Ndërlidhjet

Rriten pakënaqësitë e minatorëve - kërkohet zbatimi i Ligjit për Trepçën


Trepça, Mitrovicë
Trepça, Mitrovicë

Janë bërë afër tre muaj që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Trepçën dhe Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të krijojë ende Bordin mbikëqyrës të Trepçës, në mënyrë që të mund të fillohet me zbatimin e ligjit.

Sipas Ligjit për Trepçën, i miratuar në tetor të vitit të kaluar, qeverisja me Trepçën do të duhet bëhet nga Bordi Mbikëqyrës dhe Bordi Menaxhues.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci, i tha Radios Evropa e Lirë se ende nuk është bërë konstituimi i Bordi për Trepçën, porse është në proces e sipër.

Sipas tij, që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Trepçën, ka gjashtë muaj afat për të themeluar Bordin për Trepçën.

“Ashtu siç parashihet edhe në ligj, duhet t’i funksionalizojmë këto struktura. Ne do ta themelojmë një grup pune, i cili do ta përcjellë zbatimin e Ligjit për Trepçën me detyra të sakta, për shkak se edhe në ligj, te shumica e vendimeve strategjike, kemi bërë një ndërlidhje institucionale në mes përgjegjësisë së Qeverisë dhe Kuvendit. Bëhet fjalë për një ndërmarrje, e cila do të jetë në pronësi të qeverisë, prandaj edhe nuk është gjë e lehtë dhe e thjeshtë zgjedhja e bordit dhe e strukturave të tjera për këtë çështje”, tha Stavileci.

Por, mosmiratimi i këtij bordi ka shtuar pakënaqësitë e minatorëve të Trepçës, thonë përfaqësues të sindikatës së Trepçës.

Sipas tyre, autoritetet e Kosovës kanë treguar neglizhencë në zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe rrjedhimisht kërkesat e minatorëve.

Shyqri Sadiku, kryetar i kësaj sindikate, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se minatorët janë në pritje të zbatimit të Ligjit për Trepçën dhe të kërkesave të tyre.

“Kemi bërë kërkesë te të gjitha institucionet e Kosovës, por asnjë nuk ka gjetur kohë të bisedojë rreth kërkesave të minatorëve. Me datën, 13.01.2017, punëtorët nuk kanë dashur të hyjnë të punojnë dhe kanë shtruar disa kërkesa. Kanë kërkuar edhe që të mbahet një tubim në muajin janar”, tha Sadiku.

Disa nga kërkesat e minatorëve, drejtuar institucioneve të Kosovës, sipas Sadikut, janë rritja e pagave 20 përqind në mënyrë lineare, sistematizimi i vendeve të punës, sigurimi i punëtorëve në nivel të lartë, duke pasur parasysh rrezikshmërinë dhe kushtet e rënda të punës, si dhe sëmundjet që shkaktohen në minierë.

Përveç tjerash, Sadiku tha se minatorët kërkojnë që të numërohet stazhi i punës prej vitit 1990 e tutje dhe të zbatohet Ligji i Punës dhe Marrëveshja Kolektive.

“Edhe pas miratimit të ligjit dhe para miratimit, të njëjtat kërkesa kanë qenë të shtruara dhe institucionet e Kosovës kanë qenë të informuara. Deri më tani, asnjë institucion nuk është marrë me këto kërkesa dhe pakënaqësitë e minatorëve janë rritur”, u shpreh Sadiku

Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, tha se Qeveria e Kosovës, sa ma parë që është e mundur, duhet të bëjë një bord mbikëqyrës dhe të fillojë zbatimi i Ligjit për Trepçën.

“Tani më Ligjin për Trepçën, në aspektin e përgjithshëm, janë arritur disa objektiva: Trepça nuk rrezikohet nga likuidimi dhe hyn në epokën zhvillimore. Por, që të ndodhë zhvillimi, pritet konstituimi edhe i bordit mbikëqyrës, edhe i bordit qeverisës, si institucione që obligohen pastaj t'i kryejnë të gjitha aktet nënligjore që e zyrtarizojnë atë plan zhvillimor, duke bërë edhe regjistrimin e ndërmarrjes, duke aprovuar edhe statutin, duke aprovuar edhe një plan zhvillimor”, tha Tmava.

Gjiganti metalurgjik Trepça në Mitrovicë, për 17 vjet, ishte pa një status të zgjidhur. Por, nga 7 tetori i vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, me të cilin mëtohet të rimëkëmbet dhe rivitalizohet ndërmarrja.

Gjithashtu, Ligji ia ndërron edhe pronësinë kompleksit Trepça, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) tek ekzekutivi.

Për të gjitha këto vite, Trepça llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Në vitet e tetëdhjeta, aty punonin mbi 20 mijë punëtorë. Ndërkaq, vitet e fundit, ajo e kaloi fazën e mbijetesës dhe nuk numëronte më shumë se 1,400 punëtorë.

XS
SM
MD
LG