Ndërlidhjet

Rusia garanton për Ratko Mladiqin


Zëdhënësi i Gjykatës së Hagës, Nenad Golçevski, i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se Gjykata në Hagë ka pranuar një kërkesë urgjente të cilën e ka parashtruar mbrojtja e të akuzuarit Ratko Mladiq.

Në shkresë i kërkohet Gjykatës, që Mladiqit t’I miratohet lirimi i përkohshëm nga njësia e paraburgimit në Hagë, me qëllim që të bartet në Rusi për shërim të domosdoshëm mjekësor.

“Në lëndën kundër Ratko Mladiqit, avokatët e mbrojtjes së tij kanë parashtruar sot një kërkesë për lirimin e përkohshëm të të akuzuarit. Shkresa është voluminoze, por në këtë moment nuk mund të them asgjë më shumë sepse nuk kam pasur qasje në dokument. Megjithatë, kjo është një kërkesë zyrtare dhe si e tillë është edhe publike”, tha Golçevski për Radion Evropa e Lirë.

Përpara dorëzimit të kërkesës avokatët e Mladiqit, në emër të klientit të tyre, siç mësohet, kanë paraqitur edhe gjetjet e mjekëve-ekspertë për gjendjen e tij shëndetësore që, siç thuhet, në kohën e fundit është përkeqësuar.

Pjesë përbërëse e kërkesës, siç tha Miodrag Stojanoviq, bashkëmbrojtës i Ratko Mladiqit, është edhe garancioni i shtetit të Rusisë.

Stojanoviq i tha Radios Evropa e Lirë, se me kërkesë të mbrojtjes së Ratko Mladiqit, Qeveria e Federatës Ruse ka dhënë garanci nëse Gjykata e Hagës do ta lironte përkohësisht Mladiqin për shërim.

Kjo, sipas Stojanoviqit, do të thotë se ata do ta pranonin për kontrolle shëndetësore, shërim dhe pas kësaj, kur Haga të kërkonte, ta kthenin në paraburgimin e Gjykatës në Hagë.

Ish komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mladiq, është arrestuar më 26 maj 2011.

Ai akuzohet për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve gjithandej Bosnjë dhe Hercegovinës, ku në gjashtë komuna ka pasur përmasa të gjenocidit, si dhe për marrje peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it.

Mbrojtja e Mladiqit ka kërkuar lirimin, kurse prokuroria burg të përjetshëm.

XS
SM
MD
LG