Ndërlidhjet

Sulm në Parlamentin britanik, policia e ndërlidhë me terrorizëm


Policia në Londër thotë se të paktën katër persona janë vrarë, në sulmin terrorist në Parlamentin britanik – përfshirë edhe sulmuesin e dyshuar dhe një zyrtar policor i cili u ther me thikë nga sulmuesi. Të paktën edhe 20 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sulmi ka nisur në orën 14:40 sipas kohës lokale, kur një person me makinën e tij, goditi një turmë njerëzish në Urën Westminister – duke lënë të vdekur të paktën dy persona- përpara se të përplaste makinën në mbrojtëset e urës, që gjendet afër Parlamentit britanik.

Më pas sulmuesi, sipas policisë, ka dalë nga makina dhe ka hyrë në perimetrin e sigurisë të Parlamentit dhe ka therur për vdekje një zyrtar policor.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May tha se detajet e “sulmit të sëmurë terrorist”, janë ende duke u zbuluar.

Ajo ka konfirmuar se sulmi është kryer nga një person dhe se niveli i “rreptë” i rrezikut në Britani nuk do të ndryshojë.

Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për të gjithë ata që janë të prekur nga ky sulm”, tha ajo.

Më lejoni të jem e qartë... çdo përpjekje për të mposhtur vlerat me dhunë, janë të dënuara të dështojnë”, tha May.

Parlamenti do të mblidhet si zakonisht ... dhe londinezët do të zgjohen dhe do të vazhdojnë ditën e tyre normalisht... ata do të ecin nëpër këto rrugë, do të jetojnë jetën e tyre... nuk dorëzohemi para terrorit”, tha kryeministrja May.

Zyrtarët spitalorë thanë se dhjetëra persona, që u goditën nga vetura e sulmuesit kanë pësuar lëndime “katastrofale”.

Një grua është nxjerr e gjallë nga Lumi Thames në Londër, pas sulmit në Urën Westminister, ka thënë për Reuters një zëdhënës i Autoritetet i Portit të Londrës.

Një grua është nxjerr nga uji në afërsi të urës Westminister. Ajo është e gjallë por ka lëndime serioze”, ka thënë zëdhënësi, duke shtuar se ajo tashmë është duke marrë trajtimin e duhur mjekësor.

BBC raporton se një grup i studentëve francezë, në kohën e sulmit me veturë, ishin duke ecur në pjesën verirore të Urës Westminister. Ata janë në mesin e të lënduarve nga ky sulm.

Kryeministri francez, Bernard Cazeneuve ka konfirmuar se në mesin e të lënduarve janë tre nxënës francezë, të moshës 15 dhe 16 vjeçare.

Policia londineze ka njoftuar se në ditët në vijim do të rriten masat e sigurisë.

Sulmi i 22 marsit në Londër, vjen në njëvjetorin e sulmeve në Bruksel, ku u vranë 32 persona dhe u plagosën mbi 320 të tjerë.

Në Washington, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump, i ka ofruar kryeministres May bashkëpunimin e plotë të qeverisë së SHBA-së në “përgjigje ndaj sulmeve dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që janë përgjegjës”

Gjatë ditës, sekretari i shtetit Rex Tillerson gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij dhe tha se Washingtoni dënon “aktet e tmerrshme të dhunës pavarësisht nëse janë kryer nga individë problematik apo terroristë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se bashkëndjenë me popullin britanik dhe se ishte e tronditur nga ngjarja në Londër.

Askush ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet.

Të shtëna me armë zjarri në Londër

Sulmi terrorist në Londër
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:29 0:00

Një polic është goditur me thikë brenda Parlamentit britanik, tha kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit, David Lidington.

Ai u tha ligjvënësve se "sulmuesi i dyshuar është qëlluar nga policia e armatosur" pas "incidentit serioz".

Stafi brenda Parlamentit është urdhëruar të qëndrojë brenda zyrave, raporton BBC.​

Policia tha se është thirrur për një incident me armë zjarri në Westminster, brenda Londrës.

Raportohet për disa persona të plagosur.

Stacioni i metrosë në Westminister është mbyllur, me kërkesë të policisë.

Kryeministrja Theresa May u pa të jetë shoqëruar në veturën e saj pas të shtënave që u dëgjuan në Parlament, gjatë incidentit.

Një burim nga kryeministria ka konfirmuar se kryeministrja Theresa May ishte mirë, shkruan BBC.

Zoti Lidington tha: “Duket se një polic është goditur me thikë dhe se sulmuesi i dyshuar u qëllua nga policët e armatosur”.

“Ka njoftime për incidente të tjera të dhunshme në hapësirat e Pallatit Westminster por shpresoj se kolegët nga të gjitha palët do të mirëkuptonin se do të ishte e gabueshme për mua që të jap më shumë hollësi deri sa nuk kemi një konfirmim të policisë dhe nga autoritetet e Sigurisë së Parlamentit për çfarë bëhet fjalë”.

XS
SM
MD
LG