Ndërlidhjet

Dhjetëra kallëzime penale për korrupsion ndaj zyrtarëve të shtetit


Ilustrim
Ilustrim

Agjencia Kundër Korrupsionit ka deponuar në Prokurori dhjetëra kallëzime penale, nën dyshime për korrupsion në institucionet qendrore dhe lokale të vendit.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli i tha Radios Evropa e Lirë se niveli i korrupsionit vazhdon të jetë prezent në shumë institucione. Sipas tij, ndër fushat më të ndjeshme vazhdon të jetë ajo e prokurimit publik.

Agjencia edhe gjatë këtij viti ka dhënë opinione dhe ka ushtruar kallëzime penale sa i përket natyrës së punës së prokurimit. Kjo fushë vazhdon të jetë më e ndjeshme sa i përket korrupsionit", tha Havolli.

Tutje, Havolli tha po ashtu se agjencia ka trajtuar dhe po trajton raste për të cilat ka marrë informacione se persona të caktuar mund të jenë përfshirë në afera korruptive.

Edhe gjatë këtij viti, Agjencia Kundër Korrupsion ka trajtuar një mori informatash nga kanale të ndryshme, si nga informatat anonime apo edhe nga institucionet e ndryshme", tha Havolli.

Me miratimin e Ligjit për Prokurimin Publik në vitin 2003, i cili i ishte nënshtruar disa procedurave të plotësim-ndryshimit, ishte synuar parandalimi i korrupsionit.

Por, bazuar në hulumtimet e kryera nga Instituti Demokratik i Kosovës, del se ka keqmenaxhim në prokurimin publik, që konsiderohet si një prej sektorëve prej nga buron një pjesë e madhe e korrupsionit, për shkak te tenderëve.

Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo e cila vëzhgon dhe avokon kundër korrupsionit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se prokurimit publik vazhdon të jetë një nga shqetësimet më të mëdha ku dyshohet për korrupsion.

Prokurimi publik është një nga shqetësimet kryesore që kemi ne sepse kjo është mënyra se si bëhet korrupsioni në Kosovë, ku fondet publike kalojnë në mënyrë joligjore tek individët privatë, përmes prokurimit publik. Ky është një problem që na përcjell për shumë vite", tha Canhasi.

Ndërkaq në organizatën "Fol", thonë se korrupsioni mbetet ndër sfidat kryesore për shoqërinë e Kosovës.

Në një publikim të fundit të kësaj organizate të titulluar "Përtej numrave - performancë e gjyqësorit në luftën kundër korrupsionit", është thënë se më shumë se gjysma e atyre që kanë qenë të akuzuar për korrupsion i kanë takuar sektorit publik.

Jeton Zulfaj, nga Lëvizja "Fol", tha për Radion Evropa e Lirë se korrupsioni qeveritar mbetet ndër shqetësimet kryesore. Ai tha se kushtëzimi i shërbimeve publike në këmbim të favoreve apo përfitimit personal, është niveli më i përhapur i korrupsionit.

Megjithatë, sipas tij, ai që ka shkaktuar dhe po shkakton dëm më së shumti është korrupsioni në prokurimin publik.

"Mungesa e transparencës në publikimin e kontratave, faturave, favorizimi i kompanive të caktuara, monopoli i shkaktuar nga kompani të ndryshme në Kosovë, të cilat e kanë krijuar këtë monopol përmes tenderëve qeveritarë dhe forma të tjera, vazhdojnë të jenë burim i pasurimit të paligjshëm të shumë zyrtarëve qeveritarë dhe kompanive të lidhura me ta", tha Zulfaj.

Zulfaj tha se rritja e transparencës rreth shpenzimit të parëse publike mbetet sfida kryesore e shoqërisë për të mbajtur përgjegjës personat që menaxhojnë me taksat e qytetarëve.

Bashkimi Evropian në pothuajse të gjitha raportet e tij për Kosovën, ka nënvizuar problemin e korrupsionit dhe në veçanti funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar si të dobët.

Prokurimi publik në Kosovë për vite me radhë në raportet vendore dhe ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit në vend.

Një vlerësim i tillë ishte dhënë vazhdimisht në raportet e progresit për Kosovën të Komisionit Evropian. (REL)

XS
SM
MD
LG