Ndërlidhjet

Manovrime politike për koalicionin qeveritar


Partitë politike ende nuk kanë arritur të vendosin lidhur me koalicionin e ardhshëm qeveritar.
Partitë politike ende nuk kanë arritur të vendosin lidhur me koalicionin e ardhshëm qeveritar.

Partitë politike ende nuk kanë arritur të vendosin lidhur me koalicionin e ardhshëm qeveritar, në veçanti partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga BDI-ja varet nëse Qeveria do të drejtohet nga Lidhja Social-Demokrate, me të cilën po negocion, apo nga VMRO-ja me të cilën sërish e ka lënë të hapur mundësinë pavarësisht dështimit të bisedimeve.

Si mundësi për dalje nga situata shihet edhe formimi i një koalicioni me bazë të gjerë siç rekomandoi komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, pas takimeve që pati të premten në Shkup me liderët e partive politike.

Por, një variant të tillë partitë nuk e parapëlqejnë edhe aq shumë për shkak të kalkulimeve që bëjnë lidhur me rejtingun e tyre.

VMRO-ja, nëpërmjet komunikatave në tre ditët e fundit, kërkon respektimin e parimit “Fituesi me fituesin” që nënkupton qeveri ndërmjet saj dhe BDI-së apo dy partive fituese në bllokun maqedonas dhe shqiptar.

Por, refuzimi që i ka bërë ajo platformës shqiptare që parasheh avancimin e të drejtave të shqiptarëve, por edhe reagimeve të shumta në opinion ndaj kësaj partie për shkak të akuzave të shumta nga Prokuroria Speciale ndaj zyrtarëve të saj, nuk e favorizojnë një koalicion ndërmjet këtyre dy partive.

Në një situatë të tillë, njohësit e çështjeve politike thonë se më real do të ishte një koalicion i partive shqiptare me LSDM-në që drejtohet nga Zoran Zaev, i cili edhe publikoi atë që njihet si afera e përgjimeve të zyrtarëve shtetërorë.

“Ka mundësi reale që ky koalicion të bëhet mes LSDM-së në njërën anë dhe partive politike shqiptare, në anën tjetër. Pra, ka pika që janë bashkuese ndërmjet këtyre dy blloqeve, siç është vazhdimi i punës së Prokurorisë Speciale, si dhe një atmosferë e mirë që mbretëron te LSDM-ja për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e pushtetit”, thotë Xhelal Neziri, analist dhe drejtues i Qendrës për gazetari hulumtuese.

Por, ai nuk përjashton probleme edhe në këtë rast para së gjithash për shkak të pesë opsioneve që ka vënë para vetes partia e Ali Ahmetit, përfshirë edhe mbetjen në opozitë, që në një rast të tillë do ta ndërlikonte gjithë situatën. “Ajo që e vë në pikëpyetje këtë mundësi, janë opsionet e ndryshme, të cilat janë në qarkullim, sidomos opsionet që i mban të hapura BDI-ja si faktor kyç për formimin e Qeverisë. Kjo mund të lërë hapësirë për implikime të faktorit të jashtëm që mund të jenë përcaktuar për atë se si do të dukej qeveria e ardhshme”, thekson Neziri.

VMRO DPMNE-ja në disa raste ka thënë se do të ketë probleme nëse mbetet jashtë qeverisë, por pa specifikuar se për çfarë probleme mendon.

Jove Kekenovski, ish-anëtar i kësaj partie, thotë se VRMO-ja duhet të mbetet në opozitë që të qartësohet puna me zyrtarët e saj të akuzuar nga Prokuroria Speciale.

“Në këtë situatë, mendoj se VMRO DPMNE-ja duhet të lihet jashtë kombinimeve të mundshme, apo më saktë, kreu i kësaj partie, që të mund të sigurohen kushte që të gjithë ata që janë të dyshuar apo akuzuar për vepra penale serioze, të përgjigjen para drejtësisë, të departizohen institucionet dhe kjo parti të mund të reformohet”, konsideron Kekenovski.

Ai shpreh doza të kritikës edhe ndaj komisionarit Hahn, për siç thotë qëndrime që ndryshojnë varësisht politikës së tij ditore.

“Deklaratat e tij jo rrallë ose janë plotësuar ose janë korrigjuar. Siç duket ai udhëhiqet nga politika ditore, apo improvizon varësisht nga situata po varësisht nga bisedat me partnerë të caktuar politikë. Mendoj se duhet të pritet qëndrimi i Komisionit Evropian, i cili në disa raste ka dalë me qëndrime të ndryshme”, thekson Kekenovski, duke e quajtur jo të logjikshme kërkesën për Qeveri të zgjeruar, pasi kjo, sipas tij, do të kthente gjendjen e para 11 dhjetorit kur kishte një qeveri të tillë, e cila mezi arriti të organizonte zgjedhjet.

Por, pavarësisht qëndrimeve që mund të kenë partitë politike, rolin kryesor në këtë rast do ta ketë presidenti Gjorgje Ivanov, i cili nuk përjashtohet mundësia e manovrimeve politike për shkak të ndikimit që ka mbi të VMRO-ja, e cila edhe e ka zgjedhur për president.

Bazuar në qëndrimet e deritashme, nuk përjashtohet mundësia që të mos i japë opozitës mandatin për formimin e Qeverisë, edhe sikur të siguronte numrat për formimin e qeverisë.

Ivanov në një rast ka thënë se nga mandatari do të kërkonte edhe programin qeveritar, kërkesë kjo që mund të ndezë polemika të reja për shkak se programi i Qeverisë paraqitet dhe miratohet në Kuvend.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG