrahje të Kosovës, sepse Kosova është një projekt i shtetit të Amerikës dhe deri tani mund të quhet një projekt suksesi, sepse ka arritur të bëjë një shtet të pavarur, të ndërpres një konflikt i cili ka marrë jetesa njerëzish. Prandaj edhe pritjet e tilla se do të ketë një ndryshim shumë të madh nga politika amerikane ndaj Kosovës janë të pabazuara”, thekson Ibrahimi.

Pritjet e Kosovës dhe Ballkanit, thonë analistët, janë të mëdha duke marrë parasysh garancitë për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ramush Tahiri, analist, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se roli i Amerikës do të jetë i rëndësishëm ashtu si deri tani dhe do të jetë një garantues për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

“Kosova si shtet i ri ka një miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe luan rolin e rëndësishëm në paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe politika amerikane është një politikë e etabluar tash e disa dekada dhe roli i Kosovës është i rëndësishëm dhe si e tillë politika amerikane nuk ndryshon varësisht se cila garniturë vjen në pushtet, republikanët apo demokratët”, tha Tahiri.

Sidoqoftë, SHBA-ja të premten, më 20 janar, e inauguron presidentin e 45-të të saj dhe bota e pret me shumë ‘kujdes’ nisjen e punës së tij.

Për shtetin më të ri në botë, Kosovën, “dashuria për SHBA-në” nuk do të ndryshojë dhe me gjasë as edhe rreshtimi i saj si ‘shteti më pro-amerikan në botë’ . (REL)

XS
SM
MD
LG