Rebelët sirianë që mbështeten nga Turqia kanë marrë pothuajse në kontroll të plotë qytetin al-Bab nga militantët e Shtetit Islamik, thonë zyrtarët turk.
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Fikri Isik tha se “sot mund të themi se al-Bab pothuajse është marrë nën kontroll të plotë”.
Yakaria Malahifji, një militant i fraksionit Fastaqim, i ka thënë Reuters se të gjitha zonat strategjike të qytetit janë marrë nën kontroll.
Megjithatë, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Londër, ka thënë se gjysma e qytetit al-Bab është nën kontrollin e IS-it.
Al-Bab gjendet 30 kilometra larg kufirit. Ofensiva për rimarrjen e këtij qyteti ka nisur në dhjetor.
Turqia nisi një operacion ushtarak në muajin gusht të vitit 2016, me qëllim që të largojë militantët e IS-it nga kufiri i saj me Sirinë.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu ka thënë se 1,900 kilometra katror të territorit sirianë përgjatë kufirit, janë marrë nga militantët e IS-it, që prej nisjes së operacionit.