Ndërlidhjet

Arrestohet edhe një i dyshuar për tentim-vrasjen e Vllasit, motivet ende të paqarta


Avokati Azem Vllasi, foto nga arkivi
Avokati Azem Vllasi, foto nga arkivi

Një person i tretë, që dyshohet të jetë i lidhur me tentim-vrasjen e avokatit nga Kosova, Azem Vllasi, është arrestuar nga autoritetet e rendit, në kohën kur janë intensifikuar përpjekjet për të zbuluar motivet dhe shkaqet e plagosjes së tij.

Një zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha Radios Evropa e Lirë se Policia ka vazhduar hetimet lidhur me rastin e plagosjes së Vllasit, por nuk tha nëse bëhet fjalë për një grup të organizuar.

Avokati Azem Vllasi u plagos të hënën në mëngjes, në hyrje të banesës së tij nga një person, që u arrestua pak orë më vonë nga Policia e Kosovës. Nuk u dhanë hollësitë rreth motiveve të plagosjes së tij, ndërkohë që mjekët në Qendrën Klinike Universitare thanë se jeta e Vllasit është jashtë rrezikut dhe ai është plagosur në krah.

"Tash për tash, meqë jemi në fazë të vazhdimit të hetimeve rreth këtij rasti, për shkak edhe të mosdëmtimit të procesit të hetimeve dhe veprimeve të Policisë, nuk mund të japim hollësi të tjera. Si rezultat i hetimeve të pandërprera është arritur që në orët e vona [të së hënës] të arrestohet edhe një person, i tretë, i dyshuar që mund të ketë qenë në një mënyrë apo tjetër i lidhur me rastin", tha zëdhënësi i Policisë Baki Kelani në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Mediat në Kosovë kanë bërë të ditur emrin e njeriut që dyshohet të ketë shtënë mbi Azem Vllasin, duke e identifikuar si Murat Jashari.

Motivet e sulmit mbi avokatin Vllasi mbeten të paqarta dhe Policia nuk ka dhënë hollësi nëse ato lidhen me punën e tij aktuale, apo me veprimtarinë e tij si ish-lider komunist në Kosovë në vitet e 80-ta.

Vllasi i tha Radios Evropa e Lirë, pak orë pas plagosjes, se “sulmi mbi të ishte i parapërgatitur”.

Sipas të gjitha karakteristikave ai ishte një atentator i porositur. Pse dhe nga kush, hetimet do të tregojnë”, tha Vllasi.

Ndërkohë, njohës të çështjeve të sigurisë, e kanë cilësuar si të veçantë tentim-vrasjen e Vllasit, duke mos e ndërlidhur me veprimin e ndonjë grupi të caktuar.

Naim Maloku, njohës i çështjeve të sigurisë, mendon se nuk ka ndonjë prapavijë tjetër rasti në fjalë, veç të ndonjë hakmarrjeje, 'ndoshta të punës që Vllasi ka bërë kohë më parë'.

"Ky është një rast i qartë se nuk ka pasur asnjë përgatitje për të qenë i pazbuluar, është bërë ditën në vend ku ka pasur kamera. Rasti jep argumente të mjaftueshme që një njeri është i dekoncentruar mentalisht dhe ka ardhur tw bwj një akt sipas tij ndoshta kombëtar apo hakmarrje në përvjetorin e ngjarjeve të marsit të vitit 1981", tha Maloku.

Maloku mendon se ka kaluar koha e organizimit të grupeve të armatosura për eliminimin e personave publikë apo politikë. Sipas tij, grupet e tilla kanë ekzistuar para dhe pak vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë.

"Përpara, Kosova ka qenë në situata shumë më të paorganizuara, sa i takon edhe Policisë dhe gjyqësisë dhe kanë mundur ata elementë të organizohen në kohë të tjera. Tash ka kaluar koha e vrasjeve që kanë ndodhur gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës me motive të tilla. Mendoj se koha e veprimeve të tilla për në Kosovë ka kaluar", tha Maloku.

Rasti Vllasi ka nxitur një valë reagimesh në Kosovë, ndërkohë që Oda e Avokatëve të Kosovës ka deklaruar se “rastet e këtilla nuk janë rastësi por një paralajmërim i keq për fatin e drejtësisë dhe perspektivës evropiane”.

Azem Vllasi, një avokat i njohur në Kosovë, në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar ishte një lider komunist, në periudhën e trazirave më të mëdha në territorin e ish-Jugosllavisë. (REL)

XS
SM
MD
LG