Ndërlidhjet

Përkundër mospajtimeve, SHBA dhe Kina shprehen për bashkëpunim


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, kanë shprehur përkushtim për të synuar bashkëpunim më të madh, përkundër mospajtimeve lidhur me Korenë Veriore dhe çështjet e tjera.

Ky takim i nivelit më të lartë ndërmjet zyrtarëve të dy vendeve, prej inaugurimit të presidentit, Donald Trump, në muajin janar, u bë dje në Pekin, vetëm disa orë pasi Koreja Veriore njoftoi se e kishte kryer testin e një makine të re raketore, ndërsa lideri i këtij vendi, Kim Jong Un, e lavdëroi “lindjen e re” të industrisë së raketave në këtë vend.

Para testit raketor verikorean, zoti Tillerson pat tërhequr vërejtjen se tensionet rajonale janë në “nivel të rrezikshëm”.

Kina ishte e zemëruar nga presioni i Uashingtonit për të ndikuar në Korenë Veriore, që ta kufizojë programin e saj atomik dhe raketor, dhe ashpër e pat kritikuar vendimin e SHBA-së për ta vendosur sistemin e mbrojtjes raketore në Korenë Jugore.

Megjithatë, Tillerson dhe Xi kanë shprehur përkushtim për lidhje më të fuqishme ndërmjet dy shteteve.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping i tha Tillersonit se ai dhe Trump, gjatë një bisede telefonike në muajin shkurt, “ishin pajtuar për përpjekje të përbashkëta për avancimin e bashkëpunimit Kinë – SHBA” dhe ka shprehur besim se të dy palët “mund të sigurojnë se raportet do të lëvizin përpara në mënyrë konstruktive në periudhën e re”.

Besoj se sa më parë këto marrëdhënie me siguri do të lëvizin në drejtim të drejtë”, tha presidenti Xi.

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, i tha presidenti kinez se presidenti Trump i ka vlerësuar “shumë lartë komunikimet, që tashmë kanë ndodhur” ndërmjet dy liderëve.

Nëpërmjet të dialogut të mëtejshëm, ne do të arrijmë mirëkuptim më të mirë, që do të çojë në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, dhe do të vendosë një qasje për raportet e ardhshme të bashkëpunimit”, tha Tillerson gjatë takimit me zotin Xi në Pekin.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Mark Toner, tha se Tillerson dhe Xi, gjatë takimit 30 minutësh, janë pajtuar “se ka mundësi për bashkëpunim më të madh ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, por ka pranur se ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen, dallime ndërmjet dy vendeve”.

Sekretari Tillerson, po ashtu, ka thënë se presidenti Trump pret që të dy së shpejti do të mund të takohen ballë për ballë për diskutime, me të cilat do të përcaktohet kursi i marrëdhënieve të ardhshme SHBA – Kinë”, thuhet në deklartatën e zëdhënësit Toner.

Pekini ishte ndalja e fundit e sekretarit Tillerson në turneun në Azinë Lindore, me ç’rast i ka vizituar edhe aleatët, Japoninë dhe Korenë Jugore. Ky turne ishte dominuar nga shqetësimet lidhur me Korenë Veriore dhe kërcënimet nga programi i saj atomik dhe ai raketor balistik.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë Veriore, KCNA, raportoi se lideri verikorean, Kim Jong Un, personalisht e ka mbikëqyrur testin tokësor të makinës raketore.

Ai “ka theksuar se e gjithë bota së shpejti do të dëshmohet për rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe fitoren e madhe që sot është arritur”, ka raportuar KCNA.

Ekspertët thonë se këto komente indikojnë se testi me gjasë ishte për një tip të ri të makinës për raketa me rreze të gjatë veprimi.

Pekini është aleati kryesor i Koresë Veriore.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG