Ndërlidhjet

Koreja e Veriut teston një motor të ri për lansimin e raketave

  • RFE /RL

Testimi i motorit për lansimin e raketave

Testimi i motorit për lansimin e raketave

Media shtetërore e Koresë së Veriut tha se shteti ka testuar një motor të ri të fuqishëm të një rakete, ndërkaq lideri Kim Jong Un, theksoi se kjo është “lindje” e një industrie të raketave.

Njoftimi i së dielës vjen vetëm një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u takua me zyrtarë të lartë në Pekin.

Përpara testimit, Tillerson kishte paralajmëruar se tensionet në rajon janë “në nivel të rrezikshëm”.

Agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, tha se lideri i Koresë së Veriut ka mbikëqyrur testet në terren të motorit raketor.

“Kim ka theksuar se e gjithë bota shumë shpejt do të bindet se çfarë rëndësie të madhe ka suksesi i sotëm”, njofton agjencia KCNA.

Ekspertët thonë se këto komente mund të tregojnë se Koreja e Veriut ka testuar një motor të ri për lansimin e raketave me rreze të gjatë veprimi.

Tillerson gjatë vizitës në Pekin, më 18 mars, ka thënë se Uashingtoni është duke punuar me Kinën për të parandaluar konfliktin në rajon.

Turneu dyditor i sekretarit amerikan të Shtetit - që përfshiu Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën - është dominuar nga shqetësimi për Korenë e Veriut dhe kërcënimin që paraqet për programin bërthamor dhe të raketave balistike.

Mendoj se ndajmë pikëpamje të njëjta dhe tensionet në gadishull janë mjaft të larta dhe ato kanë arritur në një nivel të rrezikshëm”, deklaroi Tillerson pas takimit me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi.

Kina është aleati kryesor i Koresë së Veriut.

Tillerson, po ashtu, theksoi se aksionet ushtarake “janë opsion në tavolinë” nëse kërcënimi nga Pheniani rritet.

Ndërkaq presidenti Donald Trump deklaroi se Koreja e Veriut “ po sillet shumë keq”.

Koreja e Veriut kreu një sërë testesh të raketave në muajt e fundit. Vitin e kaluar, po ashtu, kishte kryer dy teste bërthamore.

Koreja e Jugut dhe Pheniani kishin nënshkruar një deklaratë për denuklearizimin e Gadishullit Korean, por Veriu është larguar nga marrëveshja, duke thënë se ajo paraqet një kërcënim nga pushtimi i Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara kanë 28,500 trupa të stacionuara në Korenë Jugore dhe 50,000 të tjerë në Japoni, me qëllim që të parandalojnë një agresion të mundshëm nga Koreja e Veriut.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG