Ndërlidhjet

Hawaii do të sfidojë në gjykatë urdhrin e ri të ndalimit të udhëtimit


Shteti amerikan i Hawaiit, është shteti i parë që planifikon të dërgojë në gjykatë federale, urdhrin e ri ekzekutiv të presidentit Donald Trump, për ndalimin e përkohshëm të qytetarëve nga gjashtë shtete me shumicë myslimane si dhe të gjithë refugjatëve.

Hawaii ka thënë më 8 mars se do të kërkojë ndalim të përkohshëm të urdhrit të ndalesës së udhëtimit.

Shtëpia e Bardhë këtë javë ka lëshuar urdhrin e ri ezekutiv, që zëvendëson urdhrin origjinal të 27 janarit.

Në urdhrin e ri, vazhdohet ndalimi prej 90 ditësh i udhëtimit në SHBA të qytetarëve nga Irani, Libia, Siria, Somalia, Sudani dhe Jemeni. Vetëm Iraku është hequr nga lista e urdhrit origjinal.

Qytetarët nga këto gjashtë vende që kanë viza të vlefshme, lejohen të hyjnë në SHBA. Gjithashtu urdhri i ri, i nënshkruar nga presidenti Trump më 6 mars, e që pritet të hyjë në fuqi më 16 të këtij muaji, ndalon hyrjen e të gjithë refugjatëve për 120 ditë.

“Ky urdhër i ri, nuk është asgjë më shumë se sa ‘Ndalim për Myslimanët 2.0’”, ka thënë prokurori i përgjithshëm i Hawaiit, Doug Chin.

“Nën pretekstin e sigurisë kombëtare, ky urdhër ende atakon emigrantët dhe refugjatët. Kjo gjë lë derën e hapur edhe për kufizime të mëtjeshme”, ka thënë ai.

Departamenti i drejtësisë i SHBA-së, ka mohuar këtë gjë, duke thënë se “ne jemi të sigurt se veprimet e presidentit janë të ligjshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe shtetin tonë”.

Po ashtu, Departamenti i drejtësisë më 7 mars, ka tërhequr apelin për vendimin e gjykatës për urdhrin original.

“Të themi të drejtën, urdhri i ri ekzekutiv ka ndjellur frikë në mesin e njerëzve më shumë se sa urdhri i vjetër”, ka thënë në një intervistë për CNN, Neal Katyal, njëri prej avokatëve që do të prezantojë në këtë çështje shtetin e Hawaiit.

Ai ka shtuar se ndalesa e re e udhëtimit ka të njëjtat “defekte kushtetuese dhe ligjore”.

Kritikët thonë se urdhri i ndalsës së përkohshme në SHBA është diskriminues, pasi prek vetëm qytetarët myslimanë.

“Përderisa Shtëpia e Bardhë mund të ketë bërë ndryshime në këtë ndalesë, qëllimi për të diskriminuar myslimanët vazhdon të jetë në këtë urdhër”, ka thënë prokurori i përgjithshëm i New York-ut, Eric Schneiderman, raporton AFP.

Administrata e Trumpit është munduar të dëshmojë se diskriminimi fetar nuk është pjesë e këtij urdhri.

“Unë besoj se urdhri i ri do t’i përballojë sfidat ligjore pasi është hartuar në atë mënyrë që të mos jetë ndalim në bazë fetare, por një ndalim për individ që vijnë nga qeveritë e kompromentuara dhe shtetet e dështuara”, ka thënë senatori republikan Lindsey Graham.

Përderisa urdhri për ndalimin e hyrjes në SHBA nga kritikët po shihet si diskriminim fetar, presidenti Trump këmbngulë se kufizimi në udhëtim është i nevojshëm për sigurinë kombëtare. (REL)

XS
SM
MD
LG