Ndërlidhjet

SHBA: Gjyqtarja e ka bllokuar dëbimin e personave me viza


Protestë në Aeroportin Ndërkombëtar në Los Angeles, California, ndaj vendimeve të Trumpit për migrantët.
Protestë në Aeroportin Ndërkombëtar në Los Angeles, California, ndaj vendimeve të Trumpit për migrantët.

Një gjyqtare federale mbrëmjen e së shtunës vonë e ka publikuar një urdhër të jashtëzakonshëm, me të cilin përkohësisht i ka ndalur autoritetet e Shteteve të Bashkuara nga dëbimi i njerëzve, të cilët kanë arritur në aeroportet e Shteteve të Bashkuara me viza të rregullta, që janë bllokuar në aeroportet amerikane pas urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Trump.

Urdhri i gjyqtares Ann Donnelly, nga një gjykatë rajonale në Nju Jork, nuk lejon që agjentët kufitarë t’i ndalin njerëzit që arrijnë në Shtetet e Bashkuara me viza të rregullta, me aplikime të miratuara për refugjatë dhe “individët e tjerë…që janë juridikisht të autorizuar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara” nga vendet, që janë në shënjestër të urdhrit të presidentit Trump.

Ky vendim ishte bërë pasi avokatët e Unionit Amerikan të Lirive Civile (ACLU) e kanë dërguar në gjykatë një kërkesë në emër të dy irakianëve, që ishin arrestuar në aeroportin "John F. Kennedy" në Nju Jork.

Ky union thotë se urdhri ka të bëjë me afro 200 njerëz të arrestuar në aeroportet amerikane, ose të cilët janë udhëtarë transitorë.

Departamenti i sigurisë së brendshme tha se vendimi gjyqësor nuk do të ketë efekt në implementimin e përgjithshëm të urdhrit ekzekutiv.

Urdhrat ekzekutivë të presidentit Trump mbeten në vend – ndalimi i udhëtimit mbetet i tillë dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara e mban të drejtën për tërheqje të vizave në çfarëdo kohe, nëse kjo kërkohet për sigurinë kombëtare ose për sigurinë publike”, thuhet në njoftimin e Departamentit të sigurisë së brendshme të Shteteve të Bashkuara.

Ky departamenti tha se më tepër se 190 njerëzve nuk u ishte lejuar hyrja në Shtetet e Bashkuara gjatë 23 orëve të para, prej fillimit të zbatimit të urdhrit të ri ekzekutiv për migrantët.

Vendimi gjyqësor u bë pas urdhrit ekzekutiv të presidentit, Donald Trump, për “verifikim ekstrem” të vizitorëve nga 7 vende me popullatë shumicë myslimane, që ka çuar në kaos në disa aeroporte amerikane, ku ka pasur protesta të ashpra dhe janë shënuar edhe ankesat e para gjyqësore.

Duke shprehur përkushtim për mbrojtjen e vendit nga “terroristët e jashtëm”, para dy ditësh, presidenti Donald Trump urdhëroi pezullim të imigrimit nga shtatë vende me popullatë shumicë myslimane për 90 ditë, derisa procesi i ri rigoroz të zbatohet.

Vendet e përfshira në këtë urdhër janë Irani, Iraku, Libia, Somalia, Siria, Sudani dhe Jemeni.

Zbatimi i këtij urdhri menjëherë ka krijuar bllokim të disa banorëve legalë të Shteteve të Bashkuara, vizitorëve dhe refugjatëve, në aeroportet në gjithë vendin dhe kjo ka çuar në protesta afër disa aeroporteve, përfshirë “JFK” në Nju Jork, “Newark” në Nju Xhersi dhe aeroportin ndërkombëtar në Portlend.

Presidenti Donald Trump ka insistuar se goditja e tij “shumë strikte” kundër migrimit, deri tash ishte e suksesshme.

“Po funksionon mirë. Ju e shihni këtë në aeroporte”, u tha Trump reporterëve.

Ankesa e parë ligjore u bë në një gjykatë federale në Bruklin, në emër të dy irakianëve, që ishin arrestuar në aeroportin “JFK” në Nju Jork.

Të dy ata kishin lidhje me ushtrinë amerikane.

Në vendimin gjyqësor thuhej se lidhjet e tyre me forcat e Shteteve të Bashkuara i bënë ata cak në Irak dhe se ata kanë viza të vlefshme për në Shtetet e Bashkuara.

Tash ata të dy janë liruar.

Këtë vendim gjyqësor e ka përshëndetur drejtori ekzekutiv i Unionit Amerikan të Lirive Civile, Anthony Romero.

Kjo ishte ditë e jashtëzakonshme, Ajo që ne kemi treguar është se gjykatat mund të funksionojnë. Ato janë mburojë e demokracisë tonë. Dhe kur presidenti Trump miraton legjislacione ose urdhra ekzekutivë, që janë jokushtetues dhe ilegalë, gjykatat janë aty për t’i mbrojtur të drejtat e çdokujt”, tha Anthony Romero.

Nga ana tjetër, veprimet e presidentit Trump janë kritikuar nga vendet që janë përfshirë në urdhrat ekzekutivë dhe nga disa aleatë të afërt të Shteteve të Bashkuara.

Kryeministrja britanike, Theresa May, “nuk pajtohet” me kufizimet dhe do të apelojë juridikisht në Shtetet e Bashkuara, nëse ndonjë shtetas britanik preket me këtë masë, tha zyra e saj.

Zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel, tha se kancelarja beson se lufta kundër terrorizmit “nuk e arsyeton futjen e dyshimit të përgjithshëm ndaj njerëzve të origjinës së caktuar ose religjionit të caktuar.

Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se vendimi i zotit Trump ishte “dhuratë e madhe për ekstremistët” pasi “diskriminimi kolektiv e ndihmon rekrutimin terrorist”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG